Kjo histori bazohet në një raportim nga një partner i Global Voices, Agjencia e lajmeve Meta.mk, një projekt i fondacionit Metamorfoza.
Shikoni mbulimin e veçantë të Global Voices rreth ndikimit global të Covid-19.
Dy muaj që kur rasti i parë i Covid-19 u regjistrua në Kroaci (si vendi i parë në Ballkan që ka konfirmuar zyrtarisht praninë e virusit), tani ka pothuajse 20,000 banorë në 10 vende të Ballkanit që janë infektuar nga virusi.
Video-ja e mëposhtme vizualizon numrin e rasteve të raportuara zyrtarisht në Ballkan nga 24 shkurti në 24 prill 2020.
Ajo që është më tronditëse në lidhje me statistikat zyrtare të botuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Universiteti Xhon Hopkins dhe Worldometer është se më shumë se një e treta e rasteve të konfirmuara janë në Serbi, një vend ballkanik ku pandemia e re është injoruar nga qeveria dhe madje është marrë si shaka.
Qytetarë serbë në rrjetet sociale kritikuan qeverinë e tyre, veçanërisht Partinë Progresive serbe (SNS), sepse kishte organizuar tubime të mëdha në publik vetëm disa ditë para se të deklarohej gjendja e emergjencës në 15 mars. Ngjarjet ishin pjesë e përgatitjes për zgjedhjet parlamentare, të planifikuara fillimisht më 26 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së Koronavirusit.
Radhët e mbushura me dhjetra mijëra përkrahës të SNS-së u rreshtuan në rrugë afër njëri-tjetrit për të deklaruar besnikërinë e tyre ndaj udhëheqësit të partisë Aleksandar Vuçiq si pjesë e një fushate populiste, që ka për qëllim shfaqjen e mbështetjes së njerëzve për kandidatët e listës së tij.
Da se ne zaboravi! Mart 2020! #Covid19 #Serbia #Srbija pic.twitter.com/8ZDvhacA88
— Miki Marjanovic (@miki_marjanovic) April 4, 2020
Mos e harroni kurrë! Mars 2020!. #Covid19 #Serbia #Srbija
Mali i Zi ka numrin më të vogël të rasteve me Covid-19 me vetëm 319.
Greqia dhe Kroacia kanë më shumë se 2,000 raste dhe Bosnja, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia, të gjitha kanë më shumë se 1,000 raste të konfirmuara të Covid-19 që kur filloi përhapja e virusit.
Kosova dhe Shqipëria kanë identifikuar rreth 650 raste secila.