Seriali rus mbi bandat e të rinjve të epokës së Perestrojkës thyen rekordet, duke sfiduar përpjekjet për ta ndaluar atë

 

Foto nga faqja origjinale e artikullit në Russian PostPërdoret me leje.

Ky artikull nga Sofia Sorochinskaya u botua për herë të parë në Russia Post. Një version i redaktuar ribotohet nga Global Voices me leje.

Në nëntor 2023, shërbimet ruse të transmetimit shfaqën serialin “Slovo Patsana. Krov’ na asphalte” (Fjala e djalit: Gjak mbi asfalt). Brenda një muaji, ai po thyente rekordet e popullaritetit në Rusi, duke tejkaluar liderin e mëparshëm, dramën koreano-jugore “Squid Game”.

Seriali tregon historinë e bandave të rrugës të të rinjve në fund të viteve 1980 në Kazan, kryeqyteti i Tatarstanit, duke u frymëzuar nga ngjarjet e jetës reale dhe bazuar në një libër nga një ish-anëtar bande. Në atë kohë, grupet kriminale, të përbëra kryesisht nga të mitur, luftonin për të kontrolluar terrenin, duke rezultuar në një numër të lartë vrasjesh dhe nivele të paprecedentë krimi. Historianët e quajnë atë si “fenomeni Kazan”.

Personazhi kryesor në serial është Andrei, një 14-vjeçar që jeton me të ëmën dhe motrën e tij të vogël. Ai është një nxënës i mirë në shkollë dhe i bie pianos. Andrei ngacmohet nga adoleshentë të tjerë dhe kërkon mbrojtje. Ai takohet me Maratin, një anëtar i një bande në Kazan dhe i bashkohet bandës, duke u përfshirë në sherre dhe grabitje.

Bandat veprojnë sipas disa rregullave unike. Fraza “slovo patsana” – që do të thotë fjala e një djali – do të thotë një premtim ose zotim i pathyeshëm. Nëse dikush bën një premtim, ai duhet ta mbajë fjalën. Anëtarët e bandës përfshihen në përleshje masive, ndërsa luftojnë për kontrollin e disa pjesëve të Kazanit, shpesh duke kryer vrasje. Një episod përmend se pothuajse të gjithë prototipet e jetës reale të personazheve kryesore ose morën dënime të gjata me burg ose u vranë.

Disa zyrtarë qeveritarë pohuan se Slovo Patsana promovonte dhunën dhe kërkuan ndalimin e serialit. Irina Volynets, komisionerja për të drejtat e fëmijëve në rajonin e Tatarstanit, shkroi se seriali “romantizon banditizmin dhe justifikon fenomenin alarmues të njohur si ‘Kazan’, duke formuar perceptime të rreme për botën kriminale në sytë e të rinjve”.

Ndërkohë, deputetja e Dumës Nina Ostanina ka kërkuar një hetim për të përcaktuar nëse vrasja e një adoleshenti 15-vjeçar në qytetin rus Irkutsk ishte frymëzuar nga seriali. Ka një skenë të ngjashme me incidentin në Slovo Patsana.

Por popullariteti i jashtëzakonshëm i serialit ka sfiduar çdo përpjekje për ta censuruar atë. Pasi panë serialin, adoleshentët tatarë krijuan biseda online me emrin e ish-bandave të Kazanit dhe postuan një video ku imitonin përleshjet e viteve 1990 me topa bore.

Të dhënat e Yandex [një motor kërkimi rus shumë i popullarizuar në vend] tregojnë se brenda një muaji rusët kërkuan ‘Slovo Patsana’ më shumë se ‘luftën në Ukrainë’ për të gjithë vitin 2023. [Duhet theksuar se të dhënat nga Yandex mund të mos jenë të besueshme kur flitet për luftën në Ukrainë: Yandex tani është nën kontrollin e shtetit rus dhe gjithçka që lidhet me pushtimin e Ukrainës censurohet.]

Sipas VTsIOM, sondazhit shtetëror, mbi 80 për qind e rusëve janë në dijeni të serialit, me tetë nga 10 që e kanë parë serialin (82 për qind) kundër ndalimit të tij.

Kënga në gjuhën tatare “Piyala” nga dyshja e hip-hop-it Aigel, kolonë zanore e serialit, kryesoi klasifikimin në Shazam.

Kolona zanore nuk ishte përmendur në titra, edhe pse u shfaq pothuajse në çdo episod, me shumë gjasa sepse Aigel është shprehur kundër luftës në Ukrainë dhe është larguar nga Rusia. Seriali ka ngjallur interes edhe për gjuhën tatare. Pas publikimit, një peticion në Change.org bëri thirrje që gjuha tatare të shtohej në Duolingo.

Lexo: Aktivisti i gjuhës tatare që identifikohet si queer: “Nën ndikimin e shtetit modern rus, politikanët e Azisë Qendrore po përpiqen të zbatojnë politika të ngjashme anti-gej”

Çuditërisht, “Slovo Patsana” u bë shumë popullor në Ukrainë. Gazeta spanjolle El Pais shkroi se kishte “tronditur shoqërinë ukrainase” dhe raportoi se “ishte seriali më i parë në internet në Ukrainë”.

Ministria e Kulturës e Ukrainës lëshoi ​​një deklaratë duke e barazuar serialin me propagandën armiqësore:

Në hapësirën online ukrainase, veçanërisht mes adoleshentëve, po përhapet një serial i prodhuar nga Rusia që promovon drejtpërdrejt dhunën, krimin dhe një karakteristikë estetike të vendit agresor. Ai përmban propagandë armiqësore, përhapja e së cilës në Ukrainë gjatë kohës së luftës konsiderohet e papranueshme.

Sipas BBC Russia, shumë në Ukrainë janë të indinjuar që “në kulmin e luftës me Rusinë… të rinjtë shohin një serial të prodhuar nga Rusia” dhe “po kërkohet që Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ta ndalojë serialin”. Por një ndalim i tillë do të ishte i pakuptimtë, pasi ukrainasit shohin prodhimet ruse kryesisht përmes platformave të transmetimit tashmë të paligjshme pirate.

Gazetari rus Mikhail Shevchuk e quajti “Slovo Patsana” një nga fenomenet kulturore më domethënëse në shumë vite. Sipas tij, historia ka një sfond të fortë politik dhe mund të konsiderohet “anti-sovjetike”. Shevchuk tha se ata që akuzonin “Slovo Patsana” për romantizimin e dhunës thjesht “po shihnin veten në pasqyrë”:

Në këto ditë kur udhëheqja e vendit po përpiqet me këmbëngulje të rivendosë perandorinë dhe të indoktrinojë seriozisht nxënësit e shkollave për këtë qëllim, dikush ka marrë iniciativën për t'u treguar po atyre nxënësve se si dukej perandoria nga brenda.

Ai shtoi se seriali tregon qartë se “në fund të ekzistencës, vetë BRSS ishte bërë vërtet anti-sovjetike”. Sipas Shevchuk, “Slovo Patsana rrëfen pa mëshirë shpërbërjen e strukturës shoqërore të BRSS – shteti nuk mund të mbronte ose ushqente më njerëzit dhe njerëzit pushuan së respektuari shtetin”.

Yuri Saprykin, një kritik i kulturës, e vlerësoi serialin, duke theksuar se ai vjen nga “baza”, për shkak të faktit se nuk u transmetua në televizion dhe pati popullaritet sepse njerëz me prejardhje sociale dhe mosha të ndryshme ja rekomanduan atë njëri-tjetrit.

Ai shihet nga fëmijët, nga të rriturit që i kujtojnë ato kohë dhe nga të rriturit që nuk i mbajnë mend ato. Ai ndiqet nga… intelektualë dhe audienca e rregullt e serialeve. Ai në një mënyre i mahnit të gjithë… që pothuajse nuk ndodh kurrë.

“Slovo Patsana” “është universal, pasi flet për gjëra të thjeshta që të gjithë i kuptojnë, si miqësia, tradhtia, hakmarrja dhe drejtësia”, shkruan Saprykin. Ai shton: “Është shumë keq që nuk mund të shfaqet në Netflix për të parë nëse do të kishte sukses ndërkombëtar. Mendoj se do të ishte shumë i suksesshëm, ashtu si serialet spanjolle dhe izraelite që së fundmi janë bërë hite globale.”

“Slovo Patsana” gjendet kudo, veçanërisht në internet. Hashtagu #словопацана (“slovo patsana”) ka arritur 11.3 miliardë shikime në TikTok. Mediat sociale po gumëzhijnë gjithashtu me video nga festa ku njerëzit kërcejnë me hitet e viteve 1980 të pranishme në serial, duke rizbuluar kërcimet e asaj epoke.

Fjalori i kohës po kthehet gjithashtu. Për shembull, termi “chushpan”, që do të thotë “një i huaj”, dikush që nuk është i përfshirë në banda, është popullarizuar sërish. Pasi panë serialin, një familje nga Kazani e quajti djalin e porsalindur Chushpan.

Shumë familje e panë së bashku “Slovo Patsana”. Prindërit mund të kujtonin rininë dhe fëmijët e tyre dhe adoleshentët i shpërndanë këto histori në internet. Disa  video tregojnë se sa të lidhur me serialin u bënë prindërit.

Saprykin beson se “Slovo Patsana” do të hyjë në histori si një fenomen kulturor. Ai shton se mund të imagjinojë shfaqjen e serialit në kinema pas 20 vjetësh, kur të ketë përvjetorin.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.