Aktivisti i gjuhës tatare që identifikohet si queer: “Nën ndikimin e shtetit modern rus, politikanët e Azisë Qendrore po përpiqen të zbatojnë politika të ngjashme anti-gej”

screenshot from Instagram of Marsel Ganeyev https://www.instagram.com/tatar.prince/. Used with permission.

Foto nga llogaria e Marsel Ganeyev në Instagram. Përdoret me leje.

Shumë njerëz në Azinë Qendrore në republikat post-sovjetike po flasin për mënyrat për të ç'sovjetizuar dhe shkolonizuar vendet përkatëse dhe për të kuptuar identitetin e tyre.

Global Voices foli me aktivistin e gjuhës tatare Marsel Ganeyev nga Kazakistani, që gjithashtu identifikohet si queer. Marsel është një student i doktoraturës në mjekësi, që aktualisht jeton në Evropë. Qëllimi është të “ndihmojë pakicat të rilidhen me rrënjët e tyre dhe të kapërcejnë traumën emocionale”. Për shkak se Marsel është përfaqësues i një pakice etnike në Kazakistan dhe Rusinë fqinje si dhe pjesë e pakicës gjinore, pikëpamjet e tij kombinojnë të dyja përvojat.

Kazakistani është i njohur për etnitë që jetojnë aty, më shumë sesa kombi titullar kazak, si nga vendet fqinje, por edhe komunitetet hebreje dhe gjermane të dëbuar në kohët sovjetike dhe pakicat kombëtare turkiçe.

Marseli ka lindur në Kazakistan, por identifikohet si tatar, një pakicë etnike aty dhe në Rusinë fqinje, e cila, megjithatë, ka republikën e saj federale, Tatarstanin, që për shkak të natyrës së regjimit rus, nuk ka shumë pavarësi nga qeveria federale.

Marsel Ganeyev https://www.instagram.com/tatar.prince/

Marsel Ganeyev. Teksti: (lart) Gjuha si instrument proteste. (Në mes) Si i vret Moska gjuhët e Rusisë me shembullin e Tatarit.(Poshtë) Si mund të ndihmojnë gjuhët ruse kundër luftës? Pamje nga llogaria e tij në Instagram. Përdoret me leje.

Elmira Lyapina (EL): Marsel, mund të na tregoni për aktivizmin tuaj?

Marsel Ganeyev (MG): Unë jam i përfshirë në aktivizëm për katër vitet e fundit, që kur fillova të mësoj tatarisht. Kryesisht bëra aktivizmin e mediave sociale, iniciova projektin dokumentar queer kazak “Qara Magan“, nisa podkastin “Identiteti Tatar” dhe në përgjithësi motivova qindra njerëz të fillojnë të mësojnë tatarisht ose gjuhët e tyre etnike. Për më tepër, unë drejtoj një grup në Telegram, ku po ndajmë burimet e mësimit të gjuhës tatare dhe organizojmë takime për të folur.

EL: Çfarë kuptoni me “aktivizëm queer” të gjuhës?

MG: Ai përshkruan anët e ndryshme të identitetit tim, pasi unë jam një queer tatar rus, i lindur dhe rritur në Kentau, një qytet i vogël në Kazakistanin jugor. Të dyja anët e aktivizmit tim “queer” dhe “gjuhë” më duken njësoj të rëndësishme. Ato janë shumë të ndërlidhura, pasi njerëzit queer po përballen me probleme shumë të ngjashme me ata njerëz gjuha e të cilëve është e rrezikuar ose e margjinalizuar në çdo kuptim.

EL: Çfarë është një “gjuhë queer”? A është një zhvillim specifik gjuhësor i lidhur me komunitetin queer?

MG: Po, kjo është një temë që më intereson. Po përpiqem të përkufizoj “gjuhën queer” brenda hapësirës sonë. Në përgjithësi, kjo gjuhë përfaqësohet nga mjetet që përdorin aziatikët queer për të përcaktuar veten dhe për të komunikuar me botën e jashtme, për shembull, terminologji specifike, përzgjedhje gjuhësore, folklor, art, vallëzim, etj.

EL: Cilat janë sfidat për lëvizjen queer në Kazakistan? A ka aktivistë të tjerë të gjuhës së pakicave, si ju?

MG: Lëvizja queer bashkëkohore në Kazakistan përballet me detyrën sfiduese të trajtimit të historisë koloniale të vendit tonë [sovjetike], e cila ndikon ndjeshëm në zhvillimin e gjuhës queer. Ndërsa lundrojmë në këtë peizazh në zhvillim, ne jo vetëm mësojmë të artikulojmë identitetet tona queer të Azisë Qendrore, por edhe si të angazhohemi me një botë ku homofobia shpesh kryqëzohet me narrativat koloniale. Udhëtimi ynë përfshin zbulimin e vetvetes dhe angazhimin për të sfiduar paragjykimet e rrënjosura thellë e që vazhdojnë.

Në Kazakistan, ka njerëz të tjerë queer që janë aktivistë të gjuhës së pakicave; megjithatë, fokusi i tyre kryesor është vetë gjuha. Për aktivizmin queer tatar, unë mbështetem nga miqtë e mi dhe një grup njerëzish që më ndihmojnë në punën time. Komuniteti queer që flet tatarisht nuk është aq i madh, por ne të gjithë e njohim njëri-tjetrin dhe përpiqemi të bashkëpunojmë dhe të ndajmë eksperiencat.

EL: Ju flisni publikisht në shtetet evropiane për tema historike (dhe politikisht të ndjeshme), si shkolonizimi, ndërsa përshkruani ndikimin e Rusisë në republikat post-sovjetike. A ka ndonjë perspektivë të veçantë queer në lidhje me këtë?

MG: Këto tema lidhen drejtpërdrejt me aktivizmin tim të gjuhës queer. Ashtu si në rastin e Kazakistanit, ne ende kemi të bëjmë me pasojat e politikës së rusifikimit sovjetik. Nga ana tjetër, nëse Kazakistani është një shtet i pavarur, duke zbatuar politikat e veta me gjuhën e vetme shtetërore kazake, tatarishtja ka humbur pozitën e saj brenda Tatarstanit, që nga ardhja e Putinit në pushtet.

Në anën queer të saj, shumë gjëra me të cilat po merremi sot janë pasojat e politikave sovjetike anti-gej. Për më tepër, duke qenë nën ndikimin e shtetit modern rus, politikanët e Azisë Qendrore po përpiqen të përdorin të njëjtat narrativa dhe të zbatojnë politika të ngjashme anti-gej. Teksa kalojmë nëpër praktikat shkolonizuese, kjo na ndihmon gjithashtu të shkojmë përtej kornizave që na projekton shoqëria heteronormative.

EL: A doni të thoni se komuniteti queer merret jo vetëm me kontributin e së kaluarës koloniale, por edhe me ndikimin rus në diskursin e Kazakistanit?

MG: Po, për fat të keq, popullsia e vendit tonë është ende e ndikuar nga propaganda bashkëkohore ruse. Për shembull, në vitin 2017, Kazakistani nisi zbatimin e një ligji kundër propagandës së homoseksualëve, të ngjashëm me Rusinë, por ai u tërhoq më vonë atë vit për shkak të ankesave nga aktivistët vendas në Komisionin Evropian për të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu, këtë vit Kirgistani prezantoi një politikë të ngjashme.

EL: Sa i përket “politikave anti-gej”, a nuk mendoni se pikëpamjet fetare në këtë rajon mund të kenë më shumë ndikim sesa narrativat (post)sovjetike? 

MG: Në rastin e tatarëve, feja ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kulturës dhe gjuhës. Edhe pse ekziston një pakicë e krishterë tatarësh, është e vështirë të imagjinohet kultura tatare pa islamin. Sa herë që futeni në letërsinë, folklorin dhe zakonet tatare, feja është e ngulitur thellë në të. Megjithatë, homofobia më e madhe [që është e dukshme në Tataristan në Rusi] është pasojë e propagandës ruse anti-gej. Nuk ka aq shumë njerëz që mbrojnë “vrasjen e homoseksualëve” për shkak të islamit. Unë mendoj se shumica e myslimanëve priren të jenë shumë të kuptueshëm për zgjedhjen e dikujt. Për më tepër, shumë tatarë dhe kazakë queer e konsiderojnë veten myslimanë dhe nuk e shohin atë si diçka kontradiktore; për shembull, ju mund të dëgjoni një nga episodet e podkastit tim me drag queen, Selenën.

Kur flasim për personat transgjinorë, popullsia që flet tatarisht dhe gjuhën kazake, ka më pak fjalor për t'i ofenduar ata pasi nuk ka nevojë të përdorin përemra gjinorë.

Edhe pse disa queer nga familjet myslimane përjetojnë homofobi të bazuar në islam, për mendimin tim, nuk është një diskurs i përgjithshëm që përdoret nga qeveria dhe media. Personalisht, unë vij nga një prej rajoneve më fetare myslimane në Kazakistan, një qendër sufiste, Turkistani dhe nuk e kam përjetuar kurrë homofobinë fetare vetë, më së shumti shprehej me “пацанские понятия” [konceptet e djalit. Në thelb, këto janë gjuha e burgut dhe konceptet e transformuara për jetën e përditshme, të formuara në sistemin gulag në vitet '30.] Ekziston një libër i bukur mbi këtë temë nga Dan Healey “Homofobia ruse nga Stalini në Soçi”.

[Shënim redaksional: Opinioni këtu është vetëm një përvojë individuale. Ka përvoja të dokumentuara të pesonave të tjerë queer në vendet e Azisë Qendrore ose  rajonet myslimane të Rusisë, të cilët kanë përjetuar homofobi dhe dhunë.]

EL: Ju flisni publikisht dhe drejtoni podkaste. Cila është audienca juaj dhe cili është reagimi i tyre i zakonshëm?

MG: Audienca ime është jashtëzakonisht e larmishme, kryesisht nga Azia Qendrore, jo-rusë të Rusisë, rusishtfolës që i konsiderojnë temat e imperializmit të rëndësishme dhe publiku i gjerë queer. Ka edhe shumë evropianë, pasi temat që po prek marrin më shumë vëmendje në BE, që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Kur bëj fjalimet e mia publike, audienca e interesuar në Evropë është kryesisht emigrantë dhe njerëz të përfshirë në art dhe jetën akademike.

Edhe pse podkastin tim “Identiteti modern tatar” e ofroj në tatarisht, anglisht dhe rusisht, unë i jap përparësi tartarishtes dhe mes shtatë të ftuarve të parë, pesë flisnin tatarisht dhe katër nga pesë kishin gjuhën tatare si gjuhë të dytë ose të tretë që e mësuan me vetëdije në moshë madhore. Dëgjuesit janë kryesisht tatarfolës nga e gjithë bota, duke mbuluar të gjitha kontinentet, me numrin më të lartë në Gjermani.

Zakonisht, njerëzit janë mjaft mbështetës. Nëse ata janë persona me origjinë ruse, ata priren të bëhen shumë mbrojtës, duke refuzuar konceptet e kolonializmit që aplikohen në Rusi.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.