Terroristët nga Taxhikistani kthehen në kërcënim global

Foto e dy kamikazëve, dyshohet se janë shtetas taxhikë, pas sulmit në Kerman në Iran më 3 janar 2023. Pamje nga kanali i OneIndiaNews në YouTube. Përdorim i drejtë.

Ministria e Informacionit dhe Sigurisë Kombëtare e Iranit zbuloi më 5 janar se një nga dy kamikazët e sulmit terrorist të kryer më 3 janar në qytetin juglindor të Kermanit ishte një shtetas taxhik. Disa ditë më vonë, Ministria e Brendshme e Iranit tha se autori i dytë ishte gjithashtu një shtetas taxhik.

Sulmi u krye pranë varrit të oficerit ushtarak të nivelit të lartë iranian Qasem Soleimani, i cili u vra në një sulm me dron amerikan saktësisht tre vjet më parë më 3 janar 2020 gjatë vizitës së tij në Irak. Tetëdhjetë e nëntë persona vdiqën dhe 300 u plagosën, sipas autoriteteve iraniane. Ata kishin shkuar për të vizituar varrin e Soleimanit në përvjetorin e tretë të vdekjes së tij. Organizata terroriste e Shtetit Islamik, e quajtur Shteti Islamik–Provinca Khorasan (ISKP), mori përgjegjësinë për sulmin.

Ky ishte rasti i fundit dhe ndoshta më famëkeqi i përfshirjes së shtetasve taxhikë në sulme terroriste jashtë vendit. Vetëm 11 ditë më parë, më 23 dhjetor 2023, autoritetet gjermane dhe austriake arrestuan një shtetas taxhik dhe dy të dyshuar të tjerë me akuzën e planifikimit të sulmeve terroriste në Katedralen e Shën Stefanit në Vjenë dhe Katedralen e Këlnit. Edhe ai ishte rekrutuar nga ISKP. Këto incidente janë një prirje shqetësuese se si shtetasit taxhikë që bashkohen me organizatat terroriste xhihadiste globale, bëhen burim pasigurie në mbarë botën.

Terrorizëm në mbarë botën

Gjatë dekadës së fundit, luftëtarët e huaj terroristë të Taxhikistanit (FTF) kano njollosur imazhin e vendit. Më i famshmi prej tyre është Gulmurod Khalimov, i cili u bë Ministër i Luftës i IS-it pasi iu bashkua grupit në vitin 2015. Para se të bëhej terrorist i rangut të lartë, ai shërbeu si kreu i njësisë së forcave speciale në Ministrinë e Brendshme të Taxhikistanit, si kolonel.

Pas dezertimit në Siri, Khalimov regjistroi një video-mesazh në të cilin kritikoi autoritetet e Taxhikistanit për politikën ‘anti-islamike’ dhe ekonominë e dobët që i shtyn bashkatdhetarët të lënë vendin për të gjetur punë. IS përdori Khalimovin si imazhin e tij për rekrutimin e taxhikëve dhe shtetasve të tjerë të Azisë Qendrore deri kur vdiq në 2017. Midis 1,100 dhe 1,900 shtetas taxhikë ju bashkuan IS.

Këtu është një video në YouTube për rekrutimin e shtetasve taxhikë nga IS.

Taxhikistani ishte sërish në vëmendjen e mediave në vitin 2018, kur katër çiklistë të huaj u vranë në një sulm të kryer 100 km larg kryeqytetit Dushanbe. IS mori përgjegjësinë. Shtetas amerikanë, zviceranë dhe holandezë vdiqën në sulm dhe kjo tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave kryesore në botë. Dy vjet më vonë, pesë shtetas taxhikë u arrestuan në Gjermani me akuzën e komplotit të sulmeve dhe bashkëpunimit me IS. Në vitin 2022, ata u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim nga 4,8 deri në 9,6 vjet.

Sulmi i janarit në Kerman nuk ishte i pari i kryer nga FTF e Taxhikëve në Iran. Më 25 tetor 2022, një grup personash të armatosur të IS sulmuan Shah Cheragh në Shiraz që ndodhet në jug të vendit, duke vrarë 13 dhe duke plagosur 27 persona. Një nga sulmuesit ishte shtetasi taxhik i quajtur Komroni Subhon, i cili u rekrutua nga IS gjatë qëndrimit të tij në Rusi si punëtor migrant.

Në gusht të vitit 2023, i njëjti kult fetar u shënjestrua nga IS dhe shtetasi taxhik, Rahmatullo Navruzov, ishte një nga autorët. Në shtator 2023, ai u dënua me vdekje në Iran.

2023 ishte një vit i rëndësishëm për FTF-të e Taxhikistanit përsa i përket ekspozimit mediatik në mbarë botën. Në qershor, autoritetet turke arrestuan në Stamboll shtetasin taxhik Shamil Khukumatov, i njohur gjerësisht si Abu Miskin, për rekrutimin e anëtarëve të rinj dhe mbledhjen e fondeve për ISKP. Në korrik, një grup prej nëntë aziatikësh u arrestuan në Gjermani dhe Holandë për krijimin e një organizate terroriste dhe për mbështetjen e IS. Gjashtë prej tyre ishin shtetas taxhikë.

Në shtator, një shtetas taxhik u dënua me 11 vjet burg në Kazakistan për planifikimin e një sulmi në mauzoleumin Khoja Ahmed Yasawi që ndodhet në jug të vendit. Në dhjetor, pesë shtetas taxhikë u dënuan me burgime të gjata në Rusi për komplotin për të sulmuar selinë e Shërbimit Federal të Sigurisë në Moskë.

Autoritarizmi, emigrimi dhe fantazmat e luftës civile

Është e vështirë të përcaktosh një arsye të vetme pse qytetarët taxhikë u bashkohen organizatave terroriste dhe kryejnë sulme. Megjithatë, politikat e ashpra të qeverisë së Taxhikistanit dhe emigrimi duket se janë faktorë të pamohueshëm dhe gjithëpërfshirës të radikalizimit të FTF-ve taxhikë.

Presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon drejton vendin që nga viti 1992. Pesë vitet e para të sundimit të tij përkonin me luftën civile që vendi kaloi midis 1992 dhe 1997, me qindra mijëra të vdekur dhe miliona të zhvendosur. Nën sundimin e Rahmonit, Taxhikistani renditet rregullisht në fund të renditjes ndërkombëtare për liritë politike dhe efektivitetin e qeverisjes, duke reflektuar mungesën e transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes.

Këtu është një video në YouTube për historinë dhe politikën e Taxhikistanit.

Taxhikistani renditet i 150-ti nga 180 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Reporterët pa Kufij e rendisin në vendin e 153 nga 180 shtete në indeksin e lirisë së shtypit. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Taxhikistani ka numrin më të lartë të gazetarëve në burg në Azinë Qendrore. Freedom House e klasifikon vendin si një regjim autoritar të konsoliduar me një rezultat demokracie prej 1 nga 7.

Me kalimin e viteve, Rahmon ka shkatërruar të gjithë opozitën në vend, përfshirë Partinë e Rilindjes Islamike të Taxhikistanit (IRPT), së cilës iu garantuan vendet në parlament dhe postet qeveritare si pjesë e marrëveshjes së paqes të nënshkruar në 1997 në fund të luftës civile. Në 2015, IRPT u shpall organizatë terroriste dhe anëtarët e saj u burgosën apo internuan.

Në 2022, autoritetet heshtën çdo gjë që kishte mbetur nga zërat e pavarur në vend duke kryer operacione ‘anti-terroriste’ në Rajonin Autonom të Gorno-Badakhshan, ku jetojnë komuniteti etnik Pamiri. Mbrojtës të shquar të të drejtave të njeriut, udhëheqës joformalë dhe gazetarë në rajon ose u vranë ose u arrestuan nga autoritetet qendrore.

Emigrimi është një tjetër faktor i rëndësishëm kontribues. Është bërë një fakt i njohur se punëtorët emigrantë taxhikë radikalizohen dhe rekrutohen gjatë qëndrimit në Rusi, destinacioni kryesor për taxhikët që kërkojnë punë jashtë vendit. Rreth 1 milion shtetas taxhikë janë në Rusi si punëtorë migrantë. Ekspertët thonë se problemet sociale, ligjore dhe ekonomike që hasin jashtë vendit i bëjnë ata të pambrojtur ndaj propagandës dhe rekrutimit terrorist.

Asnjë nga faktorët që i bëjnë shtetasit taxhikë të radikalizohen duket se nuk do të ndryshojë shpejt. FTF-të taxhikë thuhet se po zgjerojnë zonat e tyre të veprimit. Raportet e fundit sugjerojnë se qindra prej tyre janë zhvendosur në Gaza për tju bashkuar forcave të Hamasit dhe për të luftuar kundër ushtrisë izraelite. Organizata terroriste e Taxhikistanit Jamaat Ansarullo, e cila aktualisht është e vendosur në Afganistan, pasi ka ndërtuar një aleancë me talebanët, po fiton terren duke zgjeruar kapacitetet.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.