Azerbajxhani zbulon “me sukses” një tjetër rrjet spiunësh

Foto nga Arzu Geybullayeva

Pasi akuzuan Shtetet e Bashkuara për ngritjen e një rrjeti spiunazhi, autoritetet e Azerbajxhanit pretendojnë se kanë zbuluar një tjetër rrjet spiunësh të huaj. Sipas tyre, agjencitë franceze të inteligjencës operojnë një rrjet sekret prej vitesh nëpërmjet diplomatëve, qytetarëve francezë që kanë biznese në vend dhe të tjerëve. Si rezultat, të paktën një shtetas francez u arrestua në dhjetor 2023 dhe dy diplomatë francezë u dëbuan këtë muaj.

Franca mban shënim vendimin e Azerbajxhanit për shpalljen persona non grata të 2 anëtarëve të ambasadës franceze në Azerbajxhan dhe ka marrë masa reciproke.

“I dyshuari për kryerjen e akteve të spiunazhit, Martin Ryan … u arrestua më 4 dhjetor,” i tha AFP ambasadorja e Azerbajxhanit në Paris, Leyla Abdullayeva. Ryan është në paraburgim për katër muaj.

Si hakmarrje, Franca dëboi dy diplomatë azerë duke hedhur poshtë pretendimet e  Azerbajxhanit. Ministria e Jashtme e Francës tha në një deklaratë se e konsideron arrestimin e Ryan “arbitrar”, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit hodhi poshtë pretendimet për ndalim arbitrar, duke i bërë thirrje Francës që të përmbahet nga ndërhyrja në punët e brendshme.

Ekspertët i lidhin tensionet e fundit diplomatike midis Azerbajxhanit dhe Francës me mbështetjen e kësaj të fundit për Armeninë.

Azerbajxhani dhe Armenia janë pjesë e një konflikti prej rreth tridhjetë vjetësh. Pas dy luftërave dhe konfrontime të panumërta në vijën e frontit më vonë, Azerbajxhani fitoi në Karabakh pas një operacioni ushtarak më 19 shtator 2023.

Muajin pasues, Franca njoftoi se do t'i shiste Armenisë sisteme të mbrojtjes ajrore. Në të njëjtin muaj, presidenti Ilham Aliyev ngriti akuza kundër Francës, duke thënë se kjo e fundit po nxiste konfliktin në Kaukaz, duke armatosur Armeninë.

Franca gjithashtu kritikoi në mënyrë të përsëritur Azerbajxhanin për bllokimin e korridorit Lachin – e vetmja rrugë që lidh Armeninë me Karabakun përmes territorit të Azerbajxhanit – për një periudhë prej nëntë muajsh në 2023.

Vitin e kaluar, në nëntor 2023, njësia e mbrojtjes kibernetike e Francës zbuloi një fushatë dezinformimi nga Azerbajxhani “nëpërmjet përdorimit të proceseve joautentike, me objektivin për të dëmtuar reputacionin e Francës në kapacitetin e saj për të pritur Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike 2024″, sipas Shërbimit francez për Vigjilencën dhe Mbrojtjen nga Ndërhyrjet Dixhitale të Huaja (Viginum).

Krijimi i tensioneve

Bakuja zyrtare ka kritikuar gjithashtu të kaluarën kolonialiste të Francës. Në editorialin e tij të fundit, kandidati për doktoraturë në Universitetin Charles, Bahruz Samadov, argumentoi se Azerbajxhani ka shënjestruar kryesisht Francën në narrativën antikolonialiste “për shkak të kombinimit të qëndrimit në mënyrë specifike kritike ndaj strategjive autoritare të menaxhimit të konfliktit nga Bakuja, si bllokada e Lachin, sulmi i shtatorit 2023 në Nagorni-Karabakh dhe mbështetja e fortë e vendit për Armeninë.”

Madje ka një nismë kundër kolonializmit francez, e cila u krijua në korrik 2023. “Fakti që Azerbajxhani synon vetëm historinë koloniale të Francës, duke lënë mënjanë, për shembull, Britaninë e Madhe, për të mos përmendur Turqinë, e bën këtë rast një shembull karakteristik të selektimit, përdorimit të instrumentalizuar të ‘anti-kolonializmit’ për të ndjekur qëllimet politike të krahut të djathtë. Për ironi, Britania e Madhe, partneri ekonomik i Azerbajxhanit, kompanitë e të cilës ndihmuan Azerbajxhanin të fitonte Luftën e Dytë të Nagorni-Karabakut, ishte  ndër vendet e ftuara në konferencën e ‘neokolonializmit'”, shkroi Samadov.

Ndërkohë, presidenti Ilham Aliyev, në një intervistë me mediat lokale më 10 janar 2024, akuzoi Francën për nxitje të tensioneve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit duke ofruar trajnime dhe pajisje ushtarake për Armeninë. Presidenti paralajmëroi se kjo vetëm do të përshkallëzonte tensionet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke u zotuar për të vazhduar investimin në rritjen ushtarake të Azerbajxhanit si masë parandaluese.

Por vala e fundit kërcënimeve nuk erdhi papritmas. Kjo pason tensionet e vazhdueshme midis dy vendeve. Në tetor 2022, senati francez miratoi një rezolutë që bën thirrje për sanksione kundër Azerbajxhanit dhe tërheqjen e tij të menjëhershme nga territori armen. Rezoluta dënon gjithashtu Azerbajxhanin për agresionin e tij kundër Armenisë në shtator 2022, i cili la qindra të vrarë, thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Sipas raportimit të OC Media, menjëherë pas rezolutës, e cila nuk e detyronte ligjërisht qeverinë franceze të vepronte, Bakuja u tërbua dhe thirri të ngarkuarin me punë të Francës Julien Le Lan, duke i dhënë atij një notë proteste. Ndjenja të tjera kundër Francës u shfaqën në televizionin publik, me një kor fëmijësh që këndonte një këngë që fyente presidentin francez Emmanuel Macron.

Në nëntor 2022, parlamenti i Azerbajxhanit miratoi një deklaratë kritike ndaj rezolutës, duke kërkuar ngrirjen e aseteve të zyrtarëve francezë dhe rishqyrtimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me kompanitë franceze të energjisë. Deklarata më kritike u bënë nga ligjvënësit azerë gjatë debatit parlamentar. Këto deklarata përfshinin ndërprerjen e furnizimit me gaz të Francës, shpalljen e vendit armik dhe tërheqjen e ambasadorit të Azerbajxhanit në Francë, sipas OC Media.

Në të njëjtin muaj që ligjvënësit e Azerbajxhanit miratuan deklaratën, zonja e parë dhe zëvendëspresidentja, Mehriban Aliyeva, njoftoi se do të linte postin e saj si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO. Aliyevas ju dha titulli në vitin 2004 gjatë një vizite në Francë me bashkëshortin e saj, Ilham Aliyev, i cili u zgjodh rishtas si president i Azerbajxhanit, në ato që vëzhguesit ndërkombëtarë i përshkruan si zgjedhje të manipuluara.

Tensionet e fundit madje arritën në qytetin francez Evian-les-Bains, ku një statujë kushtuar poetes së nderuar azere të shekullit të 19-të Khurshudban Natavan u vandalizua. Sipas raportimeve, statuja “u lag me lëng të kuq dhe ju thye hunda. Autoritetet mbuluan monumentin për ta mbrojtur atë.” Azerët që jetojnë atje organizuan një tubim, duke dënuar aktin e vandalizmit. Statuja gjendet në parkun që u përurua në vitin 2017, si një gjest miqësie dhe bashkëpunimi mes qyteteve Évian-les-Bains dhe Ismayilli të Azerbajxhanit, një nismë e Fondacionit Heydar Aliyev, raporton Azernews.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.