Astronauti i parë turk shkon në hapësirë

Tre… dy… një… ndezje! Dyzet e katër vjeçari Alper Gezeravci është astronauti i parë turk që udhëton në hapësirë. Duke ju bashkuar astronautëve suedezë, italianë dhe spanjollë në bordin e anijes kozmike AX-3 të ofruar nga kompania private Axiom Space, ekuipazhi la Tokën më 18 janar, në 16:49 sipas orës lokale. Ky është fluturimi i tretë i kompanisë në kuadër të bashkëpunimit me NASA-n. Misioni, i planifikuar fillimisht të niste më 17 janar nga Qendra Hapësinore e NASA-s Kennedy në Florida, u shty për 24 orë, për të të bërë kontrolle shtesë të sistemeve:

Përditësim: Nisja e Misionit Axiom 3 në @Space_Station është planifikuar për në orën 16:49 të enjten, më 18 janar, nga Kompleksi Launch 39A.

Pas vonesës, anija u lëshua me sukses. Ekuipazhi bëri kontrollin e parë pas nisjes, me komandantin e Ax-3, Michael Lopes-Alegria që konfirmoi se çdo gjë po shkonte mirë.

Axiom kreu fluturimin e parë komercial të astronautëve në hapësirë ​​në prill 2022. Në faqen e internetit, kompania tregon me krenari, se u ofron klientëve “mundësinë për të shkuar në hapësirë, për të përmbushur qëllimet personale të natyrës filozofike, filantropike, shkencore ose tregtare — dhe kontribuon në hapjen e një kapitulli të ri në historinë njerëzore.”

Ekuipazhi pritet të ankorohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) më 20 janar, pas një udhëtimi prej 34 orësh e 20 minutash dhe do të kalojë dy javë në bordin e ISS duke kryer kërkime dhe eksperimente shkencore. Sipas Space.com, “shumë nga kërkimet e ekuipazhit të Ax-3 do të fokusohen në efektet e fluturimeve afatgjata në hapësirë ​​dhe ato të mikrogravitetit në trupin e njeriut.”

Fluturimet e mëparshme hapësinore të Axiom kanë patur në bord biznesmenë dhe investitorë të pasur si dhe astronautë të mbështetur financiariaht nga qeveritë e vendeve të tyre. Megjithatë, ky fluturim është i pari ku të katër vendet janë blerë nga një qeveri apo agjenci kombëtare hapësinore, raporton CNN.

Alper Gezeravci u prezantua për herë të parë me publikun përpara zgjedhjeve të përgjithshme, në maj 2023. Njeriu i parë i Turqisë që udhëtoi në hapësirë ​​ka një diplomë nga Akademia e Forcave Ajrore në Stamboll dhe Instituti i Teknologjisë Wright-Patterson, në Ohajo. Një pilot luftarak, Gezeravci ka shërbyer në Forcat Ajrore Turke dhe ka 15 vjet përvojë me fluturimet.

Kur u paraqit Programi Kombëtar Hapësinor, Gezeravci ishte në mesin e 36,000 personave që aplikuan, raporton Gazete Duvar.

Odisea hapësinore e Turqisë: Një çështje e kushtueshme

Turqia themeloi agjencinë e saj hapësinore në 2018. Në vitin 2021, presidenti Recep Tayyip Erdoğan zbuloi planet për të zbritur në Hënë deri në vitin 2023. “Zbritja e parë do të bëhet në Hënë me raketën tonë kombëtare dhe autentike hibride që do të hidhet në orbitë në fund të vitit 2023 përmes bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Erdogan në atë kohë. Kjo nuk ndodhi dhe afati kohor u shty në 2026, por gjithashtu nuk e ndaloi presidentin e vendit të zbulonte një plan për të patur shtetas turq në bordin e ISS në maj 2022. Në të njëjtin vit, Turqia nënshkroi një marrëveshje me Axiom Space për të dërguar një astronaut turk në hapësirë ​​në vitin 2023, kur vendi festonte njëqindvjetorin e krijimit.

Por një vend në bordin ekskluziv ka një kosto të lartë. Me një tarifë mesatare për një natë prej rreth 35,000$ (një çmim që del nga ajo që NASA u kërkon kompanive si Axiom), udhëtimi në total kushton 55 milionë$ për person, sipas disa vlerësimeve. Vetë Axiom nuk e zbulon koston e saktë. Por, në të kaluarën kompania konfirmoi se çmimi total për një vend në bordin e anijes arrin në 55 milionë$. Kjo është shuma që Axiom thuhet se po paguan SpaceX për të përdorur kapsulën e saj hapësinore Crew Dragon dhe raketën lëshuese Falcon 9.

Në një kohë kur vendi po përballet me inflacionin e lartë dhe zhvlerësimin e monedhës kombëtare, disa vunë në pikëpyetje vendimin e qeverisë për të dërguar Gezeravcin në hapësirë. Ekonomisti Mahvi Egilmez shkroi se një investim i përmasave të tilla nuk do të sjellë ndonjë përfitim për Turqinë, por do të sakrifikojë “investime shumë më të dobishme”.

Turqia po shkon gjithashtu drejt zgjedhjeve lokale të planifikuara për 31 mars. Gjasat që ky mision të përdoret si mjet fushate politike për Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet janë shumë të larta, shpjegoi gazetari Nevsin Mengu. Të tjerë, si gazetari Fatih Altayli, shpresojnë që udhëtimi i Gezeravcit me të gjitha shpenzimet në hapësirë ​​të japë më shumë fryte shkencërisht dhe të mos kthehet vetëm në një mjet propagande politike në duart e qeverisë.

Megjithatë, mund të jetë pak vonë për të shpresuar për këtë.

Në një video të shpërndarë në X (ish-Twitter), presidenti Erdoğan uroi turqit për këtë ditë historike. “Kombi im i dashur, të gjithë jemi dëshmitarë të një momenti historik së bashku. Po jetojmë një nga kohët kur krenaria jonë e përbashkët arrin kulmin”, tha ai. Presidenti Erdogan deklaroi gjithashtu se misioni duhet të shërbejë si frymëzim për “të rinjtë tanë që shohin horizontin me shkëlqimin në sytë e tyre”. Më herët, kur qeveria shpalli programin, duke folur për DW, anëtari i bordit të Agjencisë Hapësinore Turke, Lokman Kuzu tha se qëllimi kryesor ishte krijimi i mundësive për të mbajtur të rinjtë, inxhinierët dhe shkencëtarët në Turqi dhe për të frenuar fenomenin e rrjedhjes së trurit.

Por një program hapësinor mund të mos jetë i mjaftueshëm për të mbajtur të rinjtë në Turqi, mes ndarjeve të thelluara midis konservatorëve dhe laikëve, ndërhyrjeve në sistemin arsimor e kufizimeve në kulturë dhe art. Sipas një sondazhi të publikuar në qershor 2023 nga fondacioni politik gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS), rreth 63 për qind e të rinjve të anketuar treguan një interes për të lëvizur dhe jetuar jashtë vendit nëse u jepej mundësia. Një studim tjetër mbi mirëqenien e të rinjve në Turqi, i publikuar në prill 2023, përmendi vështirësitë financiare, mungesën e mundësive për punësim dhe arsimin jocilësor si disa nga shkaqet e pakënaqësisë së të rinjve.

Gezeravci ka më shumë shpresa se rinia turke e dëshpëruar. Në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu, ai tha se udhëtimi është “vetëm fillimi” i një rruge të gjatë që do të ndërtohet për brezat e ardhshëm në Turqi.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.