
Foto nga Arzu Geybullayeva
Në dhjetor 2023, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, udhëtoi në Hungari, ku u takua me kryeministrin Viktor Orban. Duke qenë se dhjetori është sezoni i festave, dy liderët shkëmbyen dhurata. Orban i dhuroi Erdoganit një kalë, ndërsa Erdogani i dhuroi një makinë turke – marrëveshja më e mirë që Orban bëri ndonjëherë, siç shkroi vetë kryeministri i Hungarisë në një postim në X (ish Twitter):
The best deal I’ve ever made! For one horse power, I got 435. Welcome to #Hungary President @RTErdogan ! 🇭🇺🇹🇷 pic.twitter.com/RVmEgHROGn
— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) December 18, 2023
Marrëveshja më e mirë që kam bërë ndonjëherë! Për një kalë fuqi, mora 435. Mirë se vini në #Hungari Presidenti @RTERdogan !
Shkëmbimi i dhuratave u kujtoi disave filmin “Barbie” të vitit të kaluar, ku kuajt “simbolizojnë mishërimin e maskulinitetit”, shkroi gazetari Ali Walker për Politico.
Të dy liderët ndajnë diçka më shumë se sa dashurinë e tyre për makina e kuaj. Erdogan dhe Orban kanë qenë kundërshtarë të ashpër të hyrjes së Suedisë në NATO dhe takimi, i cili u zhvillua më 19 dhjetor, mund ta ketë zgjidhur përfundimisht çështjen, sipas Turkey Recap.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Suedia dhe Finlanda njoftuan se donin të anëtarësoheshin në NATO. Megjithatë, vendimi, i cili duhet të miratohet nga të 30 vendet anëtare, hasi në veton nga Turqia, gjithashtu anëtare e NATO-s. Ankaraja tha vitin e kaluar se nëse të dyja vendet nuk përmbushin kërkesat e saj, ajo nuk do ta miratonte hyrjen, “duke përmendur strehimin e anëtarëve të grupeve militante kurde nga dy vendet dhe pezullimin nga Suedia të shitjeve të armëve në Turqi që nga viti 2019 për shkak të operacionit ushtarak të Ankarasë në Siri”, sipas The Guardian. Përveç Turqisë, edhe Hungaria vuri veton ndaj vendimit për anëtarësimin e dy vendeve në aleancë. Në shkurt 2023, Turqia u tërhoq nga pjesëmarrja në një takim në Bruksel midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, i cili kishte për qëllim të zgjidhte ngërçin diplomatik për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Pavarësisht kundërshtimit, Finlanda ju bashkua aleancës në prill 2023.
Turqia ishte kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO pas incidentit të djegies së Kuranit vitin e kaluar. Por grindja e Erdoganit me Suedinë shkon përtej asaj që lideri e përshkroi si “fyerje ndaj vlerave të shenjta të muslimanëve”. Ankaraja zyrtare ka edhe kërkesa të tjera për Suedinë, përfshirë ndalimin e demonstratave pro-kurde në Suedi dhe ekstradimin e individëve të ndryshëm që Turqia i etiketon si terroristë, shkruan gazetari Amberin Zaman.
Takimi mes kryeministrit Orban dhe presidentit Erdogan më 18 dhjetor 2023 u zhvillua me dyer të mbyllura. “Ata nuk e përmendën zgjerimin e NATO-s në një konferencë të përbashkët atë ditë, por qeveritë e tyre kanë mbajtur dy votat e fundit të nevojshme për të miratuar pranimin e Suedisë. Analistët besojnë se vizita mund të ketë përfshirë koordinimin nëse do të avanconte pranimi i Stokholmit,” shkroi gazetari Diego Cupolo.
Por disa ditë pas takimit, dukej sikur të dy liderët nuk bënë shumë përparim në arritjen e një marrëveshjeje për pranimin e Suedisë në NATO:
“There’s no Turkish-Hungarian agreement” on Sweden’s NATO accession, Orbán claims – days after Erdogan visited him in Budapest.
He adds that his MPs are not enthusiastic voting on the treaty because, after they approved Finland’s membership, Finland sued Hungary the next day.🤨 pic.twitter.com/VnWTUXdeeH
— Szabolcs Panyi (@panyiszabolcs) December 21, 2023
“Nuk ka marrëveshje turko-hungareze” për pranimin e Suedisë në NATO, pretendon Orbán – disa ditë pasi Erdogan e vizitoi në Budapest. Ai shton se deputetët nuk po votojnë me entuziazëm për traktatin, sepse pasi miratuan anëtarësimin e Finlandës, Finlanda paditi Hungarinë të nesërmen.
Përveç kalit, Orban gjithashtu premtoi mbështetje për udhëtimin pa viza të qytetarëve turq në Hungari, sipas raportimit nga platforma e lajmeve në internet, Gercek Gundem.
Dy liderët kanë edhe disa të përbashkëta të tjera. Si Orban ashtu edhe Erdoğan sundojnë vendet e tyre me një manual lojërash populiste autoritare dhe të dy shkëlqejnë në manipulimin e opinionit publik, duke heshtur zërat e pavarur dhe frikësuar kundërshtarët, duke ndërtuar lidhje të dobishme me elitat e biznesit dhe duke portretizuar qeveritë e tyre përkatëse si patriote të vërteta. Sipas Stephen Pogany, profesor në Universitetin e Warwick, këto pretendime nacionaliste janë “absurde dhe shqetësuese:”
Asnjë parti e vetme politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson vlerat e supozuara të një populli të tërë ose të ketë monopol mbi patriotizmin. Megjithatë, në përpjekje për të rrënjosur epërsinë e tyre politike, regjimet autoritare-populiste në Ankara dhe Budapest kanë krijuar politika të gjera për të ribërë kombin, sipas vizionit të tyre.
Si vuri në dukje Oliver Hartwich në këtë rubrikë, megjithëse të dy vendet janë 1,400 kilometra larg njëri-tjetrit, “për sa i përket populizmit dhe antiliberalizmit, Erdogan dhe Orban janë fqinjë të ngushtë”.
Pas raundit të parë të zgjedhjeve në maj 2023, Orban ishte ndër liderët e parë që uroi para kohe presidentin Erdogan për sigurimin e fitores:
I just called President @RTErdogan to congratulate him on his overwhelming victory in the first round of the presidential elections, and the outstanding and unquestionable victory of @Akparti at the recent Turkish parliamentary elections. Good luck for the second round,… pic.twitter.com/W1ayxB6yBq
— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) May 17, 2023
Sapo telefonova presidentin @RTERdogan për ta uruar për fitoren e tij dërrmuese në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe fitoren e jashtëzakonshme dhe të padiskutueshme të @Akparti në zgjedhjet e fundit parlamentare turke. Suksese ne raundin e dyte
Orban tha më vonë në një program të radios shtetërore: “Me rizgjedhjen e zotit Erdogan, një barrë e madhe u hoq nga supet tona. Ne uruam që Erdogan të rizgjidhet, por sinqerisht, faleminderit Zotit, Erdogan fitoi. Jam lutur shumë që ai të fitonte.”
Për momentin, një nga dallimet e pakta midis dy vendeve është renditja e tyre në indekset globale të lirisë. Ndërsa Hungaria renditet “pjesërisht e lirë” nga Freedom House, Turqia konsiderohet si “jo e lirë”.