Bjellorusët që kthehen nga emigrimi përballen me burgun

Foto nga kanali propagandistik i Bjellorusisë në YouTube me intervistën e Tatiana Sobol, e cila u kthye nga jashtë dhe është në pritje të gjyqit. Përdorim i drejtë.

Organizata e mbrojtësve të të drejtave të njeriut Viasna, thotë se të paktën 207 persona u arrestuan pasi kaluan kufirin e Bjellorusisë në vitin 2023. Përveç bjellorusëve kishte edhe shtetas të Ukrainës, Lituanisë dhe Rusisë. Pothuajse të gjithë të arrestuarit u dënuan me gjobë dhe 24 orë në paraburgim. Të paktën 18 prej tyre u dënuan sipas neneve penale, 12 prej të cilëve u burgosën. Viasna ka mbledhur në faqen e internetit të gjitha informacionet në lidhje me persekutimin e njerëzve që kthehen në Bjellorusi nga jashtë.

Arsyet e persekutimit mund të përfshijnë fotografi nga protestat e vitit 2020, donacione, komente në rrjetet sociale, ripostime “ekstremiste”, foto me simbolikë të bardhë-kuqe-bardhë, të cilat gjenden në telefonë dhe rrjete sociale, madje edhe foto nga aksionet e solidaritetit jashtë vendit. Këto janë zbuluar nga forcat e rendit në rrjetet sociale gjatë kontrolleve të telefonëve në kufi, thonë mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Lexo më shumë: Në pamundësi për të rinovuar pasaportat jashtë vendit, bjellorusët në mërgim mbeten në harresë

Si raporton Viasna, dihet se njerëzit më së shpeshti ndalohen pas kthimit nga Lituania, por kontrolle dhe ndalime kryhen në të gjitha pikat kufitare funksionale, përfshirë kufirin me Rusinë. Forcat e sigurisë zbresin njerëzit nga autobusët, i ndalojnë në stacionet e autobusëve dhe trenit ose shkojnë në shtëpitë e tyre pasi janë kthyer.

Sipas Viasna, vitin e kaluar, udhëheqësi autoritar bjellorus Aleksander Llukashenko njoftoi krijimin e një komisioni për të punuar me emigrantët bjellorusë, që do t'i informonte ata për mundësinë e kthimit në Bjellorusi, pa përfunduar në burg. Mesa duket, komisioni do të shqyrtonte me kujdes secilin prej aplikantëve për të parandaluar hyrjen e “ekstremistëve dhe terroristëve” në Bjellorusi. Komisioni ndërpreu veprimtarinë e tij në fund të vitit 2023.

Një program tjetër, i quajtur “Rruga për në shtëpi” u krijua nga forcat bjelloruse të sigurisë, raporton Viasna  në fund të vitit 2021. Ai supozohet se “po i lejonte ata që u larguan të ktheheshin pa pasoja”. Sidoqoftë, disa kushte u vendosën për bjellorusët, sipas të cilave ata mund ta bënin këtë. Ky program funksionoi deri në fund të vitit 2022.

Por aktivistët e të drejtave të njeriut nga Viasna thonë se janë të vetëdijshëm për të paktën tre raste ku, pavarësisht “marrëveshjeve”, kanë nisur çështje penale kundër njerëzve që u besuan autoriteteve dhe u kthyen në Bjellorusi.

Për shembull, administratorja e bisedave të protestuesve, Tatyana Kurilina, përfitoi nga programi “Rruga në shtëpi”. Por ajo u dënua me katër vjet e gjysmë burg, sipas 12 neneve të kodit penal.

Në nëntor 2023, 30-vjeçari Igor Nemirovich, i cili u kthye në Bjellorusi përmes një kërkese në “komisionin e kthimit”, u dënua me një vit burg për fyerje të Llukashenkos, raporton Viasna.

Në dhjetor 2023, propaganduesit publikuan një intervistë me Tatyana Sobol, e cila thuhet se gjithashtu u kthye në Bjellorusi përmes “komisionit”. Gruaja u detyrua të fliste se sa e keqe ishte jeta e saj jashtë vendit dhe se si ajo, “e ndikuar” nga të tjerët, mori pjesë në protestat e vitit 2020. Sobol tani është në pritje të gjyqit në Bjellorusi.

Viasna publikon gjithashtu informacion të detajuar në faqen e internetit për secilin prej rasteve kur njerëzit janë kthyer në Bjellorusi dhe përfunduan në burg. Ata dënohen me burg për dërgimin e mesazheve në chat ose përpjekjen për të dhuruar 16 dollarë për bjellorusët që luftojnë për Ukrainën (transaksioni as nuk ishte kryer).

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.