Përveç marrëveshjeve në hije, s'ka rezultate të dukshme në marrëdhëniet ekonomike Bjellorusi-Zimbabve

Bjellorusia dhe Zimbabve nënshkruan disa marrëveshje. Foto nga videoja në YouTube nga kanali ONT (kanali është i sponsorizuar nga qeveria bjelloruse). Përdorim i drejtë.

Në fillim të vitit 2023, udhëheqësi i Bjellorusisë, Alyaksandr Llukashenko, (i cili është president i Bjellorusisë që nga krijimi i instituciont më 20 korrik 1994) përqafoi dhe promovoi marrëdhëniet e vendit me Zimbabven. Ai shkoi në vendin afrikan në një vizitë shtetërore tre-ditore dhe premtoi zhvillimin e bashkëpunimit, duke i ofruar qeverisë më shumë traktorë dhe autokombajna, si pjesë e një programi të modernizimiz të fermave, i cili kushtoi rreth 66 milionë dollarë.

Pasi Llukashenko u kthye në Minsk, kryeqyteti i Bjellorusisë, u njoftua se si rezultat i vizitës në Zimbabve, u finalizuan kontratat me vlerë 200 milionë dollarë. Siç shpjegon organi i pavarur mediatik bjellorus UDF (Unitet, Demokraci, Liri), asgjë nuk kishte ndryshuar shumë që nga janari 2023 në lidhje me marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve.

UDF përshkroi një afat kohor të vizitave zyrtare dhe dokumenteve që nënshkruheshin pothuajse çdo muaj. Në mars 2023, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Ndërkombëtare të Zimbabves, Frederick Shava vizitoi Minskun, ku takoi Llukashenkon.

Në prill, Zonja e Parë e Zimbabves, Auxillia Mnangagwa shkoi gjithashtu në Minsk. Qëllimi zyrtar i vizitës supozohet se bazohej në interesin për sistemin e kujdesit shëndetësor bjellorus, ndihmën për fëmijët dhe prodhimin e ushqimit për fëmijë. Media e pavarur e Zimbabves kritikoi vizitën,  duke thënë se nuk ishte brenda dispozitave të ligjit të Zimbabves, që bashkëshortja e presidentit të kryente vizita shtetërore.

Ata përmendën gjithashtu se ajo shoqërohej nga biznesmeni ‘kontrovers’ Aleksander Zingman, i cili u emërua konsull nderi i Zimbabves nga presidenti Emmerson Mnangagwa në 2019 dhe u përshkrua nga gazetarët që hetonin Pandora Papers ( 11.9 milionë dokumente të rrjedhura që publikoi Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues, duke filluar nga 3 tetori 2021) si një nga bashkëpronarët e një sipërmarrjeje, që nxirrte ar në Zimbabve nën një marrëveshje të dyshimtë.

Llukashenko në takim me zonjën e parë të Zimbabves. Foto e videos në YouTube nga kanali i radios “Pervyi natsionallyi Belorusskogo” (kanali sponsorizohet nga qeveria bjelloruse). Përdorim i drejtë.

Kur u takua me Llukashenkon, zonja e parë e Zimbabves e quajti atë jo vetëm “babai i vendit, por edhe nëna. Në gusht 2023, ambasadori i sapoemëruar i Zimbabves në Bjellorusi, Ignatius Graham, mbërriti në Minsk.

Edhe pas finalizimit të marrëveshjeve në fillim të vitit, zyrtarët kanë nënshkruar një sërë dokumentesh, duke përfshirë një direktivë nga Llukashenko për të ngritur një komision të përbashkët bashkëpunues në maj 2023, firmosjen nga ministrat e arsimit të planit strategjik për arsimin e lartë dhe shkencën nga 2023-2025 dhe miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të një pakti midis Bjellorusisë dhe Zimbabves për të parandaluar taksimin e dyfishtë.

Megjithatë, siç thekson UDF, nuk u pa asnjë rezultat praktik nga të gjitha këto marrëveshje. Në burime të hapura, i vetmi informacion i disponueshëm është një mesazh nga gushti 2023: agjencia shtetërore e lajmeve BelTA raportoi se 3,575 traktorë janë planifikuar për t'u dorëzuar në Zimbabve midis 2023-2024 dhe dërgesa e tyre tashmë ka filluar. Nga këto të dhëna, rezulton se që nga fillimi i vitit, ka pasur pak progres në këtë çështje. Më herët, Llukashenko kishte njoftuar se Bjellorusia do të sigurojë 3700 traktorë.

Disa muaj më parë, Bjellorusia i dhuroi Zimbabves 23 automjete zjarrfikëse.

UDF citon kryeministrin bjellorus Roman Golovchenko duke thënë se në marrëdhëniet e tregtisë së jashtme me vendet afrikane, “kapitali i akumuluar politik ende nuk është shndërruar në mënyrë adekuate në projekte të suksesshme tregtare dhe ekonomike”.

Kështu, raporton UDF, pothuajse e vetmja gjë që pala bjelloruse mundi të merrte gjatë vitit të kaluar ishte një luan me pellush, dhuruar Llukashenkos gjatë vizitës në vendin afrikan.

Një dhuratë për Llukashenkon në Zimbabve – luan pellushi. Foto e videos së YouTube nga kanali RBR Info. Përdorim i drejtë.

Siç thekson UDF, përpjekjet e Llukashenkos për të krijuar bashkëpunim me Zimbabven mund të shpjegohen me dy arsye të mundshme: ose lëvizje për të anashkaluar sanksionet perëndimore ose një përpjekje për të ndërtuar një skemë korrupsioni nën maskën e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Megjithatë, situata duket se do të zhvillohet më tej. Mediat e pavarura bjelloruse dhe afrikane vunë re se i dërguari special i Llukashenkos, Viktor Sheimanre, vizitoi së fundmi Zimbabven, ku u takua me kreun e vendit Mnangagwa dhe ministrin e Jashtëm Shava, më 30 tetor 2023. Siç raportoi The Zimbabwean, mbërritja e gjeneralit të ushtrisë bjelloruse Viktor Sheiman ka ngjallur shqetësime. Sheiman, i përballur me sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ka udhëtuar në Zimbabve më parë për të diskutuar modalitetet e biznesit privat në vitin 2018.

Thuhet se gjatë asaj periudhe, ai ndërmjetësoi marrëveshje biznesi në emër të qeverisë bjelloruse, duke përfshirë planet për të nxjerrë minerale si ari, platini dhe metale të rralla përmes një projekti bashkëpunimi. Megjithatë, dalja e mëvonshme e dokumenteve Pandora zbuloi se në vend të kësaj, kompania e minierave të arit ishte në pronësi të djalit të Sheiman, Sergei dhe biznesmenit bjellorus Alexander Zingman.

Viktor Sheiman ka qenë një mbështetës i palëkundur i diktatorit bjellorus Alyaksandr Llukashenko për shumë vite. Ai është sanksionuar nga BE dhe SHBA në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe zhdukjen e kritikëve të Llukashenkos para dhe gjatë ushtrimit të detyrës si prokuror i përgjithshëm i Bjellorusisë në 2004.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.