Dy ekipe futbolli të Turqisë nxisin debate në publik

Foto nga Arzu Geybullayeva

Të gjithë sytë ishin te dy skuadrat më të mëdha të futbollit të Turqisë, Galatasaray dhe Fenerbahce më 29 dhjetor 2023, që do të luanin në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, finalen e Superkupës. Vendimi i Federatës së Futbollit të Turqisë për të zhvilluar takimin në fushë të huaj u kritikua ashpër nga tifozët, politikanët dhe publiku i gjerë, teksa vendi shënoi njëqindvjetorin e krijimit.

Megjithatë, mosmarrëveshjet mes presidentëve të ekipeve të futbollit, federatës turke dhe autoriteteve saudite për uniformat, pankartat, himnin kombëtar dhe flamurin e Turqisë, sollën anulimin e ndeshjes. Ndërsa tifozët vërshuan në dy aeroportet e Stambollit për të përshëndetur lojtarët, incidenti ngjalli një debat publik në ditët në vijim.

Lidhjet mes Arabisë Saudite dhe Turqisë

Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë në krizë që nga protestat e Pranverës Arabe nga 2010-2012, sipas Hamdullah Baycar, që studion për doktoraturë në Institutin e Studimeve Arabe dhe Islame në Universitetin e Exeter. Dy vendet mbështetën palët kundërshtare në Egjipt; Turqia përkrahu presidentin Mohamed Morsi, ndërsa Arabia Saudite ushtrinë egjiptiane që e rrëzoi atë. Më pas, gjatë krizës diplomatike të Gjirit në 2017 dhe që zgjati për 43 muaj, ku Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti që ndërprenë lidhjet me Katarin në vitin 2017, Turqia mbështeti këtë të fundit. Pati një sërë zhvillimesh të tjera politike që i mbajtën larg dy vendet.

Në 2018, Arabia Saudite dhe Turqia u bënë tituj ndërkombëtarë të mediave, kur gazetari disident saudit dhe editorialisti i Washington Post Jama Khashoggi u vra brutalisht në konsullatën saudite. Ndërsa në fillim, autoritetet në Turqi u zotuan të hetonin vrasjen dhe marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan më tej, ekonomia e vështirë e Turqisë dhe vendimi për t'i dhënë fund izolimit të saj rajonal morën goditjen e radhës.

Në prill të 2022, presidenti Recep Tayyip Erdoğan udhëtoi në Arabinë Saudite për herë të parë pas vrasjes së Khashoggi në një vizitë dy-ditore, duke kërkuar të përmirësojë lidhjet. Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga zyra e presidentit thuhet se “do të shqyrtohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Arabisë Saudite dhe do të diskutohen hapat që synojnë rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve”.  

Në të njëjtin vit që Erdogan udhëtoi për në Arabinë Saudite, Turqia pezulloi gjyqin në mungesë të 26 shtetasve sauditë, të cilët dyshoheshin se ishin të përfshirë në vrasjen e Khashoggi. Në qershor 2022, vetëm pak muaj pas vizitës së presidentit, një delegacion saudit mbërriti në Turqi. Që atëherë, të dy vendet kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve.

Diplomacia e futbollit

Që sportet përdoren si fuqi e butë në politikë nuk është lajm. Studiues të ndryshëm kanë argumentuar se si futbolli është bërë një mjet në diplomacinë publike moderne. Në vitin 2021, gjatë fjalimit të tij në një aktivitet të organizuar nga Këshilli i Evropës në Lisbonë, shefi i FIFA-s, Gianni Infantino tha: “diplomacia sportive”, megjithëse një term i ri, “përshkruan një praktikë të vjetër: përdorimin e sportit për të realizuar qëllimet e politikës dhe ndihmon në sjelljen e ndryshimeve pozitive sociale.”

Por jo gjithmonë shkon mirë. Të paktën kështu ndodhi më 29 dhjetor, në Riad, kur asnjë skuadër turke nuk arriti në stadium, mes një debati për simbolet kombëtare të Turqisë. Megjithëse Federata Turke e Futbollit u përpoq të minimizonte incidentin, duke e përshkruar çështjen si “disa probleme në organizimin e ndeshjes”, ishte shumë më tepër se kaq.

Ndërsa raportimet nga platformat mediatike të Turqisë dhe deklaratat e presidentëve të klubeve filluan të dalin më 29 dhjetor, u bë e qartë se mosmarrëveshja filloi me mosmiratimin e fanellave të lojtarëve nga Federata Saudite e Futbollit. Lojtarët e ekipit të Galatasaray planifikonin të vishnin fanella me imazhin e Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të Turqisë, në shenjë mirënjohjeje të 100 vjetorit të themelimit të Turqisë. Lojtarët planifikonin t'i mbanin këto gjatë ndeshjes përgatitore. Ndërkohë, skuadra e Fenerbahçes donte të shpaloste banderolën me një thënie të famshme të Ataturkut: “Paqe në shtëpi, paqe në botë”, të cilën Federata Saudite thuhet se nuk e miratoi.

Gjithashtu u raportua se zyrtarët sauditë refuzuan himnin kombëtar të Turqisë dhe ndaluan çdo shfaqje të flamujve turq. Në një deklaratë, qeveria saudite e kundërshtoi këtë duke thënë: “U ra dakord që të luhet himni kombëtar i Republikës së Turqisë, së bashku me shfaqjen e flamurit të Turqisë brenda stadiumit dhe në tribuna, për shkak të vlerësimit që ne kemi për Republikën e Turqisë.”

Në hotelin ku po qëndronin lojtarët u zhvillua një takim prej disa orësh mes presidentëve të klubeve dhe dy federatave, por që nuk nuk dha ndonjë rezultat.

Pati raportime se policia lokale kontrolloi përpara ndeshjes dhomat e zhveshjes së lojtarëve për banderola ​​dhe fanella me imazhin e Ataturkut.

Kur tifozët turq në stadium u ngritën në këmbë dhe filluan të këndonin himnin kombëtar, organizatorët vunë muzikë të lartë.

Shumë persona vërshuan në rrjetet sociale, duke kërkuar që shefi i Federatës së Futbollit të Turqisë, Mehmet Buyukeski, të japë dorëheqjen. #TFFIstifa (TFF dorëheqja) ishte trend në X (i njohur më parë si Twitter), natën e 29 dhjetorit.

Si kundërpërgjigje, sportistë të njohur shpërndanë fotografitë e tyre me fanella me imazhin e Ataturkut. Fakti që skuadrave ju ndalua të vishnin fanellat e tyre dhe më pas ndeshja u anulua, u mor si shenjë mosrespektimi nga turqit.

“Pra, nëse jeni turk, jeni ulur përreth, duke pirë çaj të shtunën pasdite dhe lajmi në telefonin tuaj është ky: sauditët po e ndalojnë Ataturkun nga një ngjarje e madhe sportive turke. Ferri shpërtheu. Sepse, sigurisht, ndodhi”, shkroi studiuesi turk Selim Koru, autor i Kültürkampf, një blog mbi kulturën politike turke.

Në Ankara, sipas kryebashkiakut Mansur Yavas, postera të Ataturkut dhe flamujt e Turqisë u varën në rrugën e ambasadës së Arabisë Saudite.

Kryebashkiaku i Stambollit ftoi të gjithë banorët të mblidhen në lagjen Beshiktash, që mban emrin e ekipit të tretë më të madh të futbollit në vend, me flamuj kombëtarë, fotografitë e Ataturkut dhe pankartat e futbollit. Gjatë ceremonisë së hapjes së sheshit Barbaros, kryebashkiaku sugjeroi gjithashtu se kupa duhet të ndahet në dysh dhe t'u dhurohet muzeumeve të dy ekipeve.

Kryetarja e partisë opozitare IYI, Meral Aksener, bëri thirrje që të shpallen kampione të dyja skuadrat në qëndrimin e tyre.

Ndërkohë, presidenti Erdğoan sulmoi partitë opozitare për “shfrytëzim” të dështimit të lojës së futbollit. “Ne shohim që deklaratat e partive opozitare nga mbrëmë janë shembujt e fundit të shfrytëzimit politik”, tha presidenti më 30 dhjetor.

Ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç shtoi se ka nisur një hetim ndaj disa llogarive në rrjetet sociale për ndarjen e postimeve provokuese dhe kriminale. Sipas raportimeve, të paktën një person është arrestuar deri më tani në kuadër të hetimeve.

Drejtoria e Komunikimit e Turqisë lëshoi ​​gjithashtu një deklaratë më 30 dhjetor, duke paralajmëruar qytetarët për “një fushatë dezinformuese nga grupe të caktuara që minojnë vlerat dhe ndjeshmëritë e përbashkëta të kombit tonë”.

Vendimi për të zhvilluar ndeshjen në Arabinë Saudite u mor me të vetmin qëllim, për të gjeneruar të ardhura shtesë për dy klubet dhe se vendimi është miratuar nga klubet dhe Federata. Në total, të dy klubet do të paguheshin rreth 4 milionë dollarë për ndeshjen.

Në përgjithësi, lidhjet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite mbeten të paprekura, shkroi Barin Kayaoglu, profesor i asociuar i historisë dhe anëtar jorezident në Iniciativën e Parashikimit Strategjik në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.