Fotolajm: Furnizime, tenxhere dhe dru zjarri

Turmat në pritje të ushqimit. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Ky artikull i shkruar nga Mustafa Darweesh Abu Batnain, fillimisht u botua nga We Are Not Numbers, më 6 janar 2024. Vendndodhjet e sakta të lagjeve të përmendura në artikull u hoqën qëllimisht për arsye sigurie. Megjithatë, ngjarjet zhvillohen kryesisht në qytetin e Khan Younis, i cili ka përjetuar bombardime të pamëshirshme për më shumë se një javë. Rrëfimi ështl i paredaktuar, pasi nuk mundëm të kontaktonim autorin për të dhënë pëlqimin për ndonjë modifikim. Artikulli publikohet si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Brenda një jave pasi filloi bombardimi i Gazës, u detyrova të evakuoja familjen në Khan Younis. Shkova në shtëpinë e mikut tim, ku qëndrova për një muaj. Gjatë kësaj kohe, ai propozoi idenë e shpërndarjes së ushqimit për njerëzit e zhvendosur dhe që kishin humbur çdo burim të ardhurash. Ai më sugjeroi që të ndiqja shembullin e luftërave të mëparshme kur kisha dalë vullnetarisht për të ndihmuar të zhvendosurit, të lënduarit dhe njerëzit në strehimore. Bashkë me tre persona të tjerë, përfshirë vjehrrin e mikut tim, diskutuam idenë e ushqyerjes së njerëzve të zhvendosur.

Ideja ishte të mblidheshin para nga disa fqinjë të pasur dhe donacione nga kushdo që mund të ofronte diçka, për të na ndihmuar të gatuanim. Vjehrri i shokut tim është kuzhinier dhe ka shumë mjete gatimi. Unë nuk jam kuzhinier; roli im është si organizator. Blemë dru për të ndezur një zjarr për gatimin. Blemë edhe oriz, salcë, erëza, kripë dhe çdo gjë tjetër që nevojitet. Vendosëm që ditën e parë ta provonim duke gatuar një tenxhere të madhe gjelle. Gjetëm një shtëpi të vjetër me një oborr të madh. Ne shkuam nëpër shtëpitë ku po qëndronin të zhvendosurit dhe u thamë që të vinin me tenxhere, lugë e pirunj pasdite për ushqim.

Fëmijë mbajnë tenxhere. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Dita e parë shkoi mirë. Kemi ushqyer afërsisht 20 familje, por për shkak të rritjes së numrit të të shpërngulurve, kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ditën e dytë mundëm të rrisnim sasinë e ushqimit, por u përballëm edhe me problemin e parave. Nuk na mjaftonin për të vazhduar punën. Nëpërmjet eksperiencave të mia për aksionet e bamirësisë, njoh donatorë nga vende të huaja dhe vendas. Unë propozova idenë dhe mblodha fotografi për tua dërguar donatorëve, në mënyrë që ata të na ndihmojnë të vazhdojmë punën për të ushqyer të zhvendosurit. Ata e mirëpritën idenë dhe dhuruan disa fonde. Gjithashtu vinin njerëz të lagjes dhe na ndihmonin. Ata dhuruan para dhe kontribuonin në punë. Shumica e produkteve ushqimore ishin në dispozicion në fillim të luftës. Blemë fasule, oriz, bizele të ngrira dhe bamje si dhe patëllxhanë e kunguj.

Qërimi i patëllxhanëve. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Kemi punuar 25 ditë rresht. Më pas, zona ku ndodheshim ishte e rrezikshme. U detyruam të iknim, duke ndërprerë shpërndarjen e ushqimeve. U zhvendosa në zonën ku jeton familja ime dhe qëndrova dy ditë, por në afërsi të shtëpisë shpërtheu një bombë. Kështu që u zhvendosa përsëri, në shtëpinë e parë.

Një ditë u takova me një mikun tim që punon në një organizatë bamirësie. I paraqita idenë e shpërndarjes së ushqimit dhe i tregova disa foto dhe video. Ai na nxiti të rifillojmë projektin dhe premtoi mbështetjen financiare nga shoqata e tij. Kjo na mundësoi të blinim enë gatimi dhe gjëra të tjera të nevojshme dhe të fillonim përsëri në lagjen time. Shoku im bëri pazarin në treg.

Por ndërsa lufta vazhdon, është e vështirë të gjesh perime. Prodhimet në treg tani të pakta dhe çmimet janë dyfishuar. Kemi filluar të gatuajmë shumë thjerrëza, kur i gjejmë dhe patëllxhan. Shoqata bamirëse që financon shpërndarjen e ushqimit na sjell çdo të premte mish që e gatuajmë me oriz ose nganjëherë jarish, grurë të çarë. Ditët e fundit kemi filluar të gatuajmë pa kripë, pasi nuk gjendet në treg.

Përgatitja e pakove ushqimore. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Duhet të blejmë ujë për gatim, por edhe ai është i paktë, prandaj është shumë i shtrenjtë. Blejmë edhe drutë për zjarrin e gatimit. Disa njerëz mbledhin dru zjarri duke prerë pemët në copa të vogla dhe më pas duke i shitur ato. Kjo duket e pamoralshme, por njerëzit nuk kanë rrugë tjetër, për shkak të mungesës së karburantit.

Mbledhja e druve të zjarrit. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Zgjohemi shpejt pas agimit për të përgatitur ushqimin me ndihmën e të rinjve të lagjes, madje edhe të fëmijëve. Ndezin zjarret, qërojnë qepët, mbushin tenxheret me ujë dhe na ndihmojnë të pastrojmë. Mbushim tetë enë të mëdha. Dita-ditës shtohet numri i njerëzve që vijnë për ushqim. Ata mbërrijnë shumë herët dhe presin disa orë derisa ushqimi është gati. Shumë nga ata që vijnë janë fëmijë. Unë luaj me ta ndërsa presin dhe zhvilloj edhe gara, që shërbejnë si motivim dhe ofrojnë mbështetje psikologjike.

Fëmijët presin ushqimin. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Më pas, fëmijët dhe të gjithë të tjerët vihen në radhë. Por disa herë, njerëzit shtyhen për të marrë ushqim. Ndonjëherë, për fat të keq, thjesht nuk ka ushqim të mjaftueshëm edhe pse ne kemi arritur kapacitetin për të ushqyer rreth 200 familje në ditë.

Gatimi për lagjen. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Më pëlqen puna e bamirësisë dhe buzëqeshja në fytyrat e njerëzve, veçanërisht fëmijëve. Kjo punë më bën krenar për veten dhe më gëzon. Gjithashtu, jam i bindur se çfarë do të mbjellësh, do të korrësh. Një person ka nevojë për dikë që të kujdeset për të dhe t'i sigurojë gjërat elementare të jetës. Edhe unë do të arrij një fazë të caktuar në jetën time kur do të më duhet dikush që të kujdeset për mua.

Mustafa me fëmijët. Foto nga Mustafa Batnain, e përdorur me leje.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.