Afrika e Jugut dhe Izraeli përballen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. . Flickr. CC BY-NC-ND 2.0 VEED. 

Afrika e Jugut ka filluar një përballje ligjore historike në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) pasi akuzoi Izraelin për “gjenocid” gjatë luftës në Rripin e Gazës

Rasti është një nga tre që Izraeli po përballet në GJND dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJNP) për fushatën brutale kundër enklavës së rrethuar palestineze të Gazës.

Ofensiva e egër e Izraelit ka shënjestruar shkollat, spitalet dhe zonat e banuara dhe deri më tani ka vrarë të paktën 23,210 njerëz në Gaza, dy të tretat e tyre gra dhe fëmijë.

Ky artikull shqyrton çështjen e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në GJND dhe se çfarë do të ndodhë gjatë procedurave ligjore. 

Cili është ndryshimi midis GJND-së dhe GJNP-së?

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) shpesh ngatërrohet me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJND). GJND-ja, e quajtur edhe Gjykata Botërore, është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, i themeluar në vitin 1945 për të trajtuar mosmarrëveshjet midis shteteve.  

GJNP, gjithashtu në Hagë, trajton rastet e krimeve të luftës kundër individëve. 

Kolegji prej 15 gjyqtarësh i GJND-së - i cili do të ketë një gjyqtar shtesë nga secila palë në çështjen e Afrikës së Jugut kundër Izraelit – merret me mosmarrëveshjet kufitare dhe shumë çështje të ngritura nga shtetet që akuzojnë të tjerët për shkelje të detyrimeve të traktatit të OKB-së. Çdo gjyqtar zgjidhet për një mandat nëntëvjeçar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Këshilli i Sigurimit.  

Megjithatë, GJNP është e vetmja gjykatë penale ndërkombëtare e përhershme në botë dhe funksionon sipas një traktati ndërkombëtar i quajtur Statuti i Romës

Cili është pretendimi i paraqitur nga Afrika e Jugut?

Në dosjen prej 84 faqesh, Afrika e Jugut thotë se Izraeli po kryen gjenocid, duke vrarë palestinezët në Gaza, duke u shkaktuar atyre lëndime të rënda mendore dhe trupore dhe duke krijuar kushte të jetesës “që do të çojnë në dëmtimin e tyre fizik”.

Aty listohet dështimi i Izraelit për të siguruar ushqim thelbësor, ujë, ilaçe, karburant, strehim dhe ndihma të tjera humanitare për Rripin e Gazës gjatë luftës mbi tremujore. Gjithashtu tregohet për fushatën e vazhdueshme të bombardimeve që ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës, ka detyruar evakuimin e rreth 1.9 milionë palestinezëve dhe ka sjellë vdekjen e mbi 23,000 njerëzve, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. 

“Të gjitha aktet i atribuohen Izraelit, i cili ka dështuar në parandalimin e gjenocidit dhe po kryen gjenocid haptazi në shkelje të Konventës së Gjenocidit”, thuhet në dosje, duke shtuar se Izraeli nuk arriti të frenojë nxitjen për gjenocid nga zyrtarët e tij, gjithashtu në shkelje të konventës.  

Ndërsa gjykata vendos, Afrika e Jugut i ka kërkuar gjithashtu që të detyrojë Izraelin të ndalë shkeljet e supozuara.

Masa të tilla të përkohshme kanë për qëllim të parandalojnë përkeqësimin e situatës, derisa të shpallet vendimi përfundimtar. 

Çfarë është Konventa e Gjenocidit?

Traktati i parë për të drejtat e njeriut në historinë e OKB-së, Konventa për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit është ratifikuar nga 153 vende. Ai e përkufizon gjenocidin si “akt të kryer me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. 

Akte të tilla përfshijnë vrasjen e anëtarëve të çdo grupi të margjinalizuar, veprimet që u shkaktojnë atyre dëmtime të rënda trupore ose mendore, si dhe shkatërrimin e kushteve të tyre të jetesës. Kjo përfshin akte të tilla si pengimi për të lindur ose transferimi me forcë i fëmijëve në grupe të tjera. 

Të gjitha shtetet që kanë nënshkruar Konventën e Gjenocidit janë të detyruara jo vetëm të mos kryejnë kurrë këtë, por edhe ta parandalojnë dhe ndëshkojnë gjenocidin. 

Kur do të nisë shqyrtimi i çështjes?

Seancat do të zhvillohen në datat 11 dhe 12 janar.  

Afrika e Jugut dhe Izraeli do të kenë secili dy orë në ditë të veçanta për të paraqitur argumentet pro ose kundër masave emergjente. Nuk do të ketë dëshmi apo seanca marrjesh në pyetje. Prezantimi do të jetë kryesisht me argumente ligjore të sjella nga zyrtarë dhe ekipet e tyre të avokatëve ndërkombëtarë. 

Kërkesa për masa emergjente është hapi i parë në një rast që do të marrë disa vite për tu mbyllur. 

Gjykata nuk do të marrë një vendim përfundimtar mbi akuzat për gjenocid të Afrikës së Jugut deri në një seancë dëgjimore të çështjes në themel, e cila ka të ngjarë të zhvillohet pas disa vitesh. Meqenëse seancat e kësaj jave kanë të bëjnë vetëm me masat urgjente, mund të duhen vetëm javë ose muaj derisa të merret një vendim. 

Gjyqtarët e GJND shpesh japin masa të tilla, ku i kërkojnë shtetit të paditur që të përmbahet nga çdo veprim që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ligjore. 

Për masat e përkohshme, gjykata duhet të vendosë vetëm nëse në shikim të parë, ose prima facie, do të kishte juridiksion dhe aktet për të cilat ka akuza janë në objektin e traktatit të gjenocidit. Çdo masë që ajo vendosë nuk do të jetë domosdoshmërisht ajo që kërkohet nga paditësi. 

Cilat janë rezultatet e mundshme dhe çfarë do të ndodhë më pas? 

Vendimi i GJND-së është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet. Megjithatë, gjykata nuk mund të detyrojë zbatimin e vendimit. Edhe nëse gjykata vendos mosmarrjen e një masë të përkohshme, GJND-ja mund të theksojë se ka ende juridiksion dhe të vazhdojë me çështjen. 

Në rastin e Ukrainës, pavarësisht se GJND-ja urdhëroi Rusinë të ndalonte operacionet e saj ushtarake, pushtimi vijoi. 

Meqenëse është e paqartë se çfarë efektesh konkrete do të kishte një vendim i GJND-së kundër Izraelit, ai mund të kontribuojë në izolimin politik dhe ekonomik të vendit. 

Vendimi i Izraelit për të mbrojtur veten në gjykatën globale do të thotë se mund të paraqesë argumente ligjore që justifikojnë veprimet në Gaza.

Nga ana tjetër, taktika mund të sjellë gjithashtu një dënim të mëtejshëm ndërkombëtar të Izraelit, nëse humbet çështjen dhe shpallet fajtor për shkeljen e konventës së OKB-së për gjenocidin. 

Ndërkohë, Bolivia, së bashku me Afrikën e Jugut, Bangladeshin, Komoret dhe Xhibutin, i paraqitën më 17 nëntor Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale një kërkesë për të hetuar veçmas situatën në Palestinë.  

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.