Turqia ndalon aksesin në 16 ofrues të shërbimit VPN

Foto nga Arzu Geybullayeva

Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimeve (BTK) — mbikëqyrësi më i lartë i telekomunikacionit në Turqi — vendosi më 18 dhjetor ndalimin e aksesit për 16 ofrues të VPN. Ekspertët thonë se qëllimi është të parandalohet aksesi në faqet e internetit tashmë të bllokuara të lajmeve në vend që ishin të aksesueshme vetëm duke përdorur shërbimet VPN.

Vëzhguesit e pavarur që dokumentojnë censurën në rrjet thonë se në vite Turqia ka bllokuar qindra mijëra faqe interneti. Këtë vit, sipas raportit më të fundit të censurës së internetit nga Shoqata e Studimeve të Medias dhe Ligjit (MLSA), një organizatë që ofron mbështetje ligjore për gazetarët dhe individët që përballen me gjyq në rastet e lirisë së shprehjes, “qasje në të paktën 35,066 emra domain, 3,196 lajme artikuj, 2090 postime në mediat sociale dhe 184 llogari të mediave sociale u bllokuan në vitin 2022.

Turqia ka një histori dhe traditë të gjatë të bllokimit të përmbajtjes ose pengimit të aksesit në internet.

Përmbajtjet më të zakonshme që bllokohen janë lajmet për Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe familjen e tij si dhe individë dhe organizata të lidhura me qeverinë, partinë ose presidentin.

Në qershor 2023, Reuters publikoi një raport që implikonte Bilal Erdogan, 42 vjeç, djali i presidentit të Turqisë, në një skandal korrupsioni. Një ditë më pas, 47 postime, 45 lidhje lajmesh dhe një video në YouTube që shpërndau ose ripublikoi historinë u bllokuan për shkak të shkeljes së të drejtave personale. Drejtoria e Komunikimeve e cilësoi raportin si të pabazë dhe dezinformatë. Bilal Erdogan, përmes një avokati, e quajti artikullin “një rrjet gënjeshtrash”.

Një raport tjetër i publikuar më 14 dhjetor 2023, gjurmonte sesi autoritetet në Turqi bllokuan mijëra URL të Twitter në X. Përmbajtja e bllokuar përfshinte pretendime për parregullsi në lidhje me zyrtarët publikë. Ajo u bllokua për shkak të shkeljes së të drejtave personale, mbrojtjes së sigurisë kombëtare dhe rendit publik.

BTK mund të bllokojë faqet pa urdhër gjykate, sipas nenit 8A të ligjit famëkeq të  Internetit 5651. Neni i jep fuqi mbikëqyrësit të bllokojë aksesin në përmbajtje specifike kur ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, rendin publik, etj. Vendimi më i fundit është marrë në bazë të nenit 6, të të njëjtit ligj. Ky detyron ofruesit e shërbimeve të internetit të parandalojnë aksesin në faqet e internetit tashmë të bllokuara duke përdorur mjete alternative, shpjegoi Yaman Akdeniz, profesor i drejtësisë dhe themelues i Shoqatës për Lirinë e Shprehjes, në një intervistë të fundit me Zërin e Amerikës.

Akdeniz tha se ishte shqetësues fakti se ndalimi u aplikua vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve lokale të planifikuara në mars 2024, duke parashikuar se lista e VPN-ve të ndaluara ka të ngjarë të shtohet përpara votimeve. “Ndërsa i afrohemi zgjedhjeve lokale, mendoj se lista e këtyre shërbimeve VPN do të rritet. Sepse ka shumë shërbime të ndryshme VPN. Me sa kuptoj unë, objektivi për momentin [është bllokimi i aksesit në] shërbimet VPN të njohura në Turqi,” paralajmëroi Akdeniz në intervistën për Zërin e Amerikës.

Lista përfshin ofruesit e VPN si Proton, Surfshark, Psiphon, TunnelBear, Hotspot Shield dhe të tjerë.

Disa ofrues të VPN, që vunë re bllokimin, filluan të shpërndajnë mënyra që përdoruesit të anashkalojnë censurën, duke ofruar alternativa:

Përshëndetje! Fatkeqësisht, disa ISP në Turqi kohët e fundit kanë filluar të bllokojnë Proton Mail. Nëse keni një pajisje Android, mund të shkarkoni VPN-në tonë nga GitHub, identifikohuni me llogarinë tuaj Proton dhe lidheni me VPN për të hyrë në Proton Mail.

Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij 2023, Turqia renditet e 165-ta nga 180 vende ku “autoritarizmi po fiton terren, duke sfiduar pluralizmin mediatik” dhe “të gjitha mjetet e mundshme përdoren për të minuar kritikët”.

Në vitin 2000, qeveria ngriti Autoritetin e Telekomunikacionit “për të kryer funksionet rregullatore dhe mbikëqyrëse në sektorin e komunikimit elektronik”. Agjencia u ristrukturua në 2008, duke marrë një emër të ri: Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit. Ai operon në varësi të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.

Në vitin 2016, pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti, Turqia mbylli Departamentin e Telekomunikacionit dhe Komunikimeve (TİB) – censuruesi kryesor i internetit në Turqi – dhe ia dorëzoi të gjithë autoritetin BTK-së.

Pas tentativës së supozuar të grushtit të shtetit, autoritetet pohuan se “TİB u përdor si qendër për FETÖ [Organizata Terroriste Fetullah Gulen] për qëllime vëzhgimi dhe përgjimi”.

Si e tillë, me kompetencat e reja, BTK kaloi nga një organ rregullator në një operator me kompetenca mbikëqyrëse që përfshinte “autoritetin për të marrë çdo masë që e gjykon të nevojshme për të ruajtur ‘sigurinë kombëtare dhe rendin publik; parandalimin e krimit; mbrojtjen e shëndetit dhe moralit publik; ose mbrojtjen e të drejtave dhe lirive. Organi informon operatorët, ofruesit e aksesit, qendrat e të dhënave dhe të përmbajtjes për masat dhe këto të fundit më pas duhet të ndërmarrin veprime brenda dy orëve.”

Në Turqi, rreth  njëzet entitete kanë fuqinë për të censuruar përmbajtjen në internet dhe bllokimi i faqeve të lajmeve plotësisht ose pjesërisht është një praktikë e zakonshme. Turqia prezantoi ligjin famëkeq nr. 5651, i njohur ndryshe si Ligji i Internetit, në 2007. Ai u ndryshua në 2014, 2015 dhe 2020 dhe u mundëson autoriteteve të bllokojnë aksesin në uebsajte të ndryshme, URL-të individuale dhe në llogaritë në rrjetet sociale. 

Së fundmi, më 14 dhjetor 2023, BTK bllokoi domenin e ri të një uebsajti të njohur, Ekşi Sözlük (Fjalor i thartë), që funksionin nga bashkëpunimi i përdoruesve. Emri origjinal i domenit u bllokua në shkurt 2023.

Raporti i sivjetshëm Freedom on the Net, nga Freedom House, e renditi Turqinë si vend “jo të lirë”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.