Aktivistët politikë të Azerbajxhanit nën kërcënim

Foto nga Alex Shah

Shoqëria civile e Azerbajxhanit nuk e ka pasur kurrë të lehtë. Kostot kanë qenë gjithmonë të larta për ata që janë të gatshëm të flasin për çfarë besojnë – shpesh, nëse jo gjithmonë, duke i tejkaluar përfitimet. Çdo perspektivë për ndryshim politik është më e zymtë se kurrë. Një seri arrestimesh së fundi të gazetarëve dhe aktivistëve politikë dëshmon realitetin e rëndë në terren.

29-vjeçari Araz Aliyev, është një nga aktivistët e shënjestruar së fundmi. Mësues me profesion, Aliyev është gjithashtu një nga shtatë themeluesit e një nisme të re politike, Republika e Tretë. Platforma u krijua më 7 dhjetor 2023, datë që përkon me themelimin e Parlamentit të Azerbajxhanit. Ndër qëllimet e shumta është kalimi i Azerbajxhanit në një sistem politik modern demokratik, rivendosja e besimit në administratën publike e sistemin zgjedhor dhe eliminimi i korrupsionit.

Disa javë pas hapjes së platformës, Aliyev u zhduk më 23 dhjetor. Po atë ditë, Akif Gurbanov, i cili është zëdhënësi i platformës së sapoformuar, tha se edhe ai ishte ndjekur po atë ditë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Gurbanov tha se ishte duke ngrënë drekë përballë zyrës së tij, kur vuri re një grup burrash të veshur me rroba civile duke përdorur pajisje komunikimi me valë dhe duke e parë atë. Gurbanov tha se ai ishte në kontakt me Araz Aliyev atë ditë, derisa ky i fundit u largua nga zyra për një takim. Para se të zhdukej, Aliyev e informoi Gurbanovin se kishte arritur në destinacionin e tij dhe nuk kishte vërejtur ndonjë aktivitet të pazakontë.

As vendndodhja e Aliyev dhe as akuzat e mundshme me të cilat ai përballej nuk u bënë publike. Vetëm më 25 dhjetor Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se Aliyev u arrestua dhe u dënua me 25 ditë paraburgim administrativ me akuzën për huliganizëm dhe mosbindje ndaj policisë. Aliyev i hodhi poshtë këto akuza dhe tha se arrestimi lidhej drejtpërdrejt me përfshirjen në Republikën e Tretë. Aktivisti i ka thënë edhe avokatit Nemet Karimli, se më 23 dhjetor është futur me forcë në makinë pa dëshirën e tij, ku i është bërë presion. Më pas ai u dërgua në komisariat, ku u përball me kanosje.

Global Voices foli me Gulara Ismayilova, gruaja e Aliyev, për punën dhe karrierën në politikë të bashkëshortit të saj.

Vetë Ismayilova është një aktiviste feministe. E diplomuar për shkenca politike, Ismayilova ju bashkua hapësirës civile të Azerbajxhanit në vitin 2023. Ajo u takua me Alijevin në 2016 në një seancë stërvitore në kryeqytetin, Baku. Ismayilova u tërhoq nga shpirti i Aliyevit, ideologjitë feministe dhe politika.

Ismayilova ndjeu se diçka nuk ishte në rregull kur bashkëshorti nuk ju përgjigj telefonatës së saj ditën kur ai u zhduk. Çifti ka një mekanizëm kontrolli sigurie. “Ditën e zhdukjes së tij, ai nuk ju përgjigj asnjë telefonate dhe nuk erdhi në takimin e planifikuar. U ndjeva e tronditur dhe e stresuar. Por gjithashtu e guximshme dhe e fortë,” tha Ismayilova për Global Voices.

Sipas saj, Aliyev është përfshirë në aktivizmin social dhe politik që nga viti 2011. Ai ka diplomë në marrëdhëniet ndërkombëtare, shkenca politike dhe ekonomi.

Ai vazhdon kërkimet e tij akademike dhe specializohet në historinë e politikës dhe filozofisë. Ai është gjithashtu autor i artikujve dhe studimeve të shumta dhe është një nga themeluesit e Akademisë së Filozofisë në Baku.

Sapo Aliyev u zhduk, Ismayilova ishte e para që njoftoi mediat lokale. Më 24 dhjetor ajo zhvilloi një protestë jashtë Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar informacione për vendndodhjen e bashkëshortit të saj. Asaj ju tha që të kthehej të nesërmen, pasi ishte jashtë orarit të vizitave. Ismayilova ka kontaktuar edhe me zyrën e Avokatit të Popullit.

Ismayilova konfirmoi se sa e vështirë ishte të merrte informacion mbi vendndodhjen e bashkëshortit kur ai u zhduk. “Policia e qarkut më tha se ai do të kthehej në shtëpi së shpejti dhe se nuk duhet të shqetësohesha,” kujton Ismayilova. “Shansi im i fundit ishte të bëja publike se ai u zhduk, kështu që vendosa të organizoja një protestë.”

Foto nga Alex Shah

Ajo gjithashtu tha se policia ishte e vrazhdë me të. Kur u paraqit në stacionin e policisë për të bërë një deklaratë, polici Mushfig Gozalov, tha se do ta arrestonte nëse e shihte në protestën feministe të këtij viti. “Ai më tha se do të më arrestonte dhe do më paraburgoste tre muaj,” tha ajo për Global Voices.

Që nga 2019, një kolektiv aktivistesh feministe ka mbajtur çdo vit marshime për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ato gjithashtu organizojnë protesta për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e grave në vend. Dhuna e policisë është bërë rutinë gjatë protestave.

Më 17 janar, Araz Aliyev u lirua nga paraburgimi administrativ. Duke folur me gazetarët pas lirimit, Aliyev tregoi se si ju bë presion për të dëshmuar kundër aktivistëve të tjerë politikë dhe qytetarë, gjë që ai refuzoi ta bënte pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme. “Më thanë se nëse do të pranoja propozimin e tyre, do të lirohesha të nesërmen dhe do të më zëvendësohej dënimi me gjobë. Përndryshe, gjithçka do të merrte fund për mua”, u tha Aliyev gazetarëve.

Arrestimi i Aliyev dhe të tjerëve ndodh teksa Azerbajxhani do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale më 7 shkurt 2024. Sipas raportit paraprak të lëshuar nga OSBE/ODIHR, zgjedhjet e ardhshme, në të cilat presidenti Ilham Aliyev do të kandidojë përsëri, do zhvillohen pa konkurrencë të konsiderueshme për kreun aktual të shtetit dhe në një mjedis ku janë shprehur shqetësimet mbi “ushtrimin e lirive themelore të shoqërimit, tubimit paqësor dhe shprehjes” nga ana e shoqërisë civile.

Që nga nëntori, shumë gazetarë dhe aktivistë politikë janë dënuar ose me paraburgim ose me paraburgim administrativ, me akuza false. Më 16 janar, Departamenti amerikan i Shtetit i kërkoi Azerbajxhanit të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithëve, përfshirë ata që ushtrojnë lirinë e shprehjes dhe tha se vala e fundit e arrestimeve të gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe figurave të opozitës ishte “thellësisht shqetësues”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.