Pasardhësit e emigrantëve Buryat në Mongoli nuk kanë ndjenja ndaj Rusisë

Pasardhësit e emigrantëve Buryat në Dadal, Mongoli. Foto nga Baikal People. Përdoret me leje.

Ky artikull është shkruar nga Karina Pronina për Lyudi Baikala (Njerëzit e Baikalit). Një version i redaktuar publikohet në Global Voices sipas një marrëveshjeje partneriteti. 

Në vitin 1924, një familje Buryat iku në Mongoli nga fshati Bada në rajonin e sotëm Transbaikal në Rusinë lindore. Buryatët ikën për shkak të krizës së urisë. Njëra nga gratë mbante në krahë një vajzë të vogël. Ajo ishte aq e lodhur sa në një moment e la fëmijën në një kodër.

“Pas pak të afërmit e saj e pyetën: ‘Ku është fëmija?’ Ajo u përgjigj se e la të bijën, por ata e detyruan të kthehej dhe ta merrte vajzën e saj. Nëse nuk e bëje nuk do të flisja më kurrë,” i tha Lyudi Baikala (LB) Yumzhavyn Tsevelmaa, mbesa e së njëjtës grua.

Buryatët u larguan nga Bashkimi Sovjetik për në Mongoli në tre etapa në fillim të shekullit të 20-të. E gjitha filloi kur kolonët rusë pushtuan masivisht Buryatia dhe popullsia indigjene kishte më pak kullota për bagëti. Etapa e dytë ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, pasi Buryatët u mobilizuan në punë. Shumë vdiqën për shkak të kushteve të vështira. Vala e tretë erdhi pas vitit 1918. “Lufta civile u bë një faktor përshpejtues [për zhvendosjen]”, thotë Ivan Peshkov, kreu i Qendrës për Studime të Azisë Qendrore në Universitetin e Adam Mickiewicz në Poloni, në një intervistë me LB.

Fshatrat kryesore Buryat u zhvendosën në aimagët (rajonet) veriore Khenti dhe Dornod të Mongolisë. Këto zona ndodhen përgjatë kufirit me Rusinë. Në vitin 1934, thekson Peshkov, në Mongoli jetonin 35,000 Buryatë. Pasardhësit e tyre ende jetojnë në Mongoli.

Shtëpi e re në Dadal

Tsevelmaa lindi dhe jeton në somon (fshatin) mongol, Dadal. Quhet Buryat pasi 70 për qind e 3000 banorëve të tij janë pasardhës të refugjatëve Buryatë. Ajo thotë:

Buryatët punuan shumë në Dadal. Ata ishin të dobishëm. Gjithçka që fitonin ruhej në arkë. Kishte bizhuteri, mëndafsh kinez, korale dhe lëkurë. Pastaj, në vitet 1930, gjatë represionit [stalinist] në Mongoli, gjithçka u mor. Buryatët u quajtën tradhtarë dhe armiq, u akuzuan pa të drejtë se tradhtuan Bashkimin Sovjetik sepse ikën prej andej.

Tsevelmaa, si banorët e tjerë të Dadal, e di se shtypja e Buryatëve në Mongoli u bë me urdhër të udhëheqësit sovjetik Joseph Stalin. Megjithëse Mongolia nuk ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, ajo ishte një shtet socialist-satelit nën ndikimin e udhëheqjes sovjetike.

Në të majtë: Një banor i Dadal, Tsevelmaa. Në të djathtë: Foto brenda shtëpisë së Tsevelmaas me portretin e saj të varur në mur. Fotot nga Baikal People. Përdoret me leje.

Dadal ndodhet në Mongolinë verilindore. Kufiri me Rusinë është përtej disa kodrave. Nuk duket si Mongolia me stepat e zakonshëm të pafund dhe tufat e deleve. Rreth Dadalit ka liqene, lumenj, livadhe. Nuk ka yurta tipike. Të gjithë kanë shtëpi prej druri.

Rruga kryesore e Dadalit. Foto nga Baikal People. Përdoret me leje.

Shtatëdhjetë e shtatë vjeçari Gelegzhamsyn Purev dhe bashkëshortja e tij, 70-vjeçarja Dugarjav Dolgormaa, jetojnë në periferi të Dadal. Purev nuk flet rusisht, vetëm një përzierje të Buryat dhe gjuhës mongole, të cilat i përkasin të njëjtit grup gjuhësh.

Banorët e Dadalit, Gelegzhamsyn Purev dhe gruaja e tij Dugarjav Dolgormaa. Foto nga Baikal People. Përdoret me leje.

Familja Purev ka 1000 dele, 100 lopë dhe 200 kuaj. Purev nuk e quan veten fermer, por me modesti prezantohet si pensionist. Të afërmit e tij u shpërngulën në Dadal nga Buryatia në vitin 1924. Kolonët ecnin me fëmijë, bagëti dhe gjëra të tjera të ngarkuara në karroca. Kur kalonin kufirin shtetëror, lidhnin lecka rreth grykës së qenve dhe thundrës së kuajve, që të mos dëgjoheshin nga rojet e kufirit.

Represioni stalinist përtej kufirit

“Sipas të dhënave zyrtare, ndaj 36,000 njerëzve në Mongoli pati represion. Numri është vetëm i atyre që dolën para gjykatës. Nëse marrim parasysh të gjithë ata që ishin pa dokumente, duhet të jenë rreth 100,000 njerëz. Kjo do të thotë, afërsisht çdo i pesti banor i Mongolisë në atë kohë,” thotë Dashnamzhilyn Tsogtbaatar, kreu i Shoqatës Mongole të Viktimave të Represionit Politik në një intervistë me LB.

Ashtu si në Bashkimin Sovjetik, kulmi i represioneve në Mongoli ndodhi në vitet 1930. Së pari, lamat budistë u arrestuan. Së dyti, emigrantët Buryat. Peshkov shpjegon se Buryatët në Mongoli perceptoheshin si një pakicë e rrezikshme e lidhur me Japoninë, me të cilën Bashkimi Sovjetik ishte në luftë në atë kohë. Stalini u imponoi autoriteteve mongole një politikë agresive të shfarosjes së të gjitha grupeve të dyshimta në zonat kufitare, përfshirë Buryatët.

Nga dy mijë banorët e Dadalit, më shumë se 600 u arrestuan në vitet 1930. Tri gra u qëlluan, njëra prej tyre ishte shtatzënë në muajin e pestë. Pjesa tjetër e 600 banorëve në Dadal që ju nënshtruan represioneve staliniste ishin burra. Disa prej tyre u pushkatuan, disa u internuan në Siberi. Pas përfundimit të dënimit, të internuarve në Mongoli nuk ju lejua të ktheheshin. Shumë nga ata që u përballën me represionet staliniste u dërguan nga Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore për të “larë fajin me gjak”.

Pronari i kafenesë Yaruuna, Tsyrendorzhi Yanzhima, i çon gazetarët e LB në datsan, një manastir universitar budist. Disa vite më parë, aty u ngritën stupa, objekte të shenjta në kujtim të represioneve në Dadal. Në pjesën si daulle janë gdhendur emrat e të gjithë atyre nga fshati, që vuajtën represinon. Yanzhama i thotë LB:

Të gjithë burrat na u moreën; gjithë punën e burrave e bënin gra e djem. Ata kositnin sanë, prenë drutë dhe therën lopët. Ishte një kohë e vështirë, por e forcoi Dadalin. Jemi bërë edhe më punëtorë. Shumë njerëz duan të martohen me një Buryat ose Buryate, sepse ata janë shumë efikasë. Dhe ata nuk ankohen.

Stupas të ngritura në kujtim të represionit staliniste në Dadal. Foto nga Baikal People. Përdoret me leje.

Kundër Putinit dhe luftës

Kur e pyetën se si ndjehet për Rusinë, banorja 63-vjeçare e Dadalit, Tsyrendorzhi Monbish, përgjigjet: “Kam një qëndrim të mirë ndaj Rusisë. Por lufta me Ukrainën? Unë jam kundër luftës! Emri i Rusisë ka rënë kaq poshtë. Unë dua që ai [Putini] të vdesë! E di që Putini po i dërgon Buryatët në luftë. Ne jemi kundër kësaj.”

Një tjetër banor, 78-vjeçari Magsar thotë: “Putini është i keq. Lufta është e keqe.” Ai shton: “Në një luftë, shtatë nga nëntë Buryatë vdesin. Të gjithë e dimë këtë në Dadal, e lexuam në internet.”

Një nga kritikët e zjarrtë të qeverisë ruse është ish-kreu i administratës së Dadal, Galsangiin Dorzhsuren:

Buryatët në Rusi shkojnë në luftë sepse jetojnë shumë keq.

Banori Dadal Galsangiin Dorzhsuren. Foto nga Baikal People. Përdoret me leje.

“Ka frikë”

Autoritetet mongole arrestuan dy herë babanë e Purev. Të dyja herët ai u burgos për 10 vjet – sepse ishte Buryat dhe lama budist. Pas burgosjes për herë të dytë, babai i tij u kthye në Dadal dhe jetoi atje deri në fund të jetës.

Purev e quan Mongolinë atdheun e tij. Nuk i pëlqen të diskutojë çështje delikate politike. Kur gruaja e tij Dolgormaa, në një bisedë me LB, thotë se në luftë “po ndodh shkatërrimi i popullit Buryat”, Purev nxjerr disa zhurma të krijuara me gjuhën e tij dhe ajo hesht.

“Ai ka frikë,” psherëtin Dolgormaa kur burri i saj largohet pas intervistës. “Frika qëndron brenda tij. A e kuptoni? Këtu nuk ka rëndësi se cila është kombësia juaj: Buryat, mongol apo rus. Ju nuk mund ta zhdukni frikën kaq lehtë.”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.