Në Azerbajxhan një fshat u zbraz për dhëndrin e presidentit

Foto nga Arzu Geybullayeva

Ky artikull u publikua për herë të parë në Abzas Media. Një version i redaktuar ribotohet këtu sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen.

Fshati Garachayli në Azerbajxhan, dikur ishte shtëpia e dhjetë familjeve. Jetesa e tyre varej nga toka që kultivonin. Por në vitin 2017, territori i fshatit i është dhënë me qira një kompanie me emrin Shabran Agrocomplex Sh.PK për 49 vjet. Përfundimisht, të gjitha familjet u detyruan të shpërnguleshin në fshatrat e afërta, përfshirë familjen e Tahir Rasulovit, i cili, në kërkim të një dëmshpërblimi të drejtë për tokën e tij, kundërshtoi dëbimin me forcë në gjykata. Por dy vjet më vonë, Rasulov gjithashtu u detyrua të largohej duarbosh.

Banorët e fshatit i thanë Abzas Media se toka i përkiste kryemyftiut të Azerbajxhanit, Allahshükür Pashazade – udhëheqësit shpirtëror të myslimanëve. Pashazade ua jepte tokën me qira banorëve, të cilët e kultivonin dhe siguronin jetesën prej saj. Më pas, në fshat ka ardhur Agrokompleksi, duke i njoftuar banorët se duhet të shpërngulen. Rasulov i tha Abzas Media për telashet që i shkaktoi kompania atij dhe banorëve të tjerë: “Më torturuan dhe torturuan shumë. Më kërcënuan me polici. Më nxorën nga shtëpia stërgjyshore”.

Që nga viti 2017, të gjithë banorët e mëparshëm të fshatit kanë mbetur pa tokë. Në një përpjekje për të hetuar marrëveshjen dhe pronësinë e Shabran Agrocomplex, Abzas Media foli me banorët vendas dhe shqyrtoi një bazë të dhënash të dokumenteve të disponueshme për të mësuar më shumë.

Nga hetimet u zbulua se themeluesi i Agrokompleksit Shabran është Baku Agropark, i njohur më parë si AzEcoFarm. Baku Agropark i përket biznesmenit Samad Gurbanov, i cili është bashkëshorti i Arzu Aliyeva, vajza e vogël e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Pas hapjes së serrës së parë të Baku Agropark në vitin 2017 (që kultivon domate), kompanisë së Gurbanov iu ofruan mundësi të shumta nga institucionet shtetërore. Investigimet tregojnë se investimi personal i Gurbanov në një total prej 11.7 milionë AZN (6.9 milionë dollarë) u plotësua me një hua shtesë prej 10 milionë AZN nga Fondi i Zhvillimit të Sipërmarrjes, financuar nga buxheti i shtetit. Huaja i është dhënë Gurbanovit për një periudhë dhjetëvjeçare, me një normë fikse interesi prej 5 për qind në vit.

Kompania e Gurbanov ishte e përjashtuar edhe nga pagesa për vendosjen e instalimeve elektrike gjatë ndërtimit të serrës, të cilën e kishte bërë një kompani e quajtur Retro Holding, në pronësi të Arif Pashayev, vjehrrit të Ilham Aliyevit. Favore të tjera investimi përfshinin kredi për infrastrukturën vaditëse të agrokompleksit – të gjitha me shpenzimet e shtetit, dhe pa zbuluar kostot totale.

Ndërkohë fermerët në afërsi të kompleksit nuk gjejnë ujë për të vaditur arat e tyre. Në një intervistë për Abzas Media, një banor i fshatit aty pranë tha: “Ne kemi nevojë për ujë tani. Të mbjellat janë në kulm. Sa më pak të mblidhen, aq më të larta janë shanset që qeveria të marrë tokën dhe t'ia japë atë atij që mbjell drithë më mirë dhe jep prodhime më të larta.”

Mungesa e ujit në fshatrat përreth nuk është problemi i vetëm. Banorët e një fshati tjetër thonë se shtëpitë e tyre nuk furnizohen me gaz edhe pse agrokompleksi e merr përmes një linje të veçantë. Një banor i tha Abzas Media se familjet djegin çdo dru që mund të gjejnë për të ngrohur shtëpitë e tyre.

Në këto rajone të largëta të Azerbajxhanit, praktikisht nuk ka mundësi punësimi për fshatarët. Ata që folën për Abzas Media thanë se agrokompleksi është zgjidhja e tyre e fundit për punësim dhe megjithatë, atyre su jepet punë ose u ofrohen paga të ulëta që variojnë nga 300-350 AZN në muaj (afërsisht 200 dollarë). Siç tha një banor: “Është skllavëri moderne”.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se Baku Agropark paguan gjithashtu qira tepër të lirë për tokën në fshatin Garachayli – 2,520 AZN për 1,738 hektarë në vit. Tahir Rasulov, banor i fshatit, tha për Abzas Media se deri në vitin 2019, ai paguante një qira prej 30 AZN për hektar. E megjithatë, Baku Agropark paguan vetëm 1 manat e 50 cent për hektar për investimin e tij shumëmilionësh.

Pronësia e Samad Gurbanov shkon përtej Agroparkit të Baku. Aty ndodhet Shtëpia Tregtare e Baku Agropark, e përfshirë në tregtinë me shumicë të frutave dhe perimeve; Maxitrading LLC, në import dhe shpërndarje të produkteve ushqimore; si dhe disa kompani të tjera që i përkasin Mirlex Group (Mirlex Development dhe Mirlex Construction LLC), për shitjen e aparateve të shuarjes së zjarrit, instalimin e alarmeve automatike, parkimin dhe sistemet e mbikëqyrjes video.

Zyrat e shumë prej kompanive të Samad Gurbanov ndodhen në Port Baku Towers, një qendër elitare biznesi në pronësi të Pasha Holding.

Kompania ka një depo ushqimore në rajonin Absheron.

Përpjekjet e gazetarëve të Abzas Media për të biseduar me drejtuesit e agrokompleksit në Shabran rezultuan të kota. Grupi i xhirimit u ndalua nga një roje sigurie që tha se asnjë nga menaxherët nuk ishte në kompleks.

Gazetarët nuk ishin të vetmit që nuk mundën të hynin në ambiente. Pasi banorët u detyruan të largoheshin, atyre u mbetën varrezat e fshatit aty. Që kur u ndërtua kompleksi dhe u mor toka, ata duhet të kërkojnë leje nga drejtuesit e agrokompleksit për të vizituar varret e të afërmve të tyre.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.