“President i përjetshëm” dhe motivi kalimtar në zgjedhjet e parakohshme të Azerbajxhanit

Foto nga Arzu Geybullayeva

Prej vitesh, të gjithë thonin se kush do të çlirojë Karabakun do të jetë presidenti ynë i përjetshëm. Mendoj se Ilham Aliyev e ka fituar këtë pozitë dhe titull me politikën që ka zbatuar për 20 vjet, duke i shërbyer popullit të Azerbajxhanit dhe duke çliruar territoret e pushtuara. Çdo azer patriot është i këtij mendimi.

Kjo deklaratë e nënkryetarit të partisë qeverisëse të vendit, YAP, e cila është në pushtet prej 30 vitesh, pasqyron diskursin elitar dominues dhe paternalist në ditët e sotme në Azerbajxhan. Pas një dekade në “zonën gri politike”, që nga mesi i viteve 2000, studiuesit dhe indeksuesit e demokracisë njësoj e kanë renditur Azerbajxhanin si një regjim autoritar hegjemonik ose të konsoliduar. Pasi ka frustruar tranzicionin në një formë demokracie, e cila ishte parashikuar prej kohësh nga shumë grupe shoqërore, Azerbajxhani tani po përfundon një tranzicion të kundërt dhe po shkon drejt një sundimi diktatorial të plotë. 

Më pak se dy muaj pasi festoi 20 vjetorin e presidencës së tij në një paradë ushtarake në Karabakh më 7 dhjetor 2023, Aliyev caktoi një datë të re për zgjedhjet e parakohshme presidenciale, që do të zhvillohen dy muaj më vonë. Ndërsa nuk u ofrua asnjë shpjegim institucional, disa zyrtarë e konsideruan këtë veprim “në kuadër të çuarjes përpara të disa proceseve të shpejta rajonale”. Vendimi për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, megjithatë, nxjerr në pah një model shqetësues. Këto do të jenë zgjedhjet e treta radhazi – presidenciale dhe parlamentare të kombinuara – që autoritetet i caktojnë si të parakohshme dhe pa ndonjë arsyetim. Kjo pasiguri institucionale po bëhet më shumë një normë se sa një përjashtim. Mësimi i autokracisë është i vërtetë — presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, me dy zgjedhje të parakohshme presidenciale në 2018 dhe 2023, megjithëse me motive të ndryshme, ka shërbyer si shembull i thyerjes së cikleve zgjedhore për të lehtësuar kapjen pas pushtetit. 

Dallimi në rastin aktual është se periudha ndërmjet afatit të përcaktuar në Kushtetutë të zgjedhjeve dhe datës së re të votimit është dukshëm më e gjatë. Pas një referendumi të diskutueshëm në 2016, që i lejoi atij të zgjasë mandatin presidencial nga katër në shtatë vjet, Aliyev zhvilloi zgjedhje të tjera të pakontestueshme në nëntor 2018, që do të thotë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale u caktuan me kushtetutë për në nëntor 2025. Por ato do të mbahen katërmbëdhjetë muaj përpara këtij afati. 

Ndërsa shumë janë duke spekuluar mbi arsyet pas zgjedhjeve të parakohshme dhe duke vënë në dukje faktorët gjeopolitikë dhe ekonomikë – politika e brendshme, ose mungesa e saj, luan një rol kyç. Aliyev caktoi zgjedhjet e parakohshme thjesht sepse ai nuk u përball me kufizime kushtetuese ose politike.

Ndërsa zgjedhjet e parakohshme janë të destinuara për periudha të trazirave politike në demokraci, ato janë në kundërshtim me mjediset autokratike. Në Azerbajxhan, ka stabilitet politik të bazuar në shtypje të koordinuara; popullariteti ekstrem i fituar pasi Karabaku u rimor në 2020 dhe 2023; bashkëpunim diskursiv i aktorëve jo-shtetërorë përmes narrativave nacionaliste; dhe po ashtu, apatia e qëndrueshme e popullatës, veçanërisht ndaj procesit zgjedhor, si përcaktues kryesor të depolitizimit, që i lejojnë Aliyevit të marrë vendime arbitrare pa asnjë kontestim – por është më shumë se kaq. 

Regjimi i Azerbajxhanit ka shtypur gradualisht të gjithë sfiduesit e mundshëm dhe zërat pro-demokracisë gjatë dy dekadave të fundit. Ata, të përfshirë edhe në sfidat e tyre të shkëputjes nga shoqëria, nuk kanë qenë kurrë më të shkatërruar. Goditja e koordinuar dhe persekutimi kanë penguar zhvillimin e sektorit të OJQ-ve të financuara nga Perëndimi që nga viti 2013; dy parti kyçe të opozitës janë rregullisht në shënjestër dhe privohen nga burimet thelbësore, përfshirë të drejtat për tubime; dhe qytetarët e thjeshtë shtypen kur kundërshtojnë kolektivisht politikat e qeverisë, siç shihet në përgjigjen brutale ndaj protestës mjedisore në rrethin Gadabay në qershor. Në vitin 2023, ligjet e reja të rrepta për mediat dhe partitë politike u zbatuan, duke krijuar një sistem të centralizuar regjistrash dhe duke vënë në lupë aktivitetet e tyre. Ata që nuk pranuan kufizimet e vendosura nga qeveria, si studiuesi i ekonomisë Gubad Ibadoghlu, që synonte të krijonte një parti të re politike opozitare, u arrestuan për arsye politike. 

Pak përpara zgjedhjeve të shpallura, ato çfarë kanë mbetur nga mediat e pavarura që nuk pranojnë të jenë pjesë e sistemit të centralizuar dhe të censuruar të medias – dhe ekspozuan çështje politike – u sulmuan ashpër. Gjatë dy muajve të fundit, qeveria goditi Abzas Media, e njohur për investigime të plota për rastet e korrupsionit, duke bastisur zyrën dhe duke arrestuar drejtorin e saj, Ulvi Hasanli, kryeredaktorin Sevinj Abbasova dhe tre nga gazetarët. Ata u etiketuan si “spiunë amerikanë” në mediat shtetërore, si pjesë e propagandës së gjerë anti-perëndimore që pasqyron narrativat e Kremlinit. Me të njëjtin fat u përball edhe kanali më i madh televiziv në internet në vend, Kanal 13, i cili raporton për problemet sociale, ku u arrestuan drejtori dhe anëtarët e ekipit. Brezi i ri, si aktivisti për të drejtat e punës Afiaddin Mammadov, është përballë cikleve të hakmarrjes. 

Krahas represionit, ose si rezultat i tij, udhëheqja e Azerbajxhanit ka arritur të sigurojë pranimin pasiv të brezave të ndryshëm të popullsisë gjatë tridhjetë viteve të fundit. Në një anketë të kryer mes të rinjve të vendit (mosha: 14–29; numri i përgjigjeve: 1605) në vitin 2022, 43 për qind, treguan se nuk janë aspak të interesuar për politikën dhe 26 për qind thanë se nuk janë shumë të interesuar për të.

Të rinjtë e kryeqytetit Baku kanë një interes edhe më të ulët për politikën. Gati 75 për qind e të rinjve të vendit nuk kanë marrë pjesë në asnjë aktivitet social-politik në gjysmë viti, qoftë vullnetar, peticion apo angazhim online. Mbështetja për demokracinë nuk është gjithashtu shumë e lartë, veçanërisht në Baku, ku 43 për qind e të anketuarve ishin kundër pohimit se “demokracia është sistemi më i mirë i qeverisjes për Azerbajxhanin” dhe gati një e katërta nuk kishin një opinion. Ka gjithashtu akses shumë të dobët në informacionin politik. Megjithatë, kur bëhet fjalë për perceptimet e problemeve më të mëdha të vendit, rritja e çmimeve vjen e para (58 për qind), ndërsa integriteti territorial, mbi të cilin regjimi ndërton retorikën e tij populiste, konsiderohet shpesh çështja e dytë më e rëndësishme. 

Ndërsa ushtria është institucioni më i besuar (97 për qind), presidenti gëzon 93 për qind popullaritet mes të rinjve.

Kështu, Aliyev po shfrytëzon dy faktorë të tjerë për të krijuar një model qeverisjeje plotësisht të centralizuar. I pari është qëndrimi i tij si komandant i përgjithshëm fitimtar dhe organizator i politikës së jashtme me mbështetjen publike në kulmin e saj. Megjithatë, nuk kishte mundësi që Aliyev të humbiste djeshëm legjitimitetin e tij deri në periudhën e rregullt të zgjedhjeve në 2025 me rezerva të rëndësishme ekonomike dhe kapital politik. Por koha është e përshtatshme për të pasi bota po sheh shkatërrimin e rendit ndërkombëtar liberal dhe kërcimin e epokës multipolare nga aleanca autokratike të fuqishme. Për më tepër, disa trazira parashikohen për dy vitet e ardhshme, me përfundimin e një marrëveshje paqeje me Armeninë në muajt e ardhshëm, zgjedhjet presidenciale në Rusi dhe Shtetet e Bashkuara në vitin 2024, tërheqjen e pritshme, por shqetësuese të paqeruajtësve rusë nga territoret e Azerbajxhanit në 2025 dhe zhvillimet në luftën Ukrainë-Rusi. Kështu, Aliyev po kërkon të rinovojë mandatin e tij para këtyre, për të përfunduar kalimin në një sistem politik, ku ai, si i fortë, ka kontroll të plotë mbi dinamikën shoqërore dhe shpërndarjen e informacionit.  

Diskursi i “presidentit të përjetshëm”, i shprehur gjithnjë e më shumë nga zyrtarët dhe figurat publike të lidhura me qeverinë, nuk është vetëm fjalë. Azerbajxhani po kalon në një sundim diktatorial të ngjashëm me atë të Turkmenistanit. Këtu, regjimi ka më pak arsye për të imituar demokracinë dhe konstitucionalizmin, edhe nëse synohet për qëllime autokratike. Ka pasur disa shenja të guximshme të kësaj. Kufijtë tokësorë të vendit kanë qëndruar të mbyllur për gati katër vjet pa asnjë shpjegim të arsyeshëm. Për më tepër, siç thekson vazhdimisht akademikja e burgosur Ibadoghlu, sfera ekonomike është e përqendruar plotësisht në duart e familjes në pushtet përmes kompanive shtetërore dhe familjare. Ndryshe nga e kaluara, çdo grup politik pro-demokracisë shtypet menjëherë që në fillim. 

Shumë do të varet nga fakti nëse dhe si do të jenë në gjendje aktorët joshtetërorë të mbrojnë hapësirën e tyre që vetëm ngushtohet. Partitë opozitare do të bojkotojnë zgjedhjetduke përmendur fushën e pabarabartë të lojës. Shumë të tjerë janë në kushte mbijetese, me energjinë e kufizuar të devijuar në rastet e një numri në rritje të të burgosurve politikë. Pavarësisht zymtësisë dhe frikës, megjithatë, disa nisma politike po shfaqen. Më e dukshmja është Republika e Tretë -një platformë e krijuar në dhjetor 2023 nga një grup ekspertësh të njohur me të kaluar politike- që synon të rikthejë sundimin e ligjit, shndërrimin nga “sundimi me një njeri” në një republikë parlamentare, decentralizim të qeverisjes dhe frenim të korrupsionit. Ndërsa ata tashmë janë nën represion dhe mbikëqyrje, koha do të tregojë nëse do ja dalin. 

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.