Ky artikull u shkrua fillimisht nga redaktorja e Global Voices për Kaukazin e Jugut dhe Turqinë, Arzu Geybullayeva për Azerbajxhanin Internet Watch (AIW). Ribotohet me lejen e autores.
Të paktën tre gazetarë dhe redaktorë azerë u arrestuan nga policia këtë javë, përfshirë Sevinc Vagifgizi dhe Ulvi Hasanli nga partneri i përmbajtjes së Global Voices, Abzas Media dhe gazetari Mahammad Kekalov, i cili shkruan për njerëzit me aftësi ndryshe, njëkohësisht bashkëpunëtor i Global Voices.
Policia arrestoi drejtorin e Abzas Media, Ulvi Hasanli në mëngjesin e 20 nëntorit teksa po përgatitej të shkonte në aeroport, thanë kolegët e redaksisë. Abzas Media beson se arrestimi i Hasanli është i lidhur me investigimet e portalit për ekspozimin e korrupsionit të qeverisë.
Avokati i Hasanlit, Zibeyde Sadighova, tha për Meydan TV se ai akuzohet për kontrabandë. Sipas Abzas, Mahammad Kekalov u arrestua gjithashtu më 20 nëntor. Ai u mor nga shtëpia pa pëlqimin e tij nga oficerë policie të veshur civilë. Deri në publikimin e këtij artikulli, askush nuk ka mundur të kontaktojë me Kekalovin dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Kryeredaktorja e Abzas Media, Sevinc Vagifgizi, që po kthehej në Baku pas fluturimit nga Stambolli, u arrestua në aeroport, sipas raportimit nga TV i pavarur, Meydan.
Para se të hipte në avion, ajo kishte dhënë një intervistë për Meydan TV, ku tha se është e sigurt se arrestimi i Hasanlit lidhet drejtpërdrejt me investigimin e Abzas për korrupsionin e individëve me lidhje me familjen në pushtet, që kanë aktivitet tregtar në Karabakh.
Shtëpia e Hasanlit dhe zyra e Abzas Media u kontrolluan nga policia. Policia tha se në këtë të fundit kishte gjetur 40 mijë euro. Hasanli mohoi të ketë lidhje me paratë. Abzas dhe aktivistët dyshojnë se policia i vendosi paratë gjatë kontrollit. Ndërkohë, edhe Sadighova ka konfirmuar se është kontrolluar shtëpia e Vagifgizit. Policia nuk gjeti asgjë aty. Sipas avokatit, Hasanli është rrahur nga policia.
Abzas Media publikoi gjithashtu një regjistrim audio të Hasanlit, ku shpjegonte atë që ndodhi:
Isha gati të hipja në taksi duke dalë nga banesa ime. Një makinë ndaloi para taksisë dhe u shfaq një grup burrash. Të gjithë kishin maska. Më thirrën emrin. Nuk më kujtohet saktësisht se në cilën pikë jam goditur. Më çuan në komisariat. Filluam të grindemi. Dy oficerë më goditën. Pastaj filloi marrja në pyetje.
Ata më pyetën pse ne [Abzas] nuk shkruanim për Karabakun, por shkruanim për korrupsionin. “A nuk ka probleme të tjera për të shkruar”, më pyetën. Paratë [policia pretendon se i ka gjetur] janë vendosur atje, është kaq e qartë. Për shkak të vendit ku dyshohet se janë gjetur. Ishte në korridorin e zyrës, madje as brenda njërës prej dhomave [duket se dikush sapo e hodhi sasinë e parave atje].
Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook, platforma theksoi: “Abzas Media ju njofton se ndalimi i Hasanlit, bastisja e shtëpisë së tij dhe zyrës janë të paligjshme. E gjithë kjo që po ndodh lidhet drejtpërdrejt me gazetarinë e [Hasanli]. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Hasanlit”.
Hasanli u ndalua së fundi në ambasadën e SHBA në Baku kur filmoi një grup kërcimi të organizuar nga aktivistet feministe në korrik 2023. Në qershor, Hasanli u mor në pyetje për një postim në Facebook, që policia i kërkoi ta hiqte. Në postim, Hasanli shpërndau foto të dy oficerëve të policisë që kishin arrestuar gazetarë që mbulonin një protestë mjedisore jashtë kryeqytetit.
Që nga viti 2016, Absaz ka qenë në shënjestër të sulmeve të shumta (DDoS), një sulm kibernetik ku një faqe bllokohet. Në vitin 2017, faqja e internetit u bllokua brenda vendit, duke detyruar stafin të ndërrojë shtesën e saj. Në prill 2020, faqja e internetit u hakua dhe si rezultat humbi artikujt e botuar në një muaj dhe disa nga titujt e artikujve u ngatërruan. Platforma u shënjestrua përsëri në shkurt 2021.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe qeveri kanë reaguar për ndalimet, me Amnesty International që tha se është “shumë e shqetësuar” për arrestimet dhe grupe të tjera të mediave ndërkombëtare që bëjnë thirrje për lirimin e tyre.