“Të vetmit njerëz të bardhë që nuk sollën të keqen”! Rrëfimet e mediave serbe rreth pranisë së Rusisë në Afrikë

Kolazh me artikuj të mediave serbe “Pse Rusia magjeps Afrikën: Të vetmit njerëz të bardhë që nuk sollën të keqen, vrasjen, grabitjen…” (Sputnik), “Pse francezët mund të mbesin pa energji elektrike, për shkak të grushtit të shtetit në Niger?’ (RT), ‘RUSIA PUSHTON AFRIKËN?! Franca u zhduk nga kontinenti i zi, pas Nigerit, radha e Gabonit! Çfarë po ndodh?’ dhe ‘ËSHTË NËNSHKRUAR, Putini ÇLIRON AFRIKËN! Ai bëri një marrëveshje të fuqishme me 40 vende!’ (Srbija Danas). Përdorim i drejtë.

Kjo analizë nga Aleksandar Ivković u botua fillimisht nga Qendra për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC), pjesë e nismës rajonale të Qendrës kundër dezinformimit të Ballkanit Perëndimor. Një version i redaktuar ribotohet nga Global Voices, si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti. 

Grushti i shtetit nga ushtria e Nigerit në fund të korrikut 2023 – dhe në një masë më të vogël, samiti Rusi-Afrikë i mbajtur në Shën Peterburg – u përdorën nga mediat në gjuhën serbe për të promovuar narrativat e rritjes së ndikimit rus në Afrikë, duke pretenduar se Kremlini, ndryshe nga Perëndimi, është një mik i sinqertë i vendeve afrikane dhe po e fiton betejën gjeopolitike në këtë kontinent.

Ushtria e Nigerit më 26 korrik rrëzoi presidentin e vendit, Mohamed Bazum duke e zëvendësuar me një juntë ushtarake. Ishte njëri nga një seri grushti shteti në Afrikë në vitet e fundit dhe kryesisht një lajm negativ për Francën. Parisi mbajti trupa në këtë vend, me një pozicion strategjik të rëndësishëm në kontinent. Në shtator u konfirmua se ushtria franceze dhe ambasadori i vendit do të tërhiqen deri në fund të vitit. Nigeri është gjithashtu vendi nga i cili Franca importon 20 për qind të uraniumit dhe grushti i shtetit ka ngritur shqetësimet për sigurinë e saj energjetike.

Nga ana tjetër, si vlerëson Fondacioni Carnegie në fund të gushtit, është ende herët për të arritur në përfundimin se Nigeri do të ndryshojë tërësisht politikën e tij të jashtme, e cila përfshinte edhe bashkëpunimin me SHBA-në. Për momentin, trupat amerikane mbeten në Niger edhe pas grushtit të shtetit dhe më 7 gusht, zëvendëssekretarja e Shtetit Victoria Nuland vizitoi vendin, megjithëse në një atmosferë të tensionuar. Udhëheqësit e grushtit të shtetit njoftuan se vendi do të kishte një periudhë tranzitore prej “jo më shumë se tre vjet”, gjatë së cilës orientimi i ardhshëm i shtetit do të bëhej më i qartë. Sipas informacioneve nga gjysma e dytë e gushtit, Nigeri nuk e ndaloi eksportin e uraniumit në Francë.

Megjithatë, fakti që disa nga demonstruesit që mbështetën grushtin e shtetit në fund të korrikut valëvitën flamuj rusë dhe mbanin pankarta me mesazhe pro-ruse, mjaftoi për të ndërtuar një narrativë të fitores gjeopolitike të Rusisë dhe humbjes së Perëndimit, e cila më vonë u përhap për të përshkruar situata në të gjithë Afrikën. Ky rrëfim u pasqyrua gjerësisht në mediat serbe në javët në vijim.

Foto e artikullit të Večernje Novosti me titull “Kontinenti i Zi në pikën e vlimit: Afrika ngrihet kundër Perëndimit”, përdorim i drejtë.

Gazeta pro-qeveritare Večernje Novosti më 2 gusht doli në përfundimin , bazuar në deklaratat e dy demonstruesve që mbështetën grushtin e shtetit, njëri prej të cilëve ishte i veshur me flamurin rus, se “qytetarët iu drejtuan Rusisë, duke shpresuar se do t'i ndihmonte të vazhdonin pas grushtit të shtetit, pa ndërhyrje nga Perëndimi”. Fotografia e kopertinës së këtij artikulli (origjinalja nga AP, atribuar agjencisë shtetërore serbe Tanjug) tregonte një tjetër protestues që mbante një pankartë të përkthyer: “Poshtë Franca, rroftë Putini”. Teksti e vendosi grushtin e shtetit në Niger në një kontekst më të gjerë, duke e interpretuar atë si një shenjë se “Afrika po ngrihet kundër Perëndimit”.

Media të tjera gjithashtu “përfshinë” ngjarjet në Niger në këtë narrativë.

“Një shuplakë për Perëndimin, një dramë e madhe në Niger!” është titulli  i publikuar nga tabloidi pro-qeveritar, më me ndikim në Serbi, Informer, në një artikull që pretendon se presidenti i rrëzuar properëndimor Bazum mund të gjykohet për tradhti. E njëjta media raportoi pak më herët se në Niger, “Putini po fiton aleatë të rinj”.

Artikulli i RT(Rusia Today në serbisht) ‘Pse francezët mund të mbeten pa energji elektrike, për shkak të grushtit të shtetit në Niger?’ Plrdorim i drejtë.

Seksioni serb i medias shtetërore ruse Russia Today (RT) njoftoi gjithashtu se “banorët e Nigerit dhe vendeve të tjera të Sahelit duan ndryshim në politikë dhe shumë prej tyre e shohin Rusinë si një partner të mundshëm për të ardhmen”.

Mediat e sipërpërmendura nxituan të shpallin rreshtimin e Nigerit krah Rusisë, teksa pretendimet për ndjenja të forta pro-ruse të popullatës vendase bazoheshin vetëm në disa fotografi dhe deklarata.

Si deklaroi Fondacioni Carnegie, Rusia mund të jetë në gjendje të përdorë grushtin e shtetit në Niger për të zgjeruar ndikimin e saj, përfshirë ofertën për të dërguar njësinë paraushtarake Wagner për të ndihmuar regjimin e ri, por kjo, veçanërisht pas vdekjes së liderit të këtij formacioni, Yevgeny Prigozhin, nuk do të jetë e thjeshtë.

Artikulli i Srbija Danas ‘RUSIA PUSHTON AFRIKËN?! Franca u zhduk nga kontinenti i zi, pas Nigerit, radha e Gabonit! Çfarë po ndodh? (Foto/Video).’ Përdorim i drejtë.

Ky interpretim më i kujdesshëm i situatës nuk i pengoi disa media serbe që të vazhdojnë t'i pasqyrojnë ngjarjet në kontinent me një ton të fortë pro-rus. Në fund të gushtit, një tjetër grusht shteti ndodhi në Gabon, gjithashtu një ish-koloni franceze. Portali pro-qeveritar Srbija Danas publikoi lajmin e titulluar “RUSIA PUSHTON AFRIKËN?! Franca u zhduk nga kontinenti i zi, pas Nigerit, radha e Gabonit! Çfarë po ndodh? (Foto/Video)”.  Teksti nuk jepte fakte se Rusia kishte ndonjë lidhje me grushtin e shtetit në Gabon, por përmendi vetëm rastin e Nigerit dhe samitin Rusi-Afrikë të mbajtur më parë.

Një tjetër narrativë kryesore në këtë periudhë ishte se Rusia ishte një vend mik i Afrikës, ndryshe nga Perëndimi që e kolonizoi atë. Në fillim të gushtit, versioni serb i Sputnik-ut rus publikoi një bisedë me serbë, ku theksohej se rusët janë “të vetmit njerëz të bardhë” në Afrikë që nuk sollën “të keqen, telashet, vrasjet dhe grabitjet.”

Artikulli i Sputnik Srbija ‘Pse Rusia magjeps Afrikën: Të vetmit njerëz të bardhë që nuk sollën të keqen, vrasjen, grabitjen …’ Përdorimi i drejtë.

E njëjta media publikoi gjithashtu  një artikull se si Afrika do të përfitojë nga bashkëpunimi me Rusinë në miniera dhe energji, ndryshe nga Perëndimi, i cili i shfrytëzoi burimet në kontinent. Deklarata e zëdhënësit të presidentit rus, Dmitry Peskov, theksonte se “shumë vende janë shumë xhelozë për mënyrën e përmirësimit të marrëdhënieve midis Rusisë dhe vendeve afrikane”.

Portali Vostok publikoi më 19 gusht një deklaratë të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili tha se “partneritetet midis Moskës dhe Afrikës po rriten, pavarësisht presionit kolosal nga Perëndimi” dhe se “vendet afrikane e shohin Rusinë si një partner të besueshëm që mund të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit dhe ndihmën në luftën kundër terrorizmit dhe trafikut të drogës”. E njëjta media citoi më parë presidentin rus Vladimir Putin në një artikull të detajuar në lidhje me samitin Rusi-Afrikë në Shën Peterburg më 27 dhe 28 korrik. Aty, Putin tha se Rusia mbështet dëshirën e vendeve afrikane për stabilitet social, ekonomik, kombëtar dhe sovranitet kulturor.

Sputnik publikoi më 3 gusht deklaratën e presidentit të Dumës së Shtetit, Vyacheslav Volodin, i cili tha se “SHBA, Britania dhe Franca duhet të kompensojnë vendet afrikane për dëmin e shkaktuar gjatë kolonizimit”. Ai gjithashtu kujtoi audiencën se, në atë kohë, SHBA dhe vendet evropiane të lartpërmendura merreshin me tregtinë e skllevërve dhe transportuan rreth 15 milionë njerëz vetëm në Amerikë, të cilët u bënë skllevër.

“ËSHTË NËNSHKUR, Putini ÇLIRON AFRIKËN! Ai bëri një marrëveshje të fuqishme me 40 vende!” Artikulli i Srbija Danas, përdorim i drejtë.

Disa tekste mbështetën narrativën e humbjes së betejës gjeopolitike të Perëndimit, kryesisht Francës, në Afrikë. Pas samitit në Shën Peterburg, portali Srbija Danas njoftoi se janë nënshkruar marrëveshje ndërmjet Rusisë dhe mbi 40 vendeve afrikane dhe se Moska tani do të ketë një ndikim shumë më të rëndësishëm në kontinent. Titulli ishte: “ËSHTË E NËNSHKRUAR, PUTIN ÇLIRON AFRIKËN! Bëra një marrëveshje të fuqishme me rreth 40 vende!” Media të tjera, përfshirë Večernje Novosti dhe  Russia Today, theksuan gjithashtu rolin në rritje të Kinës dhe BRICS në kontinent.

Në realitet, ndikimi i Rusisë në Afrikë është i kufizuar

Sipas Euronews, aktualisht nuk ka asnjë fakt për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në grushtin e shtetit në Niger, si tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA. Prandaj, dhënia e pikëve të drejtpërdrejta në luftën gjeopolitike me Perëndimin nuk ka kuptim. Përsa i përket panoramës së gjerë, ndikimi rus në Afrikë ekziston në disa fusha – veçanërisht në siguri dhe tregtinë e armëve – por shumica e autorëve që kanë shkruar mbi këtë temë arrijnë në përfundimin se ndikimi i përgjithshëm nuk duhet të mbivlerësohet.

Vlera e marrëdhlnieve tregtare ndërmjet Rusisë dhe Afrikës është rreth 18 miliardë dollarë, ndërsa tregtia e Afrikës me Bashkimin Evropian dhe Kinën vlen mbi 200 miliardë dollarë secila dhe me SHBA-në rreth 65 miliardë dollarë. Megjithëse, nga viti 2013 deri në vitin 2021, vëllimi i tregtisë midis Rusisë dhe Afrikës pothuajse u dyfishua, në vitet e ardhshme kjo rritje u ngadalësua. Midis 2019 dhe 2023 vëllimi i tregtisë madje u ul, ndërsa investimet direkte ruse përbëjnë 1 për qind të të gjitha investimeve në Afrikë, thotë Fondacioni Carnegie. Për më tepër, dy të tretat e biznesit rus janë të përqendruar në veri të kontinentit, kryesisht në Egjipt, Algjeri dhe Marok.

Vendimi i Rusisë për t'u larguar nga Marrëveshja e grurit e Detit të Zi në korrik, qëllimi i së cilës ishte të ulte çmimin botëror të grurit dhe të mundësonte dorëzimin e tij në vendet më të varfra të botës, hasi në reagime negative nga liderët afrikanë, pavarësisht njoftimeve të Putinit se do të lejonte eksportet e lira në disa vende të kontinentit.

Bashkëpunimi mes Rusisë dhe Afrikës është më intensiv në sferën e sigurisë, kryesisht në eksportin e armëve, ku në vitet e mëparshme ka pasur një rritje të ndjeshme të vlerës së mallrave të eksportuara nga rreth 500 milionë dollarë në 2 miliardë dollarë në vit, sipas të dhënave nga Korporata RAND. Një analizë e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thekson se pavarësisht nga rezultati i luftës në Ukrainë, Rusia do të ketë stimuj të fortë për të vazhduar përdorimin e formacioneve paraushtarake në Afrikë, përfshirë grupin e ristrukturuar Wagner, sepse një numër i madh i veteranëve të luftës nga fusha e betejës në Ukrainë do të jenë në dispozicion për këto misione.

Nga ana tjetër, si vë në dukje analiza e Chatham House britanike, vetëm 17 krerë shtetesh nga kontinenti erdhën në samitin Rusi-Afrikë në Shën Peterburg, që është një numër dukshëm më i ulët se katër vjet më parë, kur samiti i parë i këtij lloji u mbajt në Soçi e ku morën pjesë 43 krerë shtetesh. Autorët e analizës arritën në përfundimin se liderët afrikanë morën pak rezultate konkrete nga takimi me Putinin dhe se prakticiteti i samitit Rusi-Afrikë do të rishqyrtohet në të ardhmen. As imazhi i Rusisë në Afrikë nuk është absolutisht pozitiv. Një sondazh i kryer nga IPSOS në qershor 2023 në Senegal, Nigeri, Ugandë, Kenia, Zambia dhe Republikën e Afrikës së Jugut, tregoi se në secilin prej këtyre vendeve, mbi 50 për qind e popullsisë ishin dakord që Rusia kreu krime lufte në Ukrainë, ndërsa më pak se 30 për qind nuk pajtohen me këtë deklaratë.

Si shkruan studiuesi Joseph Siegle për Qendrën Afrikane për Studime Strategjike nga Uashingtoni, “ndikimi i Rusisë në Afrikë mund të tejkalojë kapacitetet e saj”. Ai thekson:

“Ka një zgjim në rritje në kontinent se sa pak sjell Rusia në Afrikë përsa i përket investimeve, tregtisë, krijimit të vendeve të punës ose sigurisë. Dislokimi i mercenarëve të saj, dezinformatat polarizuese, ndërhyrja politike dhe armët e dyshimta për marrëveshjet e burimeve, do të thotë se Rusia në të vërtetë është një përforcuese e destabilitetit në kontinent.”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.