Reagime pas vendimit të Kenias për heqjen vizave

Viza keniane në një pasaportë kanadeze. Foto nga Andrew Currie nga Wikimedia Commons (CC BY-SA 2.0 DEED).

Ky artikull u botua fillimisht nga Africa Feeds. Një version i tij ribotohet në Global Voices, si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti për ndarjen e përmbajtjes.

Në vitin 2023, Kenia njoftoi zbatimin e një politike pa viza për të gjithë vizitorët në kombin e Afrikës Lindore. Javën e kaluar, ajo hyri në fuqi, duke bërë Kenian si vendin e parë që zbaton një regjim pa viza për të gjithë udhëtarët e huaj, pavarësisht nga kombësisë.

Si raportohet nga Citizen Digital, qeveria keniane synon të stimulojë turizmin ndërkombëtar duke hequr vizat.

Julius Bitok, sekretari kryesor i emigracionit, shprehu optimizëm për ndryshimin e politikave, duke thënë: “Ne jemi siguruar që udhëtimi në Kenia të jetë një përvojë e lehtë dhe e këndshme. Ne presim rreth 2 milionë turistë në vit, por besojmë se me këtë ndryshim, shifrat do të dyfishohen, madje edhe më shumë, në mbi 5 milionë në vit”.

Siç raportohet nga faqja e lajmeve AA, Kenia përfitoi 1.8 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi, por zyrtarët po synojnë që shifra të arrijë në 9.5 miliardë dollarë, me heqjen e vizave.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, ka 9787 aplikime, 4046 të përpunuara tashmë. Deklarata theksonte gjithashtu se përpara regjimit pa viza, shtetasve nga 51 vende nuk i kërkohej vizë për të hyrë në Kenia, ndërsa atyre të 155 shteteve të tjera u duhej të aplikonin për vizë.

Regjimi i ri përdor një sistem më të avancuar të autorizimit elektronik të udhëtimit (ETA), duke zëvendësuar vizat konvencionale me një proces të thjeshtë aplikimi online. Sipas deklaratës së ministrisë së brendshme, ETA synon të sjellë përmirësime thelbësore në përvojën e udhëtimit dhe tranzitit për shtetasit e huaj që vizitojnë Kenian. Këto përmirësime përfshijnë trajtim të barabartë dhe tarifa të reduktuara, informacion për pasagjerët, ulje të kohës së përpunimit dhe krijimin e një zyre të dedikuar për ETA.

Megjithatë, zbatimi solli reagimet e disa përdoruesve afrikanë të rrjeteve sociale.

Reagime ndaj zbatimit të regjimit pa viza

Reporteri i CNN, Larry Madowo, gazetari nga Zimbabvja, Hopewell Chin'ono dhe sipërmarrësi nga Malavi, Jones Ntaukira, kritikuan kompleksitetin e procesit të ri.

Larry Madowo vuri në dukje në X (ish Twitter): “Kenia tani është “pa viza” për çdo njeri në Tokë. Por ju nuk mundeni që thjesht të hipni në avion. Duhet të aplikoni për Autorizim Elektronik të Udhëtimit, të paguani 30 dollarë dhe të prisni deri në 3 ditë për miratim. Pra, një vizë?”

Ai shtoi se kostoja aktuale e ETA është 34,09 dollarë, por në faqen e internetit të ETA-s nuk thuhet se sa kushton:

Kostoja aktuale e Autorizimit Elektronik të Udhëtimit në Kenia – një vizë që nuk quhet vizë – duket të jetë 34,09 dollarë. Çuditërisht, faqja e internetit e ETA nuk tregon se sa kushton. Duhet të aplikoni për ta zbuluar.

Hopewell Chin'ono argumentoi se qeveria keniane e ka bërë më të vështirë për afrikanët të cilët më parë nuk kishin nevojë për vizë:

Të dashur afrikanë, Kenia nuk po i thotë botës të vërtetën kur deklaron se nuk ka më viza, nuk është kështu! Në fakt e ka bërë më të vështirë udhëtimin atje për afrikanët që nuk kishin nevojë për vizë më parë, dhe unë NUK do të shkoj në Kenia përveç më duhet të shkoj për punë.

Jones Ntaukira e përshkroi procesin e ri si të komplikuar.

Kështu deri para 24 orësh, si një shtetase nga Malawi, mund të zgjohesha, të blija një biletë dhe të fluturoja për në Kenia pasdite, pa vizë. Tani Kenia ka “hequr vizat” për të gjithë ata që vizitojnë Kenia, por të gjithë duhet të paguajnë tarifën e autorizimit të udhëtimit prej 30 dollarësh 72 orë përpara udhëtimit. Çfarë? E frikshme!

Në ndryshim nga regjimet tradicionale të vizave shumëvjeçare, ETA e Kenias është specifike për një udhëtim të vetëm, duke u kërkuar udhëtarëve që të marrin një ETA të re për çdo vizitë. Më parë, një vizë me një hyrje kushtonte 50$, ndërsa një vizë me shumë hyrje kushtonte 100$.

Qytetarët kenianë janë shqetësuar duke argumentuar se tarifa prej 30$ për ETA mund të bëjë që vendet e tjera afrikane, të cilat më parë gëzonin akses të pakufizuar në Kenia, të përgjigjen me kufizime ose regjim vizash. Disa shqetësohen gjithashtu se regjimi mund të jetë sjellë efekte të kundërta, përfshirë bojkotin nga të huajt.

Qeveria keniane deri më tani nuk ka reaguar ndaj këtyre shqetësimeve.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.