Anijet e regjistruara në BE peshkojnë pa kriter dhe eksportojnë peshqit pellagjikë nga ujërat afrikane

Juliet Efemena, një përpunuese peshku në Guinea-Bissau. Foto nga: Gideon Sarpong, iWatch Afrika, nëntor 2023, përdorur me leje.

Ky artikull u botua fillimisht nga iWatch Africa. Një version i shkurtër ribotohet në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti për ndarjen e përmbajtjes.

Një investigim nga Gideon Sarpong në partneritet me Rrjetin e Raportimit të Oqeanit të Qendrës Pulitzer hedh dritë mbi eksportin e peshqve të vegjël pelagjikë (kryesisht açuget, sardelet dhe toni) të peshkuara pa kriter nga anijet e regjistruara në Bashkimin Evropian (BE) që operojnë në Afrikën Perëndimore.

Sipas raportit, kompania Ocean Whale, e themeluar në vitin 2016, është shfaqur si një lojtare në hije në industrinë e peshkimit afrikan. Duke operuar me një flotë prej pesë anijesh peshkimi në të gjithë kontinentin, veprimet e Ocean Whale kanë ngritur shqetësime, pasi shfrytëzon boshllëqet legjislative dhe kërcënon rezervat e vogla të peshkut pelagjik të Afrikës Perëndimore, një mjet jetese për peshkatarët vendas.

Raporti thekson gjithashtu se kompania që zotëron Pilot Whale, pretendon të jetë një ent legjitim i regjistruar zyrtarisht në Maltë me numrin e regjistrimit C76874. Megjithatë, investigimi zbulon se operacionet e kompanisë i kapërcejnë kufijtë, duke ekspozuar një mospërputhje shqetësuese midis regjistrimit dhe fushës së aktiviteteve të saj.

Ajo që i shton mister kësaj historie është zgjedhja e veçantë e flamujve për pesë anijet e saj me përmasa industriale: Right Whale, Pilot Whale, Sei Whale, Grey Whale, and Crystal Hope. Pavarësisht se operojnë jashtë kufijve të Kamerunit, këto anije mbajnë flamurin kamerunas, duke ngritur pyetjet në lidhje me motivin e një zgjedhjeje të tillë.

Lexo më shumë: Si anijet e regjistruara në BE përdorin flamujt për të maskuar praktikat e paligjshme të peshkimit në Afrikën Perëndimore

Thelbi i kësaj polemike qëndron në “urinë dhe mosngopjen” e Ocean Whale për peshq të vegjël pelagjikë, një burim në rrezik të madh në ujërat e Afrikës Perëndimore, sipas shkencëtarëve. Midis rezervave të peshkut, sardinela zë një vend të veçantë, pasi është një burim ushqimor tradicional për komunitetet e Afrikës Perëndimore. Jo vetëm që është i përballueshëm dhe thelbësor për sigurinë ushqimore në vende si Guinea-Bissau dhe Mauritania, ai gjithashtu siguron proteina shtazore thelbësore, mikronutrientë dhe acide yndyrore për miliona vetë në të gjithë rajonin.

Gjatë investigimit, analiza e të dhënave të Sistemit të Identifikimit Automatik (AIS) ekspozoi praktikat grabitqare të peshkimit të Ocean Whale brenda Zonave Ekonomike Ekskluzive (ZEE) të Mauritanisë, Guinea-Bissau, Angolës dhe Namibisë. Këto anije plaçkisin burimet detare të Afrikës Perëndimore, duke shpërfillur shqetësimet shkencore për qëndrueshmërinë.

Në tetor, Komiteti i Përbashkët Shkencor, që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së peshkimit BE-Mauritani, nxori një raport që është i barabartë me një padi ndaj flotës së peshkimit të BE-së në rajonin e Afrikës Perëndimore.

Raporti vuri në dukje se flota e BE-së që kap peshq të vegjël pelagjikë në Afrikën Perëndimore, veçanërisht anijet e Evropës Lindore, vazhdojnë të shpërfillin detyrimet e tyre për të patur në bord vëzhgues shkencorë, ndërkohë që peshkojnë në mënyrë të paqëndrueshme.

Gjithashtu, të dhënat nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) në vite u analizuan nga Gideon Sarpong. Gjetjet zbuluan një pamje të zymtë të mbipeshkimit të sardinelës në rajonet ku operon kompania Ocean Whale. Kjo prirje alarmante e vendos ekosistemin delikat detar në prag të kolapsit, duke rrezikuar jetesën lokale dhe sigurinë ushqimore rajonale.

Ekspertja e peshkimit Beatrice Gorez, koordinatorja për Koalicionin për Marrëveshjet e Peshkimit të Drejtë, një konsorcium organizatash të angazhuara për të hedhur dritë mbi ndikimet e marrëveshjeve të peshkimit mes BE dhe Afrikës, ngre një shqetësim në një intervistë me Gideon Sarpong:

Kjo është me të vërtetë një njollë e zezë në politikën evropiane, sepse për momentin ka shumë pak mjete legjislative që BE të veprojë kundër këtyre anijeve ku pronarët përfitues janë evropianë, por mbajnë flamurin e një vendi tjetër.

Ajo theksoi nevojën që Komisioni Europian të marrë masa kundër individëve dhe kompanive në BE që zotërojnë ose menaxhojnë anije të përfshira në praktika të paqëndrueshme peshkimi në territoret e huaja.

Thirrja e Gorez nënvizohet nga fakti se në Mauritani, Guinea-Bissau dhe shtete të tjera të Afrikës Perëndimore, ka një mungesë të dukshme të menaxhimit të duhur rajonal për peshqit e vegjël pelagjikë, duke e lënë të hapur derën për praktikat shfrytëzuese. Sipas saj, anijet e BE-së, qofshin me flamur të BE-së ose nën flamurin e Kamerunit, duhet të ndalohen të hyjnë në këto ujëra.

Eksporti i peshkut të vogël pelagjik në Evropë

Një raport i IUU Watch zbulon një paradoks shqetësues në politikat e importit të Komisionit Evropian. Pavarësisht ndalimit të importit të produkteve të peshkimit nga Kameruni, rreth 10 milionë euro të këtyre produkteve gjetën rrugën e tyre në vende të ndryshme të BE-së deri në shtator 2023.

Si pjesë e investigimit të Sarpong, të dhënat u morën nga platforma e Observatorit Evropian të Tregut për Produktet e Peshkimit dhe Akuakulturës (EUMOFA). Këto të dhëna u kundërshtuan nga KE, e cila pranoi se produktet e peshkimit nga Kameruni hynë në Union në vitin 2023, por në sasi shumë të vogla. Megjithatë, kur hetuesit kërkuan fakte për të vërtetuar pretendimin e tyre, nuk kishte asnjë të dhënë të tillë.

Eksporti i peshkut nga Kameruni në BE, janar-shtator 2023. Dizajni nga Daniel Abugre Anyorigya, i përdorur me leje.

KE pretendon se këto importe janë jashtë objektit të “skemës së tyre të certifikimit të kapjes”, e ngjashme me “gostikat dhe peshqit zbukurues”, për të cilat argumentoi se “kryesisht importoheshin nga Franca dhe Belgjika”.

Analiza e mëtejshme e të dhënave të eksportit të peshkut nga EUMOFA zbuloi informacione më befasuese. Peshqit me vlerë mbi 150 milionë euro, që përfshijnë specie të peshkuara pa kriter si pelagjikët e vegjël, kishin hyrë në BE nga Mauritania dhe Guinea Bissau në shtator 2023.

Zëdhënësi i KE-së përmendi nenin 17 të Rregullores së IUU-së (Ilegale, e Pa raportuar dhe e Parregulluar), e cila fuqizon shtetet anëtare të BE-së të zbatojnë procedurat e verifikimit kur importojnë produkte peshku.

Zëdhënësi argumentoi se “Komisioni po mbështet zbatimin efektiv të skemës së certifikimit të kapjes nga shtetet anëtare nëpërmjet zhvillimit të IT CATCH”, një sistem IT që synon dixhitalizimin e të dhënave të certifikimit të kapjes dhe harmonizimin e procedurave.

Megjithatë, një auditim i kontrolleve aktuale të BE-së CATCH tregoi se masat e vendosura për të luftuar peshkimin e paligjshëm janë pjesërisht efektive, me efektivitetin e reduktuar që i atribuohet zbatimit jokonsistent të inspektimeve dhe ndëshkimeve nga shtetet anëtare.

Zyrtarët si në Mauritani ashtu edhe në Guinea-Bissau nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të drejtuara.

Rruga përpara

Implikimet e gjera të kësaj krize ekologjike shtrihen përtej brigjeve të oqeanit, duke depërtuar në jetën e komuniteteve lokale. Të përfshirë në këto komunitete janë individët që varen drejtpërdrejt nga deti për jetesën e tyre dhe zërat e tyre flasin shumë për sfidat me të cilat përballen.

Abdoulaye Kaba, një 35-vjeçar banor i Guinea-Bissau, shprehu zhgënjimin e tij të thellë: “Sfida më e madhe ka qenë dekada e fundit. Ne marrim vetëm një grusht peshqish, pasi jemi munduar për disa orë në det.”

Ai theksoi se profesioni dikur fitimprurës i peshkimit artizanal kishte humbur fuqinë ekonomike, një dëshmi e zymtë e përmasave të krizës.

Për shitësit vendas të peshkut, kryesisht gra, sfida është e tmerrshme. Juliet Efemena, një përpunuese peshku në të 30-at, shprehu ankthin e saj, duke thënë: “Përkeqësohet çdo vit. Të gjithë peshqit tanë janë vjedhur nga anijet e mëdha. Nuk dimë çfarë të bëjmë.”

Fjalët e tyre prekëse përshkruajnë një panoramë dëshpërimi, ndërsa komunitetet përballen me cënimin e pamëshirshëm nga peshkimi industrial në mënyrën e tyre tradicionale të jetesës.

Gjendja e vështirë e Guinea Bissau përballë këtij stoku në rënie të peshkut nënvizohet nga performanca e saj dëshpëruese në Indeksin e Peshkimit IUU 2021. Vendi ishte në mesin e 10 kombeve me performancën më të keqe, duke dështuar në respektimin e klauzolave ​​kritike të transparencës dhe diskriminimit brenda SFPA-ve të tij me Komisionin Evropian. Kjo jo vetëm që pasqyron mangësitë sistemike në menaxhimin e peshkimit, por gjithashtu përbën një kërcënim të madh për mirëqenien e qytetarëve të saj.

Beatrice Gorez përshkruan një rrugë të mundshme përpara përmes zbatimit të deklaratës ministrore nga Organizata e Shteteve të Afrikës, Karaibeve dhe Paqësorit. Kjo deklaratë u bën thirrje vendeve të përfshira të mbledhin informacion në lidhje me pronarët përfitues të anijeve dhe famujve. Duke ndërmarrë këtë hap, kombet mund të nxisin përgjegjshmëri dhe qëndrueshmëri më të madhe në industrinë e peshkimit, një lëvizje e vonuar prej kohësh, argumenton ajo.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.