Mbretëria e Bashkuar (MB) dhe Ruanda nënshkruan më 14 prill një marrëveshje të diskutueshme për të zhvendosur azilkërkues nga Britania në Ruandë. Marrëveshja përfshin dërgimin e emigrantëve të jashtëligjshëm nga MB në Ruandë derisa të marrin pëgjigjen për procesin e tyre të azilit.
Shkak i kësaj marrëveshjeje është fakti se numri i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka të vogla u rrit nga rreth 8,500 në 2020, 28,000 në 2021 në 45,000 në vitin 202, dhe qeveria beson se zbatimi i kësaj politike do të shkurajojë njerëzit të përdorin këto “metoda të paligjshme, të rrezikshme ose të panevojshme për të hyrë në MB”.
Megjithatë, kjo marrëveshje u kritikua jo vetëm nga organizatat e të drejtave të njeriut si Amnesty International dhe UNHCR, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, por edhe politikanë të opozitës britanike që e cilësuan atë si çnjerëzore. Në nëntor, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar u shpreh kundër planit:
The UK Supreme Court has ruled against the British government's plan to send asylum seekers to Rwanda, saying it's unlawful.
The court unanimously ruled that Rwanda is not a safe third country to send asylum seekers to.
Here’s some context 🧵https://t.co/C84pk0OWZr
— BBC News Africa (@BBCAfrica) November 15, 2023
Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar u shpreh kundër planit të qeverisë britanike për të dërguar azilkërkues në Ruandë, duke thënë se është kjo është e paligjshme. Gjykata vendosi njëzëri se Ruanda nuk është një vend i tretë i sigurt për të dërguar azilkërkuesit. Këtu është konteksti
Në një intervistë me CGTN Africa, Alain Mukurarinda, zëvendës zëdhënësi i qeverisë së Ruandës, sqaroi pranimin e marrëveshjes si një angazhim për të zgjidhur krizën e emigrantëve. Ai theksoi se Ruanda, duke u mbështetur në përvojën e saj në pritjen e migrantëve, është një vend i sigurt e i aftë për të ofruar një cilësi minimale jetesë.
Megjithatë, në vitin 2020, UNHCR-ja dorëzoi një raport në procesin e Rishikimit Periodik Universal (UPR) në lidhje me azilin e Ruandës. UNHCR shprehu shqetësime, duke përfshirë mohimin arbitrar të aksesit në procedurat e azilit për disa njerëz, rrezikun e ndalimit dhe dëbimit të azilkërkuesve pa dokumente, diskriminimin në procedurat e azilit me të cilat përballen individët LGBTIQ+ dhe mungesën e përfaqësimit ligjor.
Mukurarinda theksoi faktin se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të financojë programin e azilit, me fondet e destinuara për zhvendosjen e azilantëve. Raportet e fundit tregojnë se Mbretëria e Bashkuar ka paguar 100 milionë paundë (126 milionë USD) këtë vit, mbi 140 milionë £ (176 milionë USD) vitin e kaluar, edhe pse asnjë azilkërkues nuk është dërguar nga MB në Ruanda për shkak të vonesave të shkaktuara nga sfidat ligjore.
Ky nuk është rasti i parë i një marrëveshjeje të tillë. Në një video në YouTube nga CGTN Africa, Achieng Akena, drejtore ekzekutive e Iniciativës Ndërkombëtare për të Drejtat e Refugjatëve komentoi proceset e azilit, duke përmendur raste si Danimarka që po tenton një marrëveshje të ngjashme me Ruandën dhe Shtetet e Bashkuara që dërgojnë afganë në Ugandë. Sipas Achieng, Bashkimi Afrikan e kritikoi këtë proces si ksenofobik dhe tërësisht të papranueshëm. Ajo tha se fakti që kjo ishte një marrëveshje e fshehtë që u bë midis qeverive pa konsultim, bie ndesh me idealet e pan-afrikanizmit dhe atë që afrikanët po përpiqen të arrijnë si kontinent.
Lewis Mudge, drejtori i Afrikës Qendrore në Human Rights Watch, shprehu skepticizëm rreth suksesit të marrëveshjes në të njëjtën video në YouTube
Nuk funksionoi në Australi. Australia u përpoq të zbatonte këtë lloj programi dhe kishte pasoja të tmerrshme përsa i përket shkeljes së plotë të të drejtave të njeriut.
Komentet për marrëveshjen ndryshojnë midis organizatave dhe individëve të ndryshëm në Afrikë. Ndërsa disa nuk shohin ndonjë problem, të tjerët e kundërshtojnë me forcë.
Sipas UNHCR-së, 85 për qind e refugjatëve të botës tashmë janë në vendet në zhvillim. Vetëm Ruanda strehon rreth 130,000 refugjatë, 91 për qind e tyre jetojnë në kampe. Në videon e CGTN Africa, Gatete Nyiringabo Ruhumuliza, një avokat i të drejtave të njeriut dhe analist i pavarur politi, dha këndvështrimin e tij mbi kapacitetin e Ruandës për të pritur refugjatët:
Emigrantët nuk janë problem për ne. Nuk ka të bëjë me aftësinë tonë për t'i pritur ata; ka të bëjë me shfrytëzimin e forcës dhe aftësive të tyre. Këta janë individë elastikë që kanë kaluar lumenj, shkretëtira dhe zona lufte. Ne do të përfitojmë prej tyre. Në fakt, ne duhet të marrim pagesë nga MB që ata të na dërgojnë njerëz të tjerë.
Lidhur me përfitimet për azilkërkuesit, Lewis beson se marrëveshja nuk do të tu japë shumë mundësi atyre që kërkojnë të shkojnë në MB. Ai argumenton se ata që arrijnë në MB kanë të drejtë që rastet e tyre të azilit t'i trajtojnë aty dhe nëse arsyet janë të besueshme, azili duhet të jepet.
Lewis dhe Achieng pretendojnë se Mbretëria e Bashkuar po e përdor këtë plan për të shmangur përgjegjësinë e saj për sigurimin e azilit. Ata e shohin marrëveshjen negativisht, duke përmendur shqetësimet për sigurinë e Ruandës, duke vënë në dukje historinë shqetësuese të të drejtave të njeriut dhe duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e MB për Ruandën si një strehë e sigurt.
Ajo thekson mungesën e qartësisë për të drejtat e individëve të zhvendosur në Ruandë, duke kritikuar mungesën e informacionit në lidhje me zbatimin e procedurave të qarta dhe mbrojtjen e të drejtave që janë të disponueshme në MB, por që mund të mos jenë në vendin e destinacionit. Ajo e konsideron këtë të papranueshme, ksenofobike dhe raciste.
Ndërsa MB dhe Ruanda e perceptojnë migrimin e afrikanëve si një problem, Achieng dhe Bashkimi Afrikan nuk janë dakord. Achieng thekson se numri i afrikanëve që migrojnë në Evropë është minimal në krahasim me migrimin intrakontinental dhe aziatik. Sipas Achieng, përgjigja e Bashkimit Afrikan ka qenë përmirësimi i migracionit legal në të gjithë Afrikën dhe miratimi i një protokolli për lirinë e lëvizjes, gjë që është ende në proces.
UNHCR raportoi se që nga viti 2022, mbi 108 milionë njerëz në mbarë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të persekutimit, konfliktit, dhunës, shkeljeve të të drejtave të njeriut ose ngjarjeve që kërcënojnë seriozisht rendin publik. Nëse kjo politikë e diskutueshme do të trajtojë efektivisht krizën e emigrantëve pa cënuar të drejtat e refugjatëve, mbetet për t'u parë.