Neville Garrick, artisti xhamajkan që përfshiu Bob Marley-n në dizajnet e tij, ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare

Në drejtim të akrepave të orës nga lart majtas: “Catch a Fire” e Bob Marley dhe Wailers, “Rastaman Vibration”, “Exodus” dhe “Uprising”, vepra artistike nga Neville Garrick. Përdorim i drejtë.

Familja e Neville Garrick, grafistit xhamajkan dhe krijuesit të albumeve më ikonike të muzikës reggae, njoftoi më 15 nëntor se ai u nda nga jeta në Los Anxhelos, pas një “beteje të shkurtër, por të guximshme me kancerin”. Një mik i ngushtë dhe drejtor artistik i Bob Marley, Garrick ishte veçanërisht i famshëm për dizajnimin e kopertinave të albumeve më të vlerësuara të ikonës reggae, por kishte shumë aspekte të tjera në jetën e tij, si një besimtar Rastafarian i devotshëm, aktivist politik dhe krijues.

Vajza e Garrick, Naomi shkroi:

Fjalët nuk mund të shprehin në mënyrë të qartë atë që ne aktualisht ndiejmë si familje për humbjen e Nevilin tonë të dashur. Ai ishte një tregimtar historik, artist prekës, autor, folës, i diplomuar në Kingston College dhe UCLA dhe për ne babai, gjyshi, ‘Poppy’, ofrues dhe mik. Zemrat tona janë thyer ndërsa përballemi me këtë humbje. Neville me fjalët e tij ‘ngjyrosi muzikën’ por për ne, ai ngjyrosi jetën tonë. Shpresojmë që vepra e tij të vazhdojë të shijohet dhe të kremtohet në mbarë botën.

Vajza e Marley, Cedella, e cila është drejtore ekzekutive e grupit të kompanive Bob Marley, postoi një mesazh të thjeshtë në Instagram me një fotografi që tregon Garrick teksa reflekton: “Fluturo larg për në shtëpi, xhaxhi Neville”.

Fondacioni Bob Marley postoi një kolazh fotografish në Facebook me mesazhin:

Drejtori artistik dhe miku i mirë i Bob, Neville Garrick, ndërroi jetë dhe është në udhëtimin e tij për në shtëpi. Ngushëllime fëmijëve, familjes dhe miqve. Jeta e tij do të mbahet mend përmes zërit dhe artit të tij. Trashëgimia jeton. RASTAFARI

Wailers’ Junior Marvin ndau:

Neville Garrick pusho në paqe duke buzëqeshur me Bob dhe të tjerët tani. Jah Guide & Bless. Ngushellime Familjes & Miqve

Vajza e Jimmy Cliff, producentja muzikore Odessa Chambers, bëri homazhe për “xhaxhi” Neville:

“Dizajni është i mirë… Historia është e imja”… Rruga e mbarë xhaxha #NevilleGarrick. Mik i dashur i dy prindërve të mi

Kryeministri Andrew Holness bëri gjithashtu homazhe:

I shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve të Neville Garrick. Ikja e tij lë një boshllëk jo vetëm në komunitetin artistik, por edhe në zemrat e atyre që e admiruan dhe e vlerësuan.

Garrick ju bashkua klasave të artit në një shkollë të mesme të njohur djemsh, Kingston College, në moshën 14-vjeçare. Ai ndoqi Kolegjin Universitar të Los Anxhelosit (UCLA) për katër vjet me një bursë futbolli, duke arritur në finalet e Shoqatës Kombëtare të Atletikës Kolegjiale në 1971 dhe 1972. Gjatë ditëve të tij në universitet, ai ishte redaktor i revistës së studentëve me ngjyrë të UCLA-së Nommo dhe filloi të projektonte postera politikë; një nga të parët e tij ishte për Angela Davis.

Si student në vitin 1970, ai dhe gjashtë artistë të tjerë filluan një projekt mural që përshkruante betejat dhe arritjet e afro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara në UCLA. Murali u restaurua dhe u rishfaq për publikun në vitin 2014. Si student, Garrick gjithashtu filloi të pikturonte (dhe të shiste piktura) me tema afrikane, duke theksuar në një intervistë të vitit 2001: “Unë isha i përfshirë në çdo lloj demonstrimi studentor në kampus. Unë bëja postera për protestat, me grushtin e pushtetit dhe kështu me radhë.”

Duke bërë homazhe për Garrick, një përdorues i “X” (dikur Twitter) shkroi:

Ne humbëm një njeri të mirë dje. Neville Garrick ishte një artist fitues i çmimeve, përgjegjës për krijimin e shumë prej kopertinave të albumeve për mikun e tij të mirë, Bob Marley. Ndërsa ndoqi UCLA, ai pikturoi këtë mural në fillim të viteve '70.

Pas kthimit në Xhamajka, Garrick punoi për një vit si drejtor artistik për një botim lokal, Daily News, përpara se të jepte dorëheqjen për t'u bashkuar me Tuff Gong Records. Pikërisht përmes sportit Garrick u takua me Bob Marley-n; futbollisti i kombëtares Alan “Skill” Cole e prezantoi atë me Marley (një adhurues i madh i futbollit) dhe kështu nisi miqësia e tyre.

Garrick e përshkroi Marley-n si një “vëlla të madh” i cili ishte më i zgjuar se ai, pasi vinte nga një sfond tjetër. Ai filloi të kalonte kohë në shtëpinë e atëhershme të Marley, në rrugën 56 Hope në Kingston – tani Muzeu Bob Marley – ku luheshin shumë ndeshje futbolli.

Garrick u bë drejtor artistik i Tuff Gong për Bob Marley, duke ideuar kopertinat për disa nga albumet më të famshme të muzikantit, përfshirë “Exodus” dhe “Rastaman Vibration”. Ai vazhdoi të bënte kopertina bindëse të albumeve për muzikantë të tjerë Rastafarian gjatë viteve '70 dhe '80, përfshirë Bunny Wailer, Burning SpearPeter Tosh dhe Steel Pulse.

Kopertina e tij e parë ishte për Judy Mowatt, një anëtare e grupit mbështetës të Marley “I Threes”, e quajtur “Mellow Mood” (1975). Një nga dizajnet e tij më të hershme (duke përfshirë një fotografi të perandorit Haile Selassie I si fëmijë) ishte për Ras Michael dhe Sons of Negus. Sidoqoftë, për punën e tij me Marley dhe Island Records të Chris Blackwell , Garrick thoshte: “Kjo ishte hera e parë që një artist xhamajkan kishte ndonjë lloj kontrolli se si do dukeshin kopertinat e albumeve.”

Në fillim të këtij viti, Garrick njoftoi se “Rastaman Vibration” u njoh nga Billboard Magazine si e 22-ta nga 100 kopertinat më të mira të albumeve të të gjitha kohërave.

Megjithatë, Garrick nuk dizajnoi vetëm kopertinat e albumeve. Ai ishte përgjegjës për sfondet mahnitëse – dhe ndriçimin – me tema dhe ngjyra Rastafariane, për festivalin ikonik të muzikës Reggae Sunsplash, i organizuar për herë të parë në 1978 në Montego Bay. Festivali u bë jashtëzakonisht popullor gjatë viteve '80 dhe ishte një nxitje e madhe për turizmin – i organizuar edhe jashtë vendit dhe i regjistruar në albume dhe video. Në kulmin e tij, festivali ishte i pranishëm në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Largët dhe Amerikën e Jugut.

Garrick dikur përshkroi punën vizionare që bëri, si në turnetë e Reggae Sunsplash dhe Marley-t jashtë shtetit nga 1981-1988, duke vënë në dukje se: “Sfondi im më i famshëm është i Madhërisë së Tij Perandorake, Perandori Haile Selassie I i Etiopisë që zbukuroi skenën pas Bob Marley nga 1976-1980, duke udhëtuar nëpër botë.”

Në vitin 1999, Garrick publikoi një libër me fotografitë e tij, “Pelegrinazhi i një Rasta: Fytyrat dhe Vendet Etiopiane“. Ai shkroi gjithashtu hyrjen e librit të Chris Morrow, “Stir It Up: Reggae Album Cover Art“. Duke folur për fotografinë e tij, në një intervistë të vitit 2001 me Eye Magazine, Garrick tha: “Mund të jesh teknikisht i shkëlqyer, por nëse nuk ke vizion, atëherë ke thjesht një fotografi teknikisht të shkëlqyer. Kjo nuk do të frymëzojë askënd.”

Në vitin 2016, Garrick ndau kujtimet e tij për koncertin e famshëm “One Love” të Bob Marley në 1978. Në vitin 2022, Shoqata e Industrisë Reggae Jamaica (JARIA) i dha atij Çmimin e Fondacionit Gregory Isaacs për Dizajnin e Albumeve. Çmimi kremtonte kontributet e tij të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin dhe promovimin e muzikës reggae.

Më 6 gusht, vajza e tij Naomi mori në emër të tij Urdhrin e Mirënjohjes, Klasa Komandant (CD), një çmim kombëtar për kontributin në muzikën, artin dhe kulturën e Xhamajkës.

Garrick ka qenë drejtor i Fondacionit Bob Marley, duke projektuar zgjerimin e Muzeut Bob Marley në Kingston. Projekti i tij i fundit me familjen Marley ishte në rolin e Këshilltarit Historik për filmin biografik të Bob Marley të Paramount Films “One Love”, i planifikuar të shfaqet në shkurt 2024.

Një përdorues i X shkroi:

Pusho në paqe Neville Garrick, Artist i Jashtëzakonshëm. E trishtë që nuk e pe idenë tënde, filmin e Bob Marley-t në kinema. Nuk mund t'i harroj kurrë vizitat e shumta në JBC ato ditë. Rebel me një kauzë.

Një tjetër shtoi:

Kur isha fëmijë, shihjakopertinat e albumit Bob Marley & The Wailers në bodrum… Pusho në paqe, Neville Garrick.

Këngëtarja Nadine Sutherland shkroi:

Më vjen mirë që folëm në fillim të vitit. Një luftëtar trim që pranove se koha jote për t'u ngjitur aty lart ishte afër. Që në fillimet e mia në Tuff Gong, gjithçka që më keni treguar ishte dashuri dhe respekt. Dritë, Paqe dhe Përparim për shpirtin tuaj Neville Garrick.

Para se të ndahej nga jeta, Garrick ishte duke punuar për “Colour the Music”, një dokumentar që po e bënte me të birin, Nesta, ku flitet për karrierën e tij. Ai gjithashtu po përfundonte një seri veprash arti të pikturuara me dorë që kremtojnë kulturën e njerëzve me ngjyrë.

Ai nuk ishte kurrë mbështetës i “artit për hir të artit”, ndaj është shprehur:

Unë nuk do të kompromentoj konceptin tim. Nëse argëtimi nuk përmban informacion, atëherë nuk dua të kem të bëj me të.

2 komente

Shto komentin tënd

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.