Nga Christopher Alexis dhe Isabelle Chen
Ky artikull u publikua fillimisht në Rrjetin e Lajmeve Mjedisore Cari-Bois në emër të Departamentit të Oqeanografisë dhe Proceseve Bregdetare të Institutit të Çështjeve Detare të Trinidad dhe Tobagos (IMA). Një version i redaktuar ripublikohet këtu si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.
I vendosur në bregun verior të Trinidadit, Grande Rivière e ka marrë emrin e tij nga lumi i madh që derdhet në detin Karaibe, në skajin lindor të plazhit, i cili, në gjatësinë rreth 1.2 kilometra ofron një habitat për kafshët e egra detare dhe bregdetare.
Plazhi është një nga vendet më të rëndësishme të foleve për breshkën me kurriz lëkure (Dermochelys coriacea), që është cilësuar si një specie e ndjeshme mjedisore në Trinidad dhe Tobago. Këto breshka janë shpallur gjithashtu në rrezik në shkallë globale, nga Lista e Kuqe e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe nga Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF).
Për banorët e zonës, plazhi Grande Rivière kontribuon në mirëqenien e tyre socio-ekonomike, pasi ofron ankorimin e anijeve të peshkimit. Pylli përreth tërheq gjithashtu turistë, pasi është shtëpia e një shumë zogjve, përfshirë Piping-Guan-in e rrezikuar me grykë blu, i quajtur nga vendasit si Pawi.
Turtle Village Trust (TVT) dhe Shoqata e Udhërrëfyesve të Natyrës dhe Turizmit në Grande Rivière (GRNTGA) e rendisin ekoturizmin si aktivitetin kryesor të gjenerimit të të ardhurave të zonës, falë rreth 15,000 turistëve, vendas dhe të huaj, që vizitojnë komunitetin çdo vit.
Kuptimi i erozionit të plazhit
Akumulimi i sedimentit spontan në plazhe siguron mbrojtje nga dallgët, rrymat dhe baticat dhe janë në një fluks të vazhdueshëm erozioni dhe grumbullimi.
Erozioni, megjithatë, mund të ketë ndikime të rëndësishme në infrastrukturën bregdetare, duke sjellë me pasoja për jetën e individëve, komuniteteve dhe madje edhe zonave të tëra.
Planifikimi dhe menaxhimi i zonës bregdetare mund të ndihmojë në ruajtjen e integritetit të plazheve dhe të sigurojë që shërbimet të funksionojnë.
Rrjedhja e sedimentit dhe erozioni në Grande Rivière
Me kalimin e kohës, episodet meteorologjike kanë krijuar kushte që kanë sjellë ndryshimin e rrjedhës së lumit Grand Rivière dhe si rezultat, lëvizjen e rërës përgjatë plazhit. Në tetor 2022, për shembull, u vu re se lumi kishte filluar të zhvendosej drejt perëndimit.
Ky zgjerim i grykës së lumit çoi në heqjen e rërës, duke bërë që pjesët lindore dhe perëndimore të plazhit të ndaheshin plotësisht. Vëllimi i madh i sedimentit që u hoq shkaktoi dëme në infrastrukturën bregdetare dhe përbënte një kërcënim për foletë e breshkave në mars 2023.
Ndërsa erozioni masiv është drastik, ai është pjesë e një procesi natyror të qarkullimit të sedimentit përgjatë vijës bregdetare. Me kalimin e kohës, rëra do të rimbushej natyrshëm – përveç rateve me kushte ekstreme të trazuara të detit, kur sedimenti do të mbetej në thellësi.
Fundi perëndimor i plazhit është në një gjendje ekuilibri dinamik, ku nuk ka humbje neto të rërës dhe zona e bregut të pasmë është e qëndrueshme falë shkëmbinjve rezistentë që janë karakteristikë për bregun verior të Trinidadit. Ndërkohë, pjesa lindore e plazhit, veçanërisht pranë grykëderdhjes së lumit Grande Rivière, pëson ndryshime të shpeshta në sasinë e sedimentit.
Grumbullimet në plazh zakonisht ndodhin mes majit dhe tetorit, kur dallgët janë të ulta. Në të kundërt, sedimenti bartet në det nga nëntori deri në mars, kur dallgët janë intensive. (Sezoni i foleve të breshkave zakonisht zgjat nga marsi deri në shtator të çdo viti.)
Fryrjet e dimrit të përjetuara gjatë muajve dhjetor deri në shkurt krijojnë dallgë më të mëdha që arrijnë deri në dy metra lartësi dhe lejojnë që sedimenti në det të rikthehet në plazh, si pjesë e procesit të qarkullimit natyror.
Hidrologjia e lumit ndikon gjithashtu në erozionin e plazhit. Në sezonin e shirave, shkarkimi i lumit rritet, duke krijuar vëllime më të mëdha dhe më të shpejta të ujit që bëjnë që ai të gërryhet dhe të transportojë më shumë rërë në det. Kohët e fundit, me reshjet më të shpeshta dhe ekstreme, gryka e lumit zgjerohet ose ndryshon rrjedhën, duke çuar në gërryerjen e plazhit.
Menaxhimi i erozionit bregdetar të zonës
Instituti i Çështjeve Detare (IMA) ka monitoruar plazhin Grande Rivière për më shumë se 20 vjet, duke vëzhguar se si vëllime të mëdha sedimentesh janë hequr nga plazhi dhe janë zhvendosur në det. Sedimenti kthehet në plazh gjatë disa javëve dhe muajve, në varësi të kushteve detare dhe meteorologjike.
Me ndryshimin e klimës dhe rritjen e nivelit të detit, që ndikon te shtimi i stuhive intensive, zgjidhjet inxhinierike ofrojnë një mundësi reale për të ulur erozionin.
Masat tradicionale të mbrojtjes së vijës bregdetare inxhinierike, si ndërtimi i mureve detare ose ridrejtimi i lumenjve, duhet të vlerësohen me kujdes, veçanërisht në zonat ekologjikisht të ndjeshme, si Grande Rivière.
Në vitin 2012, për shembull, Divizioni i Kullimit i Ministrisë së Punëve dhe Transportit ndërtoi një digë rëre për devijimin e lumit. Makineritë e rënda hoqën rërën nga ana perëndimore e gjirit dhe e zhvendosën në skajin lindor, ku lumi kishte shkaktuar erozion të madh.
Kjo solli shkatërrimin e foleve të breshkave dhe vezëve- një skenar fatkeq që theksoi nevojën për kujdes në kryerjen e aksioneve të tilla dhe për rritjen e ndërgjegjësimit për kërkesat e operimit në zona të ndjeshme ekologjikisht.
Një rast kur nuk duhet veprim
Vendimet që ndikojnë në dinamikën bregdetare duhet të bazohen në të dhëna shkencore. Duke patur parasysh rëndësinë ekologjike të plazhit Grande Rivière, si dhe njohuritë për qarkullimin e sedimentit natyror që në të shkuarën ka sjellë erozion, duhet të miratohet një plan “Pa Veprim” – të lejohet që sedimenti të kthehet në plazh në mënyrë të natyrshme, pasi redukton dëmet e mundshme në mjedis.
Të dhënat historike të IMA-s dhe fakti që episode të ngjashme u vunë re në Grande Rivière në 2002 dhe 2012, tregojnë se rimëkëmbja natyrore lejoi që plazhi të kthehej në gjendjen e tij të mëparshme në vetëm disa muaj.
Kjo nënvizon rëndësinë për planifikimin e duhur të zonës bregdetare – përcaktimin në zona të përdorimit të tokës dhe detit, por me disa kushte. Një qasje e tillë mund të ndihmojë në planifikimin dhe menaxhimin e vijës bregdetare dhe zonave ngjitur dhe të ulë cenueshmërinë bregdetare të lidhur me ndryshimin e modeleve të motit, erozionin dhe ngritjen e nivelit të detit.
Nuk rekomandohet që strukturat e forta inxhinierike ose mbushja e plazhit të përdoren për të frenuar erozionin bregdetar që ndodh në Grande Rivière, pasi kjo lloj ndërhyrje njerëzore mund të ketë pasoja negative në këtë zonë të rëndësishme mjedisore.
Zbatimi i menaxhimit dhe planifikimit të duhur të zonës bregdetare si dhe edukimi në këtë drejtim, janë thelbësorë që infrastruktura e re të mos kërcënohet nga erozioni i menjëhershëm i sedimentit – jo vetëm në Grande Rivière, por përgjatë gjithë vijës bregdetare të Trinidadit dhe Tobagos.