Plani i Italisë për të ngritur një qendër azilkërkuesish në Shqipërinë fqinje ngjall debate

Emigrantët zbarkojnë në ishullin Lampeduza, Itali. Foto nga: Vito Manzari/Matteo Penna (CC BY 2.0).

Emigrantët e shpëtuar në detin Mesdhe, që duan të shkojnë në Itali, do të vendosen nga Shqipëria në një qendër specifike derisa rastet e tyre të azilit të vlerësohen nga autoritetet italiane. Kështu ranë dakord më 6 nëntor në Romë kryeministrat e Italisë dhe Shqipërisë, Georgia Meloni dhe Edi Rama.

Italia dhe Shqipëria nënshkruan sot një memorandum të rëndësishëm mirëkuptimi që synon të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore dhe të parandalojë flukset e parregullta migratore. Një marrëveshje historike për të cilën dua të falënderoj kryeministrin @ediramaal dhe gjithë qeverinë shqiptare.

Më herët u raportua se sipas marrëveshjes, Italia do të mbulonte koston financiare të ndërtimit të dy qendrave të emigracionit, në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër, në veriperëndim të Shqipërisë. Por të mërkurën, në një intervistë për RaiNews24, kryeministri Rama sqaroi se nuk do të ketë dy qendra. Do të jetë një qendër pritjeje dhe një pikë përpunimi.

“Një qendër jo dy. Mund të ishin dy, por është vetëm një”, tha Rama.

Kryeministrja italiane, duke njoftuar marrëveshjen tha se Shqipëria do të presë gati 3,000 njerëz pasi qendra të hapet në vitin 2024. Meloni shtoi se qeveria italiane shpreson të rrisë kapacitetin për të pritur 36,000 emigrantë në vit. Ata do të qëndrojnë në qendër për një periudhe 28-ditore kur shpejt do të shqyrtohen aplikimet për azil. Shqipëria do të sigurojë gjithashtu sigurinë në ambiente, të cilat do të jenë nën juridiksionin italian.

Meloni erdhi në pushtet në tetor 2022 me një platformë të fortë kundër emigracionit, por mbërritjet e emigrantëve janë pothuajse dyfishuar në 2023, nga viti në vit, sipas të dhënave të qeverisë të publikuara nga Politico.

Në vitet '90, Italia priti një numër të lartë shqiptarësh dhe Roma është tani një nga mbështetëset më të forta të shpresave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Ne jemi miq dhe mes miqsh ju ndihmoni njëri-tjetrin”, tha Rama në Itali, cituar nga Reuters.

Marrëveshja e beftë surprizon

Pas publikimit të lajmit, nisën reagimet, kryesisht kundër marrëveshjes. Ndërsa partnerët politikë të Melonit e quajnë atë një marrëveshje të mirë, kundër saj janë partitë opozitare, duke përfshirë Ricardo Magi, sekretar i More Europe, e njohur gjithashtu si Partia Europa Plus, i cili thotë se kjo marrëveshje po krijon në Shqipëri një burg të ngjashëm me atë të Guantanamos, raporton Euronews.

Në Shqipëri, Partia Demokratike e opozitës kërkoi interpelancë në Kuvend me kryeministrin Rama për të shpjeguar marrëveshjen me Italinë dhe gjithashtu paralajmëroi se do ta referojë atë në Gjykatën Kushtetuese.

Përfaqësues të organizatave vendase të shoqërisë civile në Shqipëri dhe qytetarët postuan në mediat sociale kundërshtimet e tyre:

“Shqipëria nuk do të jetë kurrë vendi ku shtetet e pasura krijojnë kampe për të plasur #refugjatët e tyre. KURRË!” #EdiRama, kryeministër i #Shqipërisë në vitin 2021 (2 vjet para nënshkrimit të #marrëveshjes me #Italinë…dje…që lejon pikërisht të njëjtën gjë)

Ky përdorues i X (ish Twitter) ngre pyetjen nëse kjo qendër është e para nga shumë të tjera që do të hapen:

Prej kohësh ka pasur zëra për hapjen e qendrave të tilla nga BE-ja në Shqipëri – që tashmë duket se është e vërtetë. Pyetja tani është nëse kjo është e vetmja apo do të ketë më shumë?

Një përdorues tjetër i X bëri një krahasim me marrëveshjen BE-Tunizi që synon të ndalojë emigrimin ilegal:

Meloni ka një arsye politike pasi u premtoi votuesve të saj se do ta zgjidhte këtë çështje, tani kur marrëveshja tuniziane po dështon, Edi e dha vetë këtë propozim, Italia nuk e kërkoi. Shqipëria në këmbim po e përdor atë dhe shpreson të mirëpritet më shpejt në BE.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR tha se nuk është palë ose e përfshirë në marrëveshjen Itali-Shqipëri dhe aktualisht po kërkon informacion të mëtejshëm nga autoritetet përkatëse. Megjithatë, UNHCR bëri thirrje për respektimin e ligjeve ndërkombëtare:

Deklarata e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët për marrëveshjen Itali-Shqipëri: Marrëveshjet e transferimit të azilkërkuesve dhe refugjatëve duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar për refugjatët.

Teksa reagimi i UNHCR-së kishte një ton të zbutur, Amnesty International denoncoi ashpër marrëveshjen:

Njerëzit e shpëtuar në det nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në #Evropë, nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil. Është kaq e thjeshtë.

“Trend shqetësues”

Ekspertët e emigracionit thonë se marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë për qendrën e azilkërkuesve ndjek një tendencë shqetësuese të vendeve të Bashkimit Evropian, që përpiqen të menaxhojnë emigracionin duke parë përtej kufijve të bllokut. Ata kujtojnë një lëvizje të ngjashme nga Danimarka për të zhvendosur azilkërkuesit në Afrikë, e cila më pas u pezullua.

Gjatë krizës së emigracionit në Evropë në vitin 2015, qeverive të vendeve të BE-së ju desh të përballonin një fluks prej më shumë se 1 milion njerëzish, kryesisht refugjatë sirianë që kaluan nga Turqia në Greqi, duke mbingarkuar sistemet e sigurisë dhe mirëqenies dhe duke nxitur ndjenjat e së djathtës ekstreme. Që atëherë, emigrantët kanë vijuar të mbërrijnë nëpërmjet Mesdheut me anije, në Itali, Greqi, Spanjë, Qipro dhe Maltë, të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Duke komentuar marrëveshjen Itali-Shqipëri, Komisioni Evropian (KE), ekzekutivi i BE-së, tha se ka kërkuar informacion për detajet. Zëdhënësja e KE, Anitta Hipper, e cituar nga agjencia e lajmeve ANSA, tha:

Jemi në kontakt me autoritetet italiane. Kemi kërkuar të marrim detaje të marrëveshjes së emigracionit me Shqipërinë. Para se të komentojmë më tej, duhet të kuptojmë se cili është saktësisht qëllimi.

E pyetur nëse marrëveshja për qendrën mes Italisë dhe Shqipërisë është e ngjashme me planin e ish-anëtares së BE-së, Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkues në Ruandë, Hipper tha:

Duket ndryshe nga marrëveshja që Britania ka me Ruandën për të dërguar emigrantë në vendin afrikan.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.