Në Moldavi tensioni është i lartë për shkak të agresionit rus në Ukrainë

Hoteli i rrënuar ‘National’ në qendër të Kishinjevit me ngjyrat e flamurit ukrainas. Foto: Meta.mk, përdoret me leje.
Ky shkrim i Bojan Blazhevski fillimisht është publikuar nga Meta.mk. Një version i redaktuar është ribotuar këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.
Mund të ndjehet në ajër tensioni i lartë në kryeqytetin Kishinjev. Protestat, fushatat dezinformuese dhe masat kufizuese të pabazuara ekonomikisht, janë vetëm disa nga taktikat që Moska zyrtare po zbaton në rastin e Moldavisë.
Një ndërtesë e vjetër e rrënuar përshëndet pasagjerët që mbërrijnë në aeroportin në Kishinjevit. Përsa i përket madhësisë dhe pjesës së brendshme, më kujton ndërtesën e vjetër të aeroportit të Shkupit. Menjëherë pas hyrjes në godinën e vogël vjen një kontroll i pazakontë pasaporte. Dy oficerë të policisë kufitare janë aty, të mbikëqyrur nga një person i tretë me rroba civile. Pranë janë dy policë të repartit, të armatosur deri në dhëmbë. Moldavia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe jehona e luftës ndjehet menjëherë sapo mbërrin në kufirin e këtij vendi të vogël të Evropës Lindore.
Përpara meje janë rreth 20 pasagjerë dhe policia kufitare në këtë sportel, që është nga të paktët, ndan shtatë vetë për kontrolle shtesë dhe i përcjell në dhomat e posaçme. Fjalët magjike – jam gazetar – me sa duket ndryshojnë shprehjen e fytyrës së oficerit të policisë kufitare, i cili vëren menjëherë gjurmën e vizitës në Ukrainë në pasaportën time – vulën nga aeroporti i Kievit, Boryspil. Pasi u pyeta me dashamirësi për qëllimin e qëndrimit tim në Moldavi dhe se ku do të akomodohesha, mora vulën në pasaportë që më lejonte të hyja në vend.
Mihaili më pret në dalje të kontrollit në aeroport. Ai është shoferi im për në hotel. Ai kërkon falje që nuk ka mundur ta lërë makinën para aeroportit, pasi parkimi aty është rreptësisht i ndaluar, po ashtu ka një numër të madh taksish. Ai sqaron gjithashtu se garazhi i parkimit prej çeliku në aeroport është plot me automjete me targa ukrainase, ndaj nuk ka mundur të parkojë aty.
Që nga fillimi i agresionit rus, Ukraina ka mbetur pa trafik ajror dhe pika më e afërt e fluturimit për shumë qytetarë ukrainas është Kishinjevi. Qyteti bregdetar i Odesës, me më shumë se një milion banorë, është më pak se 200 kilometra nga këtu.
“Tani ka një milion qytetarë ukrainas në Kishinjev. Ata ikën nga lufta dhe tani kanë filluar të blejnë banesa në qytet”, shpjegon Mihaili.
Numri i refugjatëve ukrainas vazhdon të rritet, shpjegon Mihaili, duke portretizuar ashpërsinë e situatës në të cilën ndodhet Moldavia. Megjithatë, të dhënat e UNHCR-së tregojnë se Moldavia, deri më 15 tetor 2023, ka pranuar 111,338 refugjatë të regjistruar zyrtarisht nga Ukraina, nga 964,796 persona që kishin kaluar kufirin nga Ukraina pas fillimit të agresionit rus më 22 shkurt 2022. Rreth 120,000 nga refugjatët që kaluan kufirin nuk janë shtetas ukrainas, por qytetarë të vendeve të tjera, kryesisht rusë që shmangin rekrutimin në ushtri. Shumica e këtyre refugjatëve nuk qëndrojnë në Moldavi. Burime të OJQ-ve nga brenda vendit vlerësojnë se rreth 100,000 refugjatë aktualisht banojnë në Moldavi.
Këto shifra, nëse janë të sakta, janë dramatike për një vend që, në regjistrimin e fundit të Entit Statistikor të Moldavisë, në vitin 2014, kishte më pak se 3 milionë banorë të regjistruar. Kjo rritje e madhe e popullsisë pas pushtimit rus të Ukrainës është e dukshme në të gjithë Kishinjevin.
Por, optimizmi i Mihailit nuk shuhet. Ai shpjegon se Kishinjevi është një qytet jashtëzakonisht i sigurt, ka paqe në Moldavi dhe vetëm sirenat e ambulancave shqetësojnë atmosferën e qetë.
Turbulenca politike pa fund
Pavarësisht sqarimeve qetësuese të Mihailit, tensioni mund të ndjehet në ajër në Kishinjev. Në nëntor 1990, në këtë ish-republikë të BRSS shpërtheu një luftë midis qeverisë moldave dhe forcave separatiste Transnistriane të mbështetura nga Moska zyrtare. Armëpushimi u arrit më 21 korrik 1992, duke çuar në krijimin e një territori disi të okupuar në Moldavi përmes krijimit të republikës së pa njohur ndërkombëtarisht Transnistria (“Pridnestrovie” në rusisht).

Monumentet e periudhës sovjetike, me mbishkrime në gjuhët moldave dhe ruse, mund të shihen edhe sot në qendër të Kishinjevit. Foto: Meta.mk, përdoret me leje.
Transnistria sot është një republikë e vetëshpallur, e mbështetur nga ushtarë dhe pajisje ruse. Autoritetet moldave në Kishinjev de fakto nuk kontrollojnë një të dhjetën e territorit të saj të njohur ndërkombëtarisht. Një shqetësim shtesë për autoritetet moldave është agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe mundësia që Rusia të sulmojë Moldavinë.
Në disa raste gjatë një viti e gjysmë, presidentja pro-evropiane e vendit, Maia Sandu, deklaroi se Moska zyrtare synon të kryejë një grusht shteti për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Moldavisë. Protestat, fushatat dezinformuese dhe masat kufizuese të pabazuara ekonomikisht janë vetëm disa nga taktikat që Moska zyrtare ka aplikuar kundër Moldavisë në këtë periudhë.

Varfëria e qytetarëve moldavë mund të shihet në çdo cep në Kishinjevit; Foto: Meta.mk, përdoret me leje.
Gjatë muajit tetor, në pritje të zgjedhjeve, këto ishin disa nga çështjet. Për herë të parë që nga agresioni ushtarak në Ukrainë në shkurt 2022, Moldavia organizoi zgjedhjet lokale më 5 nëntor. Këto zgjedhje shihen si një provë besimi për koalicionin nën udhëheqjen e Partisë së Veprimit dhe Solidaritetit të presidentes Maia Sandu, ndaj disa partive opozitare pro-ruse. Një muaj para zgjedhjeve, kur isha në Moldavi, fushata elektorale ishte intensive në kryeqytet.

‘A mund të jetë më mirë?’ në rumanisht dhe rusisht – billboard i bllokut politik pro-rus të socialistëve dhe komunistëve në Kishinjev, Moldavi. Foto: Meta.mk, përdoret me leje.
Për më shumë lexoni: Moldavia mban një qëndrim ‘të moderuar dhe të qartë’ pro-BE-së në zgjedhjet lokale
Lufta ka të njëjtën fytyrë kudo
Qendra e Kishinjevit është shtëpia e strukturës eklektike të Muzeut Kombëtar të Historisë së Moldavisë. Në tetor, priti “Echo of War: Photo Exhibition from Syria to Ukraine” nga fotografi sirian Omar Sanadiki, duke paraqitur pasojat e luftërave në këto vende.
Sanadiki ka lindur në Damask. Lufta në Siri e detyroi të raportonte për qytetet e shkatërruara që nga fëmijëria. Verën e kaluar atij ju dha mundësia të vizitonte Ukrainën dhe të shihte tmerret e agresionit rus. Kombinimi i materialit fotografik nga të dyja luftërat, në një mënyrë inovative në ekspozitë, paraqet çifte fotografish që përshkruajnë terrorin e luftërave në Siri dhe Ukrainë. Pa lexuar diçiturat, është e pamundur të dallosh se ku janë bërë. Mjeshtëria e Sanadikit i mundëson dikujt të shohë mizoritë e luftës thjesht duke parë fotografitë e rrënojave në Ukrainë, duke menduar se ju jeni midis rrënojave në Siri dhe anasjelltas.
“Mjerisht, gjithçka filloi me luftën për të cilën nuk doja të raportoja, por u detyrova”, tha Sanadiki për raportimin nga vendi i tij, Siria.
Sanadiki thotë se zgjodhi të paraqesë jo vetëm shkatërrime dhe dëme, por edhe shpirtrat e atyre që mbijetuan.

Me një furi emocionesh, Omar Sanadiki ju drejtohet të ftuarve në hapjen e ekspozitës së tij. Foto: Meta.mk, përdoret me leje.
“Unë jam gjithmonë i dhembshur ndaj këtyre njerëzve në momentet e vështira. Në disa fotografi nuk do të gjeni njerëz, por shpirtrat e tyre”, thotë Sanadiki.
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Moldavi, diplomati letonez Jānis Mažeiks, vuri në dukje se ishte në një ngjarje që nuk donte të merrte pjesë.
“Do të doja të mos kisha nevojë të mësoja emrat e vendeve si Raça, Buça, Irpin, Mariupol, por duhej t'i mësoja ashtu si ju,” tha Mažeiks. “Këto fotografi janë histori barbarie, që dokumentojnë të keqen, por gjithashtu dokumentojnë njerëzimin dhe stilin e të jetuarit në këto vende të populluara. Përveç kësaj, këto fotografi janë një kujtesë e qëndrimit në anën e duhur të historisë. Mendoj se mund të jemi krenarë që Bashkimi Evropian dhe Moldavia së bashku ishin në anën e duhur të historisë kur filloi lufta në Siri dhe agresioni rus – i cili ishte i paprovokuar – kundër sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, shtoi Mažeiks.
Në ekspozitë, Mažeiks shprehu dëshirën e tij që Moldavia të bëhet një shtet anëtar i Bashkimit Evropian në të ardhmen. Në qershor 2022, ky vend i ish-BRSS u bë kandidat për anëtarësim në BE. Por përgjigjet për pyetjen se kur Moldavia do të bëhet anëtare e BE-së nuk duhet kërkuar vetëm nga autoritetet moldave, të cilët duhet të përfundojnë reformat dhe ndryshimet që kërkojnë qytetarët. E ardhmja e Moldavisë është thjesht e lidhur pazgjidhshmërisht me rezultatin përfundimtar të luftës në Ukrainë dhe zgjidhjen e çështjes së hapur të vendosjes së sovranitetit të Moldavisë mbi rajonin separatist të Transnistrisë.
Këtë vit, si në të kaluarën, qytetarët e Moldavisë duhet të zgjedhin midis të mbeturit satelit periferik në hartën perandorake të Kremlinit, ose të jenë shtetas të një vendi anëtar të BE-së.
The Bridge (Ura) përmban histori personale, komente dhe krijime reale që hedhin dritë mbi dallimet në perceptim mes mbulimit vendor dhe ndërkombëtar të lajmeve, nga perspektiva unike e anëtarëve të Global Voices. Pikëpamjet jo domosdoshmërisht përfaqësojnë opinionin e gjithë komunitetit. Të gjitha