Moldavia mban një qëndrim ‘të moderuar dhe të qartë’ pro-BE-së në zgjedhjet lokale

Votimet për zgjedhjet lokale në Moldavi, më 5 nëntor 2023. Foto nga një video në YouTube nga kanali Euronews. Përdorim i drejtë.

Moldavët shkuan më 5 nëntor në qendrat e votimit për të zgjedhur rreth 12,000 zyrtarë, përfshirë kryebashkiakun e kryeqytetit, Kishinjev.

Pjesëmarrja ishte pak më shumë se 40 për qind në mbarë vendin, më e lartë krahasuar me votimin e 2019-ës.  

NewsMaker raportoi se rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale në Moldavi tregojnë një mbështetje të moderuar, por të qartë për partinë pro-BE-së, PAS (Partia e Veprimit dhe Solidaritetit), që aktualisht është në pushtet. Ministri i Infrastrukturës dhe Zhvillimit Rajonal, Andrei Spinu, i cili është edhe anëtar i partisë, komentoi më 6 nëntor rezultatet e zgjedhjeve vendore. Spinu përgëzoi PAS-in, duke theksuar se partia fitoi në 19 qarqe në të gjithë vendin. Edhe pse kandidatja e PAS për kryebashkiake e Kishinjevit, Lilian Carp, u mund nga kreu aktual i bashkisë Ion Ceban, përfaqësues i partisë opozitare Lëvizja Alternative Kombëtare (MAN), ministri theksoi se PAS do të ketë “një fraksion të fortë në Këshillin Bashkiak të Kishinjevit. Ne kemi arritur një rezultat të mirë – 20 këshilltarë bashkiakë nga PAS do të punojnë për zhvillimin e një qyteti me standarde evropiane,” shtoi ai.

Ndërsa partitë e mëdha opozitare nuk mbështesin në mënyrë eksplicite qëndrimet pro-ruse, ato shprehin rezerva në lidhje me kandidaturën e Moldavisë për anëtarësim në BE. Radio Evropa e Lirë vëren se fakti që kryebashkiaku aktual Ion Ceban është rizgjedhur, është një pengesë e mundshme për partinë e presidentes pro-perëndimore Maia Sandu, pasi qeveria po zbaton reformat për të avancuar kandidaturën e vendit për t'u bashkuar me BE-në dhe për tu distancuar nga ndikimi i Moskës.

Spinu megjithatë tha se sipas rezultateve të votimit të raundit të parë, kandidatët për kryebashkiakë të PAS siguruan fitore në 240 lokalitete brenda Moldavisë.

“Vizioni pro-evropian ka triumfuar në mbarë vendin. Ky është rezultati më domethënës nga këto zgjedhje”, tha Spinu i cituar nga NewsMaker

Zgjedhjet lokale në Moldavi më 5 nëntor u zhvilluan pas përjashtimit të të gjithë kandidatëve nga partia Chance (Shans), e cila shihet si një zëvendësim i partisë populiste pro-ruse Shor të oligarkut të arratisur moldav Ilan Shor

Ky veprim ishte ndoshta më i ashpri ndër disa vendime kontestuese të marra nga autoritetet pro-BE-së në Moldavi. Autoritetet synonin të frenonin ose zbusnin humbjet e tyre elektorale, pas premtimeve të qarta të bëra nga Ilan Shor – i cili është dënuar me 15 vjet burg për mashtrime bankare, por aktualisht ndodhet në Izrael – për gaz të lirë në ato zona ku kandidatët e partisë së tij (Shansit) do të fitonin në raundin e parë të votimeve.

Sanksionet pasuan një zbulim nga Komisioni për Situata të Jashtëzakonshme (CSE) në lidhje me kandidatët e partisë Shans që dyshohet se kanë përdorur para të jashtëligjshme nga Rusia në fushatë, tha kryeministri Dorin Recean më 3 nëntor 2023.

Vendimi për skualifikimin e kandidatëve u mor më 3 nëntor, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, duke përmendur “arsyet e sigurisë shtetërore” dhe “luftën hibride” që po zhvillon Rusia kundër Moldavisë.

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur në Moldavi si pasojë e luftës në Ukrainë, qeveria ka autoritetin për të marrë vendime të tilla, duke anashkaluar procedurat standarde. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) erdhi pas raportimeve nga Shërbimi Informativ dhe i Sigurisë, i cili tha se kishte zbuluar disa raste ku partia dyshohej se kishte marrë fonde nga Rusia dhe qytetarë të vendeve të tjera, përfshirë Kazakistanin dhe Turqinë.

Pas këtij vendimi, Shans ju drejtua Prokurorisë së Përgjithshme më 5 nëntor 2023, duke kërkuar nisjen e procedimeve ligjore ndaj CSE, shkruan NewsMaker.

Në deklaratë, partia pretendoi se CES ishte angazhuar në “pengimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve” dhe i akuzoi anëtarët e komisionit për “sjellje të pahijshme dhe shpërdorim detyre”.

Ndërkohë, në disa bashki fituan kandidatët e mbështetur nga Ilan Shor, por që nuk i përkasin partisë Shans.

Moldavia ka akuzuar Moskën se po përpiqet të përmbysë qeverinë e saj pro-perëndimore që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, raporton Radio Evropa e Lirë. Forcat ruse mbajnë të pushtuar Transnistrinë, rajonin separatist të Moldavisë ku rusishtfolësit janë shumicë, në kufirin me Ukrainën.

Zgjedhjet lokale i paraprijnë atyre presidenciale të nëntorit 2024 në Moldavi, në një kohë kur ish-kombi sovjetik aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe distancimin nga sfera e ndikimit të Rusisë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.