Në një kohë vendimtare për krizat globale, X (ish Twitter) zbut politikën për gjuhën e dhunshme

Foto nga Alexander Shatov në Unsplash. Përdoret nën licencën Unsplash.
Platforma e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, bëri ndryshime në politikën globale të Udhëzimeve të Komunitetit më 25 tetor 2023. Sipas Arkivit të Qeverisjes së Platformës*, që gjurmon automatikisht ndryshimet e politikave në 18 platforma, X e zbuti ndjeshëm politikën për gjuhën e dhunshme. Në vitin 2023, gjuhë e dhunshme përkufizohen nga X (dhe Twitter në të kaluarën) kërcënimet e dhunshme ose synimi për të bërë dëm.
Në përgjithësi, këto ndryshime nënkuptojnë se X po zvogëlon ndjeshëm si shtrirjen e dispozitës për gjuhën e dhunshme, ashtu edhe pasojat kur zbulohet një rast i tillë. X duket se po u sinjalizon përdoruesve të tij se dënimet për postimin e përmbajtjes së dhunshme tani do të zbatohen në një fushë më të ngushtë shprehjeje dhe se vetë dënimet mund të jenë më pak të rënda.
Këto ndryshime po ndodhin pasi X po padit Qendrën Kundër Urrejtjes Dixhitale (CCDH), një organizatë jofitimprurëse që lufton gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, duke e akuzuar atë për pretendime të rreme. Siç raportohet nga Reuters, padia vjen pas një raporti të publikuar nga media duke përdorur kërkimin e CCDH në korrik 2023 që deklaronte se gjuha e urrejtjes ndaj komuniteteve pakicë në platformë ishte rritur që kur Elon Musk bleu kompaninë në tetor 2022. The Guardian gjithashtu vuri në dukje se BE, sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), ka paralajmëruar X për lejimin e “dezinformimit të supozuar rreth sulmit të Hamasit ndaj Izraelit” në platformën e tij, ndërsa 7amleh – Qendra Arabe për Avancimin e Mediave Sociale, ka dokumentuar përshkallëzimin e diskriminimit në internet, racizmit, nxitjes së urrejtjes dhe keqinformimit në X.
Ndryshimet që X ka zbatuar përfshijnë:
Nga politika e tolerancës zero te thjesht reduktimi i dukshmërisë
Më parë, Udhëzimet e Komunitetit të X ishin:
X është një vend ku njerëzit mund të shprehen, të mësojnë për atë që po ndodh dhe të debatojnë për çështje globale. Megjithatë, bisedat e shëndetshme nuk mund të ekzistojnë kur përdoret gjuhë dhune për të dhënë një mesazh. Si rezultat, ne kemi një politikë zero tolerance ndaj gjuhës së dhunës, për të garantuar sigurinë e përdoruesve tanë dhe për të parandaluar normalizimin e veprimeve të dhunshme.
Tani shkruhet:
X është një vend ku njerëzit mund të shprehen, të mësojnë për atë që po ndodh dhe të debatojnë për çështje globale. Megjithatë, bisedat e shëndetshme nuk mund të ekzistojnë kur përdoret gjuhë dhune për të dhënë një mesazh. Si rezultat, ne mund të heqim ose ulim dukshmërinë e rasteve të gjuhës së dhunshme për të garantuar sigurinë e përdoruesve tanë dhe për të parandaluar normalizimin e veprimeve të dhunshme.
Ndryshimi nga “toleranca zero” në “mund të heqim ose ulim dukshmërinë” ilustrohet më tej në Udhëzimet e përditësuara të komunitetit.
Nga pezullimi i llogarive në “shumicën e rasteve” në vetëm “raste të caktuara”
Më parë, dënimet e X ishin të rënda për shumicën e shkeljeve të politikave të tij:
në shumicën e rasteve, ne do të pezullojmë menjëherë dhe përgjithmonë çdo llogari që shkel këtë politikë. Për shkelje më pak të rënda, ne mund t'ju mbyllim përkohësisht llogarinë tuaj përpara se të postoni përsëri.
Versioni i ri është zbutur për shumicën e shkeljeve:
në raste të caktuara, ne do të pezullojmë menjëherë dhe përgjithmonë çdo llogari që shkel këtë politikë. Megjithatë, për shumicën e shkeljeve, ne mund t'ju mbyllim përkohësisht llogarinë tuaj përpara se të postoni përsëri.
Nga “pezullimi strikt” te “ndoshta pezullimi” i një llogarie
Diku tjetër, Udhëzimet e komunitetit të X, thonë se përmbajtja e dhunshme, në raste të rralla, mund të bëhet më pak e dukshme, por se shkeljet e vazhdueshme të politikës pas marrjes së një paralajmërimi, mund të rezultojnë në “pezullimin e përhershëm të llogarive”. Versioni i mëparshëm i kësaj politike thoshte se llogaritë do të “pezullohen përgjithmonë”.
Nga vlerësimi i kontekstit deri te mosvlerësimi i kontekstit
Kompania gjithashtu riformuloi përkufizimin e saj të përmbajtjes që përjashtohet nga politika e saj e gjuhës së dhunshme, duke deklaruar: “Ne gjithashtu lejojmë disa raste të mënyrës së të folurit, satirës ose shprehjes artistike kur konteksti shpreh një këndvështrim në vend që të nxisë dhunë ose dëmtim.” Ky përfaqëson një përshkrim më të saktë të përmbajtjes së përjashtuar. Politika e mëparshme thoshte: “Ne sigurohemi që të vlerësojmë dhe kuptojmë kontekstin pas bisedës përpara se të ndërmarrim veprime.”
Dy javë më parë, edhe Facebook i Meta ndryshoi politikën e tij për përmbajtjet sadiste, imagjinare dhe të dhunshme, duke sjellë më shumë kufizime.
Për momentin, si Meta ashtu edhe X, si dhe platforma të tjera shumë të mëdha në internet (YouTube, TikTok) po i nënshtrohen një hetimi nga BE nëpërmjet DSA. Komisioni Europian dërgoi kërkesa për X, Meta dhe TikTok, që të raportojnë se si e e menaxhojnë shpërndarjen e përmbajtjes së paligjshme dhe dezinformimit në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez.
DSA, e cila hyri në fuqi në nëntor 2022, detyron të gjitha platformat e mëdha në internet në BE, që të ulin rreziqet shoqërore, duke përfshirë masat për përmbajtjen “e paligjshme dhe të dëmshme”. Aktualisht janë përcaktuar 17 platforma të mëdha, secila me të paktën 45 milionë përdorues në muaj. Megjithatë, në të njëjtën kohë, disa organizata të shoqërisë civile në Evropë shprehën shqetësimet e tyre për përdorimin e DSA-së si një instrument për të ushtruar presion ndaj platformave për të fshirë me shpejtësi përmbajtjen në kohë krize, gjë që mund të jetë një shkelje e lirisë së fjalës dhe që minon të drejtat e njeriut.
*Arkivi i Qeverisjes së Platformës (PGA) është platformë të dhënash që mbledh dhe kuron politikat e platformave kryesore të mediave sociale në një perspektivë afatgjatë. Ai mirëmbahet nga Laboratori i Qeverisjes së Platformës, Medias dhe Teknologjisë dhe Qendra për Kërkime të Medias, Informacionit dhe Komunikimit (ZeMKI), Universiteti i Bremenit, Gjermani.
Ky artikull është pjesë e GV Advocacy, një projekt i Global Voices dedikuar mbrojtjes së lirisë së të shprehurit në internet Të gjitha