Politikanët dhe media serbe vazhdojnë narracionin anti-NATO

Një pilot i një B-52 të Forcave Ajrore të SHBA-së skanon horizontin për aeroplan ndërsa ai fluturon në një mision depërtimi luftarak drejt një objektivi në Kosovë më 26 maj 1999. Foto nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, Përdorim publik.

Ky artikull nga Ridona Berisha u botua fillimisht nga Sbunker si pjesë e nismës rajonale Western Balkans Anti-Desinformation Hub. Një version i redaktuar ribotohet nga Global Voices me leje.

Gjatë raportimit për përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, ashtu si vitet e kaluara, politikanë dhe disa media serbe paraqitën të dhëna të shtrembëruara, për ta akuzuar NATO-n për “agresion” mbi ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) më 1999. Pas refuzimit të Slobodan Millosheviqit që ta ndalë agresionin mbi Kosovën dhe shterimit të të gjitha mjeteve diplomatike për ta zgjidhur paqësisht çështjen e Kosovës, më 24 mars 1999 NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve mbi objektivat ushtarake jugosllave, e cila në të drejtën ndërkombëtare u cilësua si ndërhyrje humanitare.

Në përvjetorin e 24 të bombardimeve, mediat serbe publikuan analiza e lajme të shumta që ushqejnë narracionin se ai ka qenë “agresion” mbi një shtet të pavarur. Kështu, është manipuluar edhe me numrin e viktimave civile si pasojë e bombardimeve. Sipas një raportimi të Kosovo Online, me të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, “janë vrarë 2500 civilë, në mesin e tyre 89 fëmijë dhe 1031 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë“.

Gjithashtu, ish-diplomatë e ushtarakë serbë të cilët kanë mbajtur pozita politike e ushtarake nën pushtetin e Millosheviqit, kanë folur me tone negative kundër NATO-s.

Diplomati dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i RSFJ-së Vlladisllav Jovanoviq, tha se pasojat e  ndërhyrjes së ‘99-ës, janë të përhershme dhe se “agresioni po vazhdon, por me mjete të tjera“.

Ndërkaq ish-gjenerali i policisë dhe ushtrisë jugosllave Vlladimir Llazareviq në deklarimin e tij për ndërhyrjen e NATO-s ka krahasuar potencialin e ushtrisë serbe me periudhën e ndërhyrjes së NATO-s.

“Ushtria serbe në vitin 2023 është shumë më e pajisur se sa ishte atëherë, veçanërisht kur bëhet fjalë për sistemet kundërajrore dhe aviacionin”, tha ai. Llazareviqi është dënuar për krime lufte në Kosovë, për ndihmë dhe nxitje të dëbimit dhe transferimit të dhunshëm të popullatës etnike shqiptare të Kosovës, me 14 vjet burgim. Deklarimet të tilla dëshmojnë se kriminelet e dënuar të luftës vazhdojnë të paraqiten rregullisht në mediat serbe.

Zyrtarë tjerë serbë paraqitën dhe fotografi false nga shtetet tjera për të akuzuar NATO-n. Kryetari i Partisë së Popullit, Vuk Jeremiq, ka postuar në Twitter një fotografi duke pretenduar se ajo është e realizuar gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. Mirëpo, në bazë të kërkimeve në internet del se ajo është realizuar në Bagdad, në vitin 2003.  Ish-ministri i Punëve të Jashtme ka bërë thirrje që të mos falet asnjëherë NATO-ja për bombardimet teksa i ka ndërlidhur zhvillimet e atëhershme me dialogun e tanishëm Kosovë-Serbi.

Image

Foto e postimit në Twitter nga politikani serb Vuk Jeremić me një foto nga bombardimi i Bagdadit në 2003, i përdorur në mënyrë të rreme për të ilustruar ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në vitin 1999.

“Forma e fundit në të cilën na kërkohet pëlqimi është i ashtuquajturi ‘plani franko-gjerman’. Pranimi i tij do të nënkuptonte legjitimimin e agresionit në vitin 1999, si dhe heqjen dorë vullnetare dhe të përhershme nga Kosova”, është shprehur Jeremiq.

Të dhënat e organizatave ndërkombëtare hedhin poshtë pretendimet e serbëve

Organizatat e besueshme ndërkombëtare që kanë mbledhur të dhënat lidhur me pasojat e bombardimeve thonë të kundërtën e pretendimeve që vijnë nga Serbia.

Sipas Human Rights Watch, numri i konfirmuar i vdekjeve është dukshëm më i vogël sesa ato që u janë paraqitur opinionit serb.

Raportet e viktimave ndryshojnë, por përkojnë në vlerësimin e një numri të vdekjeve prej të paktën 1.200 deri në 5000 civilë […]Në fund të fundit, ky është më shumë se dyfishi i numrit të vdekjeve civile prej rreth 500 që Human Rights Watch ka mundur të verifikojë”, thuhet në raport

Kurse Natasa Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se,“sipas të dhënave që ka grumbulluar, nga bombardimet janë vrarë 756 njerëz”.

Lista e viktimave të NATO-s, me emër dhe mbiemër, është plotësuar, nuk ka më çfarë të bëjë shteti. Nga data 24 mars 1999 kam menaxhuar personalisht mbledhjen e të dhënave. Gjithsej 756 persona janë vrarë nga bombardimet. Nuk i gjetëm të dhënat për vdekjen e Dmitra Dukiqit (1908) nga Valjeva. Fqinjët i kanë ndërtuar një monument, por komunës i mungonin të dhënat për ta.

Shterimi i mjeteve diplomatike

Pavarësisht pretendimeve të serbëve, diplomatë perëndimorë të cilët i njohin zhvillimet rreth Ballkanit që prej viteve '90, kanë shpjeguar arsyet që çuan në bombardimin e ish-RSFJ-së. Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher R.Hill ka theksuar se gjatë karrierës së tij ka mësuar që ndonjëherë diplomacia dështon, “dhe kur kjo ndodh, rezultatet mund të jenë tragjike”. Megjithëkëtë, ai ka shprehur ngushëllime për familjet e atyre që humbën jetën në atë periudhë, si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s.

Unë shpreh ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”, ka shtuar Hill.

Ndaj këtij postimi të Hillit ka reaguar profesori amerikan Edward Joseph, duke thënë se këto  ngushëllime ndikojnë në rritjen e viktimizimit te serbët dhe rusët. Ndërkaq Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani ka kritikuar Hillin se ka vendosur të rishkruajë historinë. Sipas saj, ndërhyrja e NATO-s nuk erdhi si rezultat i ”dështimit të diplomacisë” dhe Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”.

Konferenca e Rambujesë, pika e kthesës

Bombardimit të Serbisë i parapriu një proces i gjatë diplomatik në përpjekjen për ta ndalur agresionin e Serbisë me mjete paqësore, që kulmuan me negociatat e Parisit.

Nga 6 deri 23 shkurt të vitit 1999, u mbajt Konferenca e Rambujesë dhe pas refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Millosheviqit, nisi fushata e bombardimeve që zgjati 78 ditë. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Serbia kreu masakrat më të mëdha në Kosovë si ajo e IzbicësRezalles, etj. Përfundimisht Serbia, u detyrua të tërhiqej nga Kosova me 9 qershor 1999 pas  Marrëveshjes së Kumanovës, në të cilën Serbia pranoi kapitullimin duke mundësuar hyrjen e KFOR-it në Kosovë.

Pavarësisht viktimizimit të cilin e shfaq Serbia, ajo e njeh rolin dhe rëndësinë që ka NATO në sigurinë rajonale, veçanërisht në mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë, duke patur parasysh faktin se KFOR-i është garantuesi kryesor i sigurisë së tyre

Girl and KFOR soldiers in Kosovo.

“Një vajzë e re gëzohet kur gjen ushtarë të ushtrisë amerikane të rreshtuar pas mureve të shtëpisë së saj në Mitrovicë, Kosovë, më 21 shkurt 2000,” gjatë një operacioni kërkimi armësh të kryer nga KFOR-i dhe policia e OKB-së. Foto nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, Përdorim Publik.

Për më tepër, Serbia ka bashkëpunim me Perëndimin edhe në sferën ushtarake. Fqinji verior iu bashkua Programit të Partneritetit për Paqe (PfP) në dhjetor 2006. Si pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, Serbia zotohet për bashkëpunim dhe aktivitete të përbashkëta me NATO-n, të cilat zhvillohen në kuadër të  “Grupit të Reformës së Mbrojtjes së NATO-s”, si dhe përmes “Procesit të Planifikimit dhe Rishikimit – (PARP), i cili synon të promovojë reformat e strukturës së mbrojtjes dhe të mbështesë arritjen e operacioneve më të larta ndërkombëtare.

Gjithsesi, 24 vjet pas akuzave rreth bombardimeve, KFOR edhe në perceptimin e qytetarëve të Kosovës vazhdon të jetë forca më e besueshme ushtarake e cila nuk kontestohet nga shqiptarët, as nga serbët.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.