Si COVID-19 po ndryshon turizmin në bregdetin e Shqipërisë

Shqipëria ofron plazhe të mrekullueshme si ky në foto në Ksamil. Foto nga Ardi Pulaj, e përdorur me leje.

Raportimi nga Global Voices i pasojave botërore të COVID-19.

Turizmi është një nga industritë që mori një goditje të menjëhershme nga pandemia e koronavirusit (COVID-19), ndërsa e ardhmja e afërt dhe afatgjatë e sektorit duket e paqartë.

Ndërsa afrohet vera dhe shumica e popullatës në botë është në vetëizolim, destinacionet e njohura të plazhit e kanë të paqartë se si do të duket sezoni veror.

Përkundër masave të bllokimit, shumë shqiptarë shkuan në plazhe të dielën e parë të majit. Dhjetra qytetarë në Golem, Kavajë u panë duke pushuar në bregun e detit dhe shijuar motin e ngrohtë.

Autoritetet shqiptare kanë hartuar një protokoll që do të zbatohet gjatë sezonit të verës në kohë pandemie.

Sipas draftit të ministrisë së Turizmit dhe asaj të Shëndetësisë, që i është dërguar komunitetit të biznesit për konsultim, firmat do të duhet të punësojnë një koordinator anti-COVID-19 për të mbikëqyrur masat e higjienës për stafin dhe për të siguruar dezinfektimin e ambienteve. Stafi do të duhet të mbajë maska dhe doreza në çdo kohë.

Gjërat do të ndryshojnë edhe për pushuesit në plazhi. Ata do të duhet të kryejnë kontrolle të temperaturës dhe të firmosin një deklaratë ku të informojnë nëse kanë ose jo simptoma të koronavirusit e të njoftojnë për ndonjë kontakt me njerëz të infektuar nga koronavirusi në 14 ditët e fundit. Ata gjithashtu duhet të deklarojnë nëse kanë vizituar kohët e fundit ndonjë vend të prekur nga pandemia.

Maska, doreza dhe dezinfektuesit e duarve duhet të vihen në dispozicion të turistëve në çdo kohë.

Drafti përcakton gjithashtu që çadrat e plazhit duhet të pozicionohen së paku katër metra larg dhe 10 metra larg bregut të detit. Rojet e plazhit do të kenë për detyrë të monitorojnë distancën midis turistëve.

Në zonën e pishinës, shezlonet dhe çadrat duhet të jenë dy metra larg, ndërsa një distancë prej tre metrash duhet të respektohet gjatë notimit.

Në baret dhe restorantet, një tryezë për katër vetë duhet të ketë një sipërfaqe prej 10 m2 dhe klientët do të duhet të qëndrojnë një metër larg.

Vetë-shërbimi nuk do të lejohet dhe klientët do të shërbehen vetëm nga kamarierët me maska dhe doreza.

Bizneset do të duhet të afishojnë këto rregulla të reja për publikun, në shqip dhe anglisht.

Pavarësisht protokollit të ri, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shprehu optimizëm për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit.

Ekzistojnë disa arsye pse turizmi shqiptar mund të shpëtohet në verën e vitit 2020. Rreth 80% e turistëve vijnë në Shqipëri në rrugë tokësore. Një avantazh tjetër ndaj vendeve të tjera është numri i madh i hoteleve të vegjël. Greqia po mendon të mbyllë hotelet e mëdhenj këtë verë, pasi janë shumë të vështirë për t'u menaxhuar. Hotelet e vogla janë të menaxhueshme. Shqipëria është një shembull pozitiv i përgjigjes së shpejtë ndaj situatës COVID-19.

Me vijën bregdetare të Adriatikut dhe Jonit dhe zonat malore piktoreske, Shqipëria ka shumë për të ofruar gjatë sezonit të verës.

Bizneset në bregdet tashmë kanë filluar reklamimin e ofertave të tyre. Po ashtu edhe agjencitë turistike.

Plazh i veçuar në Shqipëri. Të gjitha udhëtimet kanë destinacione sekrete për të cilat udhëtari nuk ka dijeni

Shqipëria, mes vendeve më të mira për të vizituar. Planifikoni vizitën tuaj në Shqipëri: zbuloni ku të shkoni dhe çfarë të bëni: Plazhet më të mira: ishujt e Ksamili,t ujërat e kristaltë në plazhin në Gjipe, plazhi i Dhërmiut … Jala, Himara …Rrënojat e bazilikës së lashtë Romake në Butrint … dhe shumë vende të tjera …

Numri i të huajve që vizituan Shqipërinë në vitin 2019 u rrit me 8.1 për qind në krahasim me 2018, duke arritur në mbi 6.4 milion. Hapësira ajrore dhe kufijtë tokësorë të Shqipërisë mbeten të mbyllura që nga muaji mars dhe nuk ka asnjë informacion se kur do të hapen.

Pasaporta shëndetësore dhe distancë e shezlonëve

 

Destinacione të tjera plazhi në të gjithë Evropën po diskutojnë gjithashtu masat për të menaxhuar sezonin veror.

Autoritetet greke dhe Bashkimi Evropian (BE) po vlerësojnë përdorimin e një “pasaporte imuniteti” / “pasaporte shëndetësore” ose “një çertifikate pa rrezik”.

Ky dokument do t'u mundësonte individëve të udhëtojnë brenda BE-së ose të kthehen në punë me kusht që ata të dëshmojnë se kanë imunitet nga COVID-19.

Por këshillat e tanishme të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) paralajmërojnë se nuk ka prova se njerëzit që janë rikuperuar nga COVID-19, dhe për këtë arsye kanë antitrupa, mund të shmangin një infektim të dytë.

“Njerëzit të cilët supozohet se janë imunë ndaj një infeksioni të dytë sepse kanë patur një rezultat pozitiv të testit, mund të injorojnë këshillat e shëndetit publik. Përdorimi i një certifikate të tillë mund të rrisë rreziqet e vazhdimit të transmetimit”, paralajmëron OBSH.

Një tjetër mundësi është duke u shqyrtuar në Itali.

Sipas AFP:

Porto Cesareo, një qytet i vogël bregdetar i quajtur edhe si “Karaibet” e Pulias, një plazh privat po provon disa masa që respektojnë rregullat e distancimit fizik me shezlonë dhe çadra të vendosura 1.5 metra larg si dhe litarë për të treguar hapësirat.

Në plazhin privat “Bacino Grande” pronari Fabrizio Marzano thotë se ata do të përqëndrohen te shërbimet për klientët më shumë se të synojnë numër të lartë vizitorësh, siç do të ishte vitet e kaluara. Në vend që të krijojnë radhë te bari i plazhit, gjë që është e ndaluar, klientëve do tu serviren pizat, sanduiçet dhe pijet e porositura në çadrat e tyre.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.