2023, një vit narrativash

Ky artikull është pjesë e buletinit të Undertones nga Observatori i Mediave Qytetare të Global Voices. Regjistrohu në Undertones.

“Konflikti gjeopolitik ka të bëjë gjithnjë e më shumë me identitetet e narrativat dhe kush i formëson ato dhe kush ka fuqinë t'i formësojë ato. Ne jemi në mes të këtij ndryshimi, në mënyra që janë mjaft të frikshme dhe në mënyra që i bëjnë njerëzit që përpiqen të kontribuojnë me zërat dhe perspektivat e tyre më të prekshëm ndaj kërcënimit, më të kërcënuar fizikisht se kurrë.” 

Rebecca MacKinnon, bashkëthemeluese dhe anëtare e bordit të Global Voices, para Këshillit të Global Voices.

Mirë se vini në Undertones tonë të fundit të vitit. Temat e rëndlsishme të kohës sonë – zhvillimi i AI, luftërat, kriza klimatike dhe tendencat autoritare – varen në një masë të madhe nga mënyra se si ne mendojmë dhe flasim për to. Kjo është ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë këtë vit me Observatorin e Mediave Qytetare (CMO): të zbërthejmë narrativat rreth temave tona më të ngutshme, falë një metodologjie të sistemuar dhe studiuesve të jashtëzakonshëm. Ne ju falënderojmë që keni qëndruar të lidhur me ne gjatë gjithë vitit.

Në vitin 2023 ne hapëm CMO për audiencën tonë, e cila lejoi shumë njerëz të angazhoheshin në të. Ne u takuam gjithashtu me politikëbërës, avokatë të të drejtave dixhitale dhe gazetarë në mbarë botën në konferenca dhe mbledhje të panumërta në internet, me qëllim që të kërkojmë për një mënyrë të re të analizimit të medias. Samanta Azpurua, një nga redaktoret tona koordinuese, e thotë më së miri:

Për mua, CMO është më shumë se një mjet kërkimi. Kjo metodologji propozon një mentalitet për të gjithë njerëzit që konsumojnë përmbajtje në ekosistemet mediatike. Theksi ynë mbi kontekstin dhe nëntekstin i lejon lexuesit tanë të eksplorojnë origjinën, arsyetimet dhe modelet pas narrativave që formojnë debatin publik, një burim i madh për të zbërthyer dezinformimin dhe përfundimisht për t'u përballur me tendencat autokratike. Propagandistët autoritarë mund të ndikojnë lehtësisht te publiku në mënyrën se si informacioni tani rrjedh me shpejtësi në ekosistemet mediatike dhe të përdorin zgjedhje të lira dhe të ndershme për të marrë pushtetin e udhëhequr shtetet. Kjo është arsyeja pse unë besoj fuqimisht se metoda CMO mund dhe duhet të jetë pjesë e mjeteve të ekipeve që hartojnë taktikat për t'i luftuar ato.

Observatori i Mediave Qytetare të Komunitetit

Këtë vit ne hapëm Observatorin e Mediave Qytetare të Komunitetit, me metodologjinë për këdo që dëshironte të studionte narrativat mbi temën e interesit. Ne botuam 20 buletine dhe histori që paraqesin punën e studiuesve dhe gazetarëve nga Venezuela, Irani, Bolivia, Brazili, Rusia, Mianmari, Indonezia, Pakistani, Holanda, Izraeli, Zimbabvja, Argjentina, India dhe Turqia. 

Falë diversitetit të autorëve të Global Voices dhe më gjerë, ky ishte viti ynë më entuziast përsa i përket temave. Për shembull, Eddie Lywn studioi kulturën pop dhe narrativat ushtarake në Mijanmar, Leon Ingelse u përqendrua në paragjykimet e AI në Holandë dhe Kelly Chaib hetoi bisedat ruse në Argjentinë që mbështetën presidentin e tanishëm të Argjentinës, Javier Milei.

Sencer Odabaşı, studiues i CMO nga Turqia, thotë:

Ajo që unë mendoj se është aspekti më i rëndësishëm i metodës së CMO-së është intuitiviteti i saj. Në vend që të ndjekë risitë, CMO sjell atë që dikush automatikisht supozon të jetë relevante – figura, grupe, tregime dhe tema – dhe sistemon informacionin në një mënyrë organike dhe të ndërlidhur.

Hapja e projektit për komunitetin tregon gjithashtu se çdokush mund të mësojë dhe të përdorë CMO për të analizuar thellësisht se si rrëfimet janë gdhendur në shoqëritë tona, si lëvizin ato në internet dhe si ndikojnë ato në diskursin tonë qytetar.

Fatima Zaidi, studiuese dhe gazetare e CMO nga Pakistani, thotë:

Observatori i Medias Qytetare shërben si një platformë jetike për vëzhgimin dhe analizimin e bisedave të mediave dixhitale. Në kontekstin e sotëm, sfera e medias dixhitale luan një rol kryesor në formësimin e opinioneve publike dhe ndikimin e përfshirjes së qeverisë në vendime përfundimtare. Për mua, CMO përfaqëson një mundësi unike për të gërmuar në tema që shpesh anashkalohen nga mediat kryesore, qoftë për shkak të censurës ose mungesës së interesit.

Këtu janë disa shembuj të punës sonë këtë vit. Arkivin e plotë mund ta gjeni këtu.

Tregimet e fuqishme të Iranit rreth fesë dhe rebelimit

Taktikat e Kremlinit për të tërhequr më shumë burra në luftëGratë trans në Pakistan rimarrin trashëgiminë

Portugalia dhe miti i kolonizatorit të mirë

Rrëfimet e ndryshimeve klimatike, përmes indigjenëve

Metodologjia CMO mund të përdoret për t'iu përshtatur llojeve të ndryshme të projekteve. Për shembull, elementë të metodologjisë u përdorën në “Ropeia Taperai” (“Hapja e shtigjeve” në Guaraní), një projekt që Global Voices e bëri në bashkëpunim me fondacionin jofitimprurës të Amerikës Latine, Avina. Këtu, theksi ishte në edukimin mediatik. 

Të rinjtë indigjenë në rajonin Gran Chaco të Bolivisë u mësuan të lexonin tregime mediatike rreth ndryshimeve klimatike dhe shfrytëzimit të burimeve dhe të sugjeronin rrëfimet e tyre. Projekti vijoi në vitin 2023 në shkollat ​​e mesme, siç shpjegon në rrëfimin e saj gazetarja e Guaraní-t, Isapi Rua:

Ku mund të na keni parë këtë vit

Në vitin 2023, ne morëm pjesë në një numër konferencash dhe simpoziumesh në internet dhe në mbarë botën. Marsin e kaluar, Giovana Fleck, drejtuesja e projektit tonë, na përfaqësoi në festivalin e muzikës, filmit dhe teknologjisë në zhvillim SXSW (South by SouthWest) në Austin, Teksas. 

Në SXSW, Future of Data Challenge i dha Global Voices 100,000 dollarë për një projekt të ri të Observatorit të Medias Civile të fokusuar në menaxhimin e të dhënave. Falë këtij fondi, ne do të jemi në gjendje të studiojmë narrativat mbi të dhënat e përdorura për qeverisjen, kontrollin dhe politikën në El Salvador, Brazil, Turqi, Sudan dhe Indi gjatë gjithë vitit 2024.

Foto nga Giovana Fleck, e përdorur me leje.

Fleck udhëtoi gjithashtu në Japoni për të marrë pjesë në Forumin e Qeverisjes së Internetit (IGF), organizuar nga Kombet e Bashkuara, për të diskutuar çështjet e politikave publike që lidhen me punën tonë.

Foto nga Giovana Fleck, e përdorur me leje.

Ju gjithashtu mund të na keni parë në Festivalin Mozilla, i njohur më shpesh si Mozfest, duke ndarë metodologjinë tonë në thellësi në sesione të ndryshme në internet dhe në Amsterdam.

Në maj, ne morëm pjesë në Access Now's RightsCon, një nga samitet më të mëdha për të drejtat e njeriut dhe dixhitale, në Kosta Rika. Atje, Fleck foli për punën tonë që mbulonte autoritarizmin në rrjet.

Unë gjithashtu prezantova punën tonë mbi autoritarizmin dixhital në Gjermani, në Forumin Global të Medias, organizuar nga Deutsche Welle, në qershor. Ne përshtatëm metodologjinë CMO për të analizuar narrativat që rrethojnë autoritarizmin teknologjik dhe dixhital në më shumë se 20 vende në një projekt të quajtur Unfreedom Monitor.

Ekipi që punon mbi autoritarizmin dixhital u takua gjithashtu në Asamblenë e të Drejtave Dixhitale të Azisë Paqësorit (DRAPAC) në Tajlandë, organizuar nga EngageMedia në maj, mes takimeve të tjera.

Raporte interaktive

Ju ftojmë të rishikoni raportet interaktive, duke analizuar ekosistemet e medias në nëntë vende në 2021 dhe 2022. Shumë nga tregimet që kemi studiuar janë ende, nëse jo më shumë, të rëndësishme sot. 

Për të parë raportet, përdoruesit duhet të krijojnë një llogari Airtable të lidhur me hapësirën e punës të Global Voices. Prandaj, Global Voices do të ketë akses në adresat e postës elektronike, por nuk do t'i ruajë këto të dhëna. Lexoni Kushtet e Shërbimit Airtable për më shumë informacion. Nëse dëshironi një version PDF, ju lutemi shkruani një e-mail në giovana.fleck@globalvoices.org

Ç'pritet më tej?

Observatori i Mediave Qytetare për Qeverisjen e të Dhënave

Siç u përmend më herët, ne jemi fitues të lumtur të Sfidës së Ardhmërisë së të Dhënave, të ngarkuar për të gjetur dhe analizuar se si flitet dhe trajtohet qeverisja e të dhënave në El Salvador, Brazil, Turqi, Sudan dhe Indi. Aktualisht jemi duke trajnuar studiues; ky do të jetë projekti ynë kryesor në 2024. Nëntonet do të vazhdojnë, por ndoshta me një ritëm të ndryshëm vitin e ardhshëm.

Të hapur për të bashkëpunuar me ju

Ne jemi gjithmonë të hapur për të bashkëpunuar me ju. Nëse jeni një studiues, një gazetar, një shkencëtar i të dhënave ose një aktivist, ose nëse përfaqësoni një universitet, një media ose një organizatë, ne duam të dëgjojmë nga ju dhe të shohim se si mund të punojmë së bashku. Ne besojmë se rezultatet më të mira vijnë nga sinergjitë me njerëz si ju.

Faleminderit!

Së fundi, puna jonë nuk do të ishte e plotë pa e parë njerëzit. Ju faleminderit shumë që keni qëndruar me ne gjatë gjithë vitit, na jepni komentet dhe nxitjen tuaj dhe për ndarjen e këtij buletini, në mënyrë që të tjerët ta lexojnë atë. Pra, përshëndetje për ju.

Shihemi në 2024!

Melissa Vida dhe ekipi: Giovana Fleck, Asteris Masouras, Samanta Azpurua, studiueset dhe redaktoret e Global Voices.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.