Tre zv/ministra në Maldive pezullohen nga detyra për komentet nënçmuese në rrjetet sociale ndaj kryeministrit indian

One of the uninhabited islands of Lakshadweep. Image by Lenish Namath via Wikipedia. CC BY-SA 3.0.

Një nga ishujt e pabanuar të Lakshadweep. Foto nga Lenish Namath nëpërmjet Wikipedia. CC BY-SA 3.0.

Fjalët mund të kenë pasoja. Më 7 janar 2024, tre zëvendësministra në Maldive u pezulluan pas një grindjeje në mediat sociale për Indinë dhe kryeministrin e saj, Narendra Modi, mbi ishujt Lakshadweep.

Modi vizitoi Lakshadweep, një arkipelag afër Maldiveve në Oqeanin Indian, më 2 dhe 3 janar 2024. Gjithçka filloi kur Modi ndau disa foto piktoreske të shkëmbinjve koralorë në X (ish-Twitter).

Kohët e fundit, pata mundësinë të jem në mesin e njerëzve të Lakshadweep. Unë jam ende i mahnitur nga bukuria e ishujve dhe mikpritja e pabesueshme e njerëzve. Kam pasur mundësinë të ndërveproj me njerëz në Agatti, Bangaram dhe Kavaratti. I falenderoj njerëzit aty.

Që nga ky postim, “Lakshadweep” ka qenë fjala kyçe më e kërkuar në Google në Indi – një fakt që media pranë Partisë Bharatiya Janata (BJP) në pushtet i bëri jehonë.

Një pjesë e komentuesve indianë të mediave sociale bënë thirrje për të nxitur turizmin në Lakshadweep si një destinacion alternativ konkurrent me Maldivet. Sipas Ministrisë së Turizmit të Maldiveve, në vitin 2023, gjithsej 1.7 milionë turistë mbërritën në Maldive, që njihet për resortet luksoze në ishuj dhe plazhet e virgjëra me rërë të bardhë. India kontribuoi në turizëm me numrin më të lartë të vizitorëve (209,198), e ndjekur nga Rusia (209,146) dhe Kina (187,118).

Disa nga banorët e Maldiveve reaguan ndaj promovimit të Lakshadweep në mediat sociale. Më 4 janar 2024, Zahid Rameez, një anëtar i senatit nga Partia Progresive e Maldiveve (PPM), komentoi një postim nga editorialisti politik indian z. Sinha në X, duke e quajtur idenë e zëvendësimit të Maldiveve “delirante”:

Lëvizja është e madhe. Megjithatë, ideja për të konkurruar me ne është delirante. Si mund të ofrojnë shërbimin që ne ofrojmë? Si mund të jenë kaq të pastër? Era e përhershme në dhoma do të jetë dështimi më i madh.

Disa zyrtarë të qeverisë së Maldiveve u angazhuan gjithashtu në përplasjet në rrjet dhe më 6 janar 2024, hakerët indianë çaktivizuan faqet e internetit të presidentit të Maldiveve dhe ministrisë së Turizmit në shenjë hakmarrjeje.

Marrëdhënia dashuri-urrejtje midis Indisë dhe Maldiveve

Nën udhëheqjen e Abdulla Yameen Abdul Gayoom të Partisë Progresive (PPM) nga viti 2013 deri në 2018, Maldivet krijuan lidhje më të ngushta me Kinën. Presidenti pro-indian Ibrahim Mohamed Solih i Partisë Demokratike (MDP) erdhi në pushtet në vitin 2018 dhe shpejt zbatoi strategjinë “India e para“, për të përmirësuar marrëdhëniet.

Nga fundi i vitit 2020, koalicioni opozitar që përbëhet nga Partia Progresive e Maldiveve (PPM) dhe Kongresi Kombëtar Popullor (PNC) nisi fushatën “India Jashtë”, në shenjë proteste ndaj pranisë ushtarake të Indisë dhe duke sfiduar presidencën e Solih.

Në zgjedhjet presidenciale të shtatorit 2023, Mohamed Muizzu, udhëheqësi i Kongresit Kombëtar Popullor (PNC), fitoi ndaj presidentit Ibrahim Mohamed Solih në balotazh.

Pas marrjes së detyrës, Muizzu i kërkoi zyrtarisht Indisë të tërhiqte trupat e saj nga arkipelagu dhe gjithashtu vendosi të mos rinovonte një Memorandum Mirëkuptimi të vitit 2019 me Indinë që e lejonte të kryente studime hidrografike rreth Maldiveve. Këto lëvizje përkeqësuan marrëdhëniet me Indinë.

Perspektivat turistike të Lakshadweep

Lakshadweep in India. Image by TUBS via Wikipedia. CC BY-SA 3.0.

Lakshadweep. Foto nga TUBS nëpërmjet Wikipedia. CC BY-SA 3.0.

I përbërë nga 36 shkëmbinj nënujorë koralorë, arkipelagu Lakshadweep (që do të thotë njëqind mijë ishuj në sanskritisht) ndodhet 200 deri në 440 kilometra larg bregut Malabar të Indisë. Turistët mund të arrijnë në Lakshadweep vetëm nga Kochi, Kerala, me avion ose anije. Deri më tani, këtu nuk ka pasur shumë turistë vendas, sepse për vizitorët kërkohet një leje nga Administrata e Lakshadweep dhe për të mund të aplikohet vetëm në Kochi.

“Bojkotoni Maldivet”

Grindjet e nxehta mes përdoruesve nga Maldivet dhe India u përshkallëzuan në X, kur zyrtarët e qeverisë në Male, filluan të shkruajnë komente nënçmuese ndaj kryeministrit indian dhe Lakshadweep. Për shembull, Mariyam Shiuna, zëvendësministre e Rinisë dhe Fuqizimit të Maldiveve, e quajti kryeministrin Modi “një kukull” dhe “klloun”.

Emra të famshëm të Bollywood-it si Akshay Kumar, Salman Khan dhe John Abraham u bashkuan në protestën kundër komenteve të tilla të urrejtjes.

Pashë komente nga figura të shquara publike nga Maldivet plot me urrejtje dhe racizëm për indianët. I habitur që po e bëjnë këtë me një vend që u çon numrin maksimal të turistëve. Ne jemi të mirë me fqinjët tanë, por pse duhet të tolerojmë urrejtjen e paprovokuar?

Ish-presidenti i Maldiveve Mohamed Nasheed denoncoi këto komente:

Çfarë gjuhe e tmerrshme nga zyrtari i qeverisë së Maldiveve @shiuna_m ndaj liderit të një vendi kyç dhe aleat, që është i rëndësishëm për sigurinë dhe prosperitetin e Maldiveve. Qeveria @MMuizzu duhet të distancohet nga këto komente dhe të garantojnë qartë Indinë se ato nuk pasqyrojnë politikën e qeverisë.

Shpejt, hashtag-u #BoycottMaldives (Bojkotoni Maldivet) filloi të bëhet trend, pasi një pjesë e përdoruesve të mediave sociale filluan të kërkojnë bojkot të indianëve të turizmit në Maldive.

Dhoma Indiane e Tregtisë u ka kërkuar agjencive të udhëtimit që të “ndalojnë promovimin e Maldiveve” si një destinacion turistik.

Kështu, bojkoti u bë realitet:

Në një lëvizje të rëndësishme, #easemytrip, mes fushatës së bojkotit të Maldiveve në internet, ka vendosur të pezullojë të gjitha rezervimet e fluturimeve në Maldive pas komenteve nënçmuese të bëra nga disa ministra, tani të pezulluar, kundër Indisë dhe kryeministrit Modi për vizitën e tij të fundit në Lakshadweep.

Shoqata e Industrisë së Turizmit të Maldiveve (MATI) dënoi komentet nënçmuese në një deklaratë dhe pranoi se India është një kontribuese e qëndrueshme dhe domethënëse në industrinë e turizmit të Maldiveve dhe shpesh reagon e para në kohë krize.

Komisioneri i lartë i Maldiveve në Indi, Ibrahim Shaheeb, u thirr në ministrinë e Punëve të Jashtme në Nju Delhi për të diskutuar komentet dhe situatën e përshkallëzuar. Ministria e Jashtme e Maldiveve, tha në një deklaratë më 7 janar 2024, se “këto qëndrime janë personale dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e qeverisë”.

Presidenti Muizzu më në fund bëri një deklaratë, vonë më 7 janar:

Unë dënoj përdorimin e gjuhës së urrejtjes kundër #Indisë nga zyrtarët e qeverisë së Maldiveve në mediat sociale. India ka qenë gjithmonë një mik i mirë i Maldiveve dhe ne nuk duhet të lejojmë që komente të tilla të pashpirt të ndikojnë negativisht në miqësinë e vjetër mes dy vendeve tona.

Gjithashtu, u përhap lajmi se zëvendësministrat Malsha Shareef, Mariyam Shiuna dhe Abdulla Mahzoom Majid u pezulluan nga detyra për komentet ndaj Modit në mediat sociale. Përdoruesit raportuan se disa nga zyrtarët e lartë të pezulluar çaktivizuan llogaritë e tyre.

Gazetari dhe studiuesi indian Sanjay Murari Chaturvedi komentoi:

“Parajsa e humbur”, revista e Free Press @FreepressJ në faqen e saj të parë shkruan Parajsa e humbur, Maldivet “detyrohen” të pezullojnë. “Provokimi” nga personazhet e famshëm indianë i bëri ata të postonin një mesazh të tillë në mediat sociale kundër Indisë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.