Më ngroh duart: Historia e një të sapomartuare nepaleze

Image by Pratibha Tuladhar via Nepali Times. Used with permission.

Foto nga Pratibha Tuladhar nëpërmjet Nepali Times, e përdorur me leje.

Ky artikull është pjesë e serisë Histori Suburbane, një rubrikë mujore dedikuar jetës së individëve, nga Pratibha Tuladhar dhe u botua në Nepali Times. Një version i redaktuar ribotohet në Global Voices, si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Kur Kalpana për herë të parë kapi dorën e bashkëshortit të ardhshëm, mendja ju zhvendos nga fushat e sheshta të qytetit të lindjes në rrugët e gjera të Katmandu, që së shpejti do të ishte shtëpia e saj e re. Ajo u ngrit në këmbë, pa fytyrën e tij dhe buzëqeshi; gruri i fushës i vendosur pas tij dukej si një perde e artë dhe ajo do të donte që të bënin një fotografi në atë moment. Ajo mendoi se ndoshta një telefon i ri me një kamera të mirë do të ishte mundur në Katmandu dhe që mund të postonte shumë fotografi në Facebook.

Një vit më pas, Kalpana e gjen veten në një dhomë të mbyllur të një salloni bukurie në Katmandu. Jo, ajo nuk po heq vetullat dhe as nuk po stilon flokët. Është vendi ku ajo punon tani. Nga ora 10-17, çdo ditë.

“Orari i punës nuk është keq. Paratë nuk janë shumë, por punëdhënësi im thotë se do të ketë bakshish”, shprehet ajo.

Në qytetin e lindjes, Kalpana ishte trajnuar për heqjen e vetullave, ngrohjen e dyllit në enë dhe për t'i hequr ato me shirita pëlhure, për të masazhuar fytyrën dhe shpatullat e grave teksa ato bënin trajtime. Miqtë e kishin këshilluar se kjo ishte rruga e duhur për të zgjedhur përpara se të nisej për në Katmandu.

“Është më lehtë për të gjetur punë,” i thanë. “Dhe nëse do të shkosh jashtë shtetit, akoma më mirë. Gratë ja dalin shumë mirë në sallonet e bukurisë.”

Në Katmandu, Kalpana zbuloi se jeta nuk përputhet me narrativën që kishte dëgjuar në vendlindje.

Kur ishte e vogël, ajo kishte kaluar disa javë në Katmandu duke vizituar të afërmit dhe kështu, natyrisht, ajo e njihte qytetin. Por Katmanduja që pa si e rritur ndjehej elargët, klaustrofobike dhe indiferente. Udhëtimet me autobus nuk janë më turistike, por një sprovë. Ajo përpiqet të gjejë hapësirë, ​​për të mos u shtyrë e ngushtuar nga pasagjerët e tjerë. Është ndjesi e njohur e megjithatë është alarmante me një bërryl që i kalon mbi fytyrë, fërkimin nga dikush e aromën e hudhrës që del me frymën e dikujt mbi flokët e saj. Ndonjëherë, gjatë udhëtimit me autobus, ajo mbyll sytë derisa fatorinoja të njoftojë stacionin ku ajo do zbresë: “Balaju!”

Ky udhëtim i kushton 5000 NPR (38 dollarë) në muaj. “Parazitët!” mendon ajo me vete. Kalpana psherëtin gjatë gjithë udhëtimeve me autobus.

Në javët e para në sallon, puna dukej si një vend për t'u shoqëruar me gra të tjera, për të bërë thashetheme, për të ngrënë momo bufe për 150 rupi (1,13 dollarë) një herë në javë. Zakonisht, një tas me WaiWai pikante (noodles gjysmë të gatshme) me channa (qiqra) për 60 rupi (45 cent). Kalpana thotë se kjo ndjesi është si një ngazëllim i njohur, si ai që ndjente gjatë ditëve të shkollës kur kalonte momente me miqtë e fëmijërisë.

Brenda më pak se dy muajsh nga puna në sallon, Kalpana thotë se detyrat e saj filluan të shtohen. Pronari i tha se biznesi po ecte ngadalë dhe rrezikonte të mbyllej dhe se duhet të mendonte për një mënyrë për të vijuar aktivitetin. Ndryshe, biznesi ose do shitej ose duhej riformatuar.

Kalpana ishte shqetësuar në atë kohë se shitja e biznesit do të thoshte se do të pushohej nga puna. 3,000 rupi në muaj që ajo ishte në gjendje të kursente pasi paguante biletën e autobusit dhe kaja nuk do t'i merrte më. Këto ditë, ajo do të dëshironte që pronari ta kishte shitur ose mbyllur biznesin e saj. Kjo nuk ndodhi, sigurisht.

Punëdhënësi ndryshoi gjërat shpejt. Ajo shtoi një tabelë në biznes: “masazh”. Dhe shtretërit e lartë që përdornin më parë për të ofruar trajtime të fytyrës u kthyen shpejt në tavolina masazhi. Zonja trajnoi me radhë të treja vajzat që punonin me Kalpanën, duke u treguar se si të masazhonin, ku të ushtronin më shumë forcë, ku të fërkonin…

Në rolin e saj të ri si masazhiere, Kalpana zbulon se do u shërbejë edhe burrave, edhe grave. Meshkujt janë shpesh burra të moshës së mesme me bark, të cilët hyjnë në heshtje dhe largohen duke çaluar.

“Një herë, dikush më kërkoi një shërbim të papërshtatshëm dhe unë nuk e dija nëse u inatosa apo u frikësova. Dola nga dhoma dhe thirra Didin. Por Didi tha se disa klientë është e vështirë të kënaqen dhe ajo më zëvendësoi mua për pjesën tjetër të seancës.”

Duart e Kalpanës janë të vogla, si ato të një nxënëseje dhe nuk mund të imagjinohet se si duar kaq të vogla mund të mbulojnë gjithë trupin gjatë masazhit. Duar tepër të vogla.

“Burri im nuk e di. Ai ende mendon se ky është një sallon, që është gjithashtu. Ai mund të më vrasë nëse merr vesh se unë punoj edhe si masazhatore. Marnu huncha (që do të thotë: “Ai do të më vrasë”). Nëse do të gjeja një punë tjetër, do të largohesha. Edhe si shërbëtore në shtëpinë e dikujt.”

Disa ditë, mendoj se do të zgjohem një mëngjes, do të nisem për në punë, do të hipi në autobus nga Balaju dhe thjesht do të vazhdoj, do të bie në gjumë në autobus, do të blej pak badam (bajame) dhe suntala (mandarina), do t'i ha në autobus, pastaj të fle përsëri dhe të kthehem në shtëpi në orën gjashtë. Të tjerët nuk do ta dinin, apo jo? Domethënë, derisa të mbarojnë paratë?”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.