“Më pyesni për Nepalin” ofron informacione të detajuara

A screengrab of Ask Me About Nepal's home page.

Foto e faqes kryesore të “Më pyesni për Nepalin”. Përdorim i drejtë.

Motorët e kërkimit nuk janë burimi i vetëm për informacionin që njerëzit kërkojnë. Midis shumë faqeve të veçanta të internetit që ofrojnë informacione, Më pyesni për Nepalin dallon, duke iu përgjigjur pyetjeve të atyre që duan të dinë më shumë rreth këtij vendi.

Nikki Thapa, një fotografe dhe shkrimtare, gjithmonë përpiqej të gjente informacione për Nepalin dhe zakonet e tij në internet gjatë katalogimit të fotove. Google dhe Wikipedia nuk kishin informacionin që ajo kërkonte. Ndaj ajo solli “Më pyesni për Nepalin”– një portal unik, ndoshta një kombinim i Google dhe Wikipedia, që u përgjigjet pyetjeve të përdoruesve. Faqja e internetit ofron informacione për Nepalin, përmes fotografive dhe tregimeve në anglisht.

Gazetari Aashish Mishra postoi në X (ish-Twitter):

‘Kwoo’ e stolisur me ‘Dho’ të fryrë. Një zakon unik i Sikali Jatra të Khokana. Për të mësuar pse ky vendbanim – vendbanimi i themeluar mbi lot – nuk feston Dashain, lexoni këtë raport timin. Foto nga faqja në Facebook “Më pyesni për Nepalin”

Sanjib Chaudhary nga Global Voices foli me Nikki Thapa për nismën e saj.

Global Voices (GV): Si e konceptuat “Më pyesni për Nepalin”?

Nikki Thapa (NT): [Në vitin 2000] po punoja me Thomas Kelly, një fotograf amerikan i cili erdhi në Nepal në 1978 si vullnetar i Korpusit të Paqes të SHBA-së dhe kontribuoi në dokumentimin e komuniteteve të margjinalizuara, kulturës dhe traditës së tyre.

Interneti sapo ishte futur në atë kohë. Megjithatë, nuk merrja asnjë informacion për gjërat që do të doja të dija. Në atë kohë kishte një linjë telefonike të quajtur ‘Më pyet mua’, e cila pranonte pyetje nga publiku. Po mendoja të kisha një shërbim të ngjashëm që mund të ofronte përgjigje.

Në vitin 2017 lashë punën dhe fillova të punoja në projektin “Më pyesni për Nepalin”. Doja të kisha një hapësirë ​​të ngjashme me Wikipedia ku mund të kërkoni informacione për njerëzit, vendet, gjërat, në thelb gjithçka që bën jehonë brenda Nepalit. Kështu lindi, ‘Më pyesni për Nepalin’ (AMAN). Konsideroheni si një portal për Nepalin.

GV: Çfarë audience keni parasysh? Çfarë lloj tregimesh publikoni në faqen tuaj të internetit? A mund të ndani disa nga analizat tuaja?

NT: Ne jemi në internet nga 2018 dhe kemi rreth 4,000 vizitorë çdo muaj. Shumica e vizitorëve tanë janë nga SHBA, India dhe Nepali.

Ne synojmë një audiencë globale – këdo që dëshiron të dijë për Nepalin. Në mënyrë të veçantë, studiuesit, njerëzit që duan të vijnë në Nepal dhe nxënësit.

Në “Më pyesni për Nepalin”, do të gjeni përmbajtje autentike, të strukturuar mirë e të mundësuar nga një ekip i përkushtuar studiuesish, shkrimtarësh, fotografësh, entuziastësh të kulturës, ekspertë të industrisë dhe bashkëpunëtorë.

GV: A mund të ndani disa anekdota interesante? Cili ka qenë reagimi i lexuesve tuaj?

NT: Njerëzit na kontaktojnë për të mësuar më shumë rreth tregimeve të publikuara. Për shembull, dikush që lexon një postim për Nagpokhari [një pellg në zemër të Katmandu, ngjitur me ish-pallatin mbretëror] do të donte veçanërisht të dinte më shumë për llojin e Nag (kobrës indiane) në Nagpokhari. Ata do të pyesnin se çfarë lloj Naga është.

Të tjerë do të na kërkonin të shkruanim më shumë për kulturën.

GV: Si e menaxhoni përmbajtjen?

NT: Unë jam përgjegjëse për përmbajtjen dhe mirëmbajtjen e faqes së internetit. Kemi edhe bashkëpunëtorë të rastësishëm dhe një ekip autorësh.

Ne kërkojmë nga fotografët të ofrojnë imazhe për tregimet tona dhe arkivën e fotografive. Platforma “Më pyesni për Nepalin” ofron një mundësi për fotografët e rinj që të ngarkojnë fotot e tyre dhe t'i ndajnë ato me një audiencë gjithnjë në rritje.

Objektivi ynë kryesor është të ofrojmë një platformë për shkrimtarët dhe fotografët në mënyrë që ata të mund të fitojnë para duke ja paraqitur tregimet e tyre një audiencë më të gjerë. Edhe unë fitoj në mënyrë që të mund të siguroj grante për studiuesit.

GV: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

NT: Nuk dua që “Më pyesni për Nepalin” të jetë domosdoshmërisht e fokusuar te lajmet, por një vend ku përdoruesit mund të gjejnë informacion të bollshëm. Ai duhet të shërbejë si një destinacion me një ndalesë që ofron një dritare në çdo aspekt të Nepalit, për dikë që kërkon informacion për vendin.

Unë dua t'u hap dyert akademikëve nepalezë që të ndajnë punën dhe kërkimin e tyre të palodhur, duke i lejuar ata të shesin tezat e tyre akademike në platformë. Kjo jo vetëm që do të mbështesë përpjekjet e tyre akademike, por gjithashtu do të kontribuojë në pasurinë e njohurive të disponueshme në “Më pyesni për Nepalin”.

Gjithashtu, unë dua të krijoj “Fondacionin Më pyesni për Nepalin”, që do të ofrojë grante vjetore për të mbështetur studiuesit në çdo fakultet.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.