A e dënoni?

Ndaloni vrasjen. Berlin Mitte, Potsdamer Platz, 29 nëntor. Foto nga . CC BY-NC-ND 2.0 VEED. Përdorim i drejtë.

Ky artikull u shkrua nga Wieland Hoban dhe fillimisht u botua në Battleground më 1 dhjetor 2023. Një version i redaktuar ribotohet në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes. 

Ndër shumë fjalime që pasqyrojnë delegjitimimin e rezistencës palestineze – edhe në format e saj jo të dhunshme, si protesta dhe bojkoti – është pyetja: “A e dënoni?”

Herë pas here, u drejtohet të ftuarve palestinezë nga intervistuesit si një ritual që duhet kryer përpara se biseda të vazhdojë, ose kundër mbështetësve të të drejtave palestineze, siç u demonstrua së fundmi nga drejtuesi televiziv britanik Piers Morgan në një bisedë me Jeremy Corbyn.

Në një intervistë me Christiane Amanpour të CNN, Mbretëresha Rania e Jordanisë vuri në dukje standardin e dyfishtë:

Pse kur njerëzit vijnë për të përfaqësuar çështjen palestineze, në fillim të një interviste, ata duhet të përballen me një pyetje për njerzillëkun e tyre, ata duhet të paraqesin kredencialet e tyre morale: “A e dënoni?” Ne nuk shohim që zyrtarëve izraelitë u kërkohet të dënojnë, dhe kur ndodh, njerëzit pranohen lehtësisht nga “e drejta jonë për të mbrojtur veten”. Unë kurrë nuk kam parë një zyrtar perëndimor të thotë fjalinë: Palestinezët kanë të drejtë të mbrohen.

Ndërsa mbretëresha u trajtua pak më butësisht se shumica e palestinezëve dhe nuk u përball drejtpërdrejt me këtë kërkesë, ambasadori palestinez në Mbretërinë e Bashkuar, Husam Zomlot, ju nënshtrua një seance marrjeje në pyetje veçanërisht të padenjë nga prezantuesja Kirsty Wark në programin e BBC, Newsnight.

Zomlot sapo kishte humbur gjashtë anëtarë të familjes, përfshirë dy fëmijë, në Gaza. Kjo, megjithatë, nuk e pengoi Wark-un të këmbëngulte që ai – një përfaqësues i PLO-së – të dënonte veprimet e Hamasit. Zomlot tregoi një përmbajtje të jashtëzakonshme, duke ruajtur qetësinë pavarësisht pikëllimit të tij.

Për këdo që është i njohur me historinë se si popujt e shtypur – qofshin ata të kolonizuar nga shtetet e tjera apo ata të trajtuar padrejtësisht nga të tyret – i janë përgjigjur shtypjes, ky është vetëm shembulli i fundit i një fenomeni të respektuar nga koha.

Për shkak se shtypësi nuk është vetëm politikisht dhe fizikisht, por edhe dominues diskursiv, çdo refuzim për të pranuar kushtet paraqitet si dëshmi e egërsisë, duke përforcuar idenë se shtypja është e justifikuar, madje e nevojshme.

Një shembull i fuqishëm nga historia e kohëve të fundit mund të gjendet në një intervistë me ikonën e të drejtave civile të personave me ngjyrë, Angela Davis nga viti 1972 kur ajo u burgos.

Davis shpreh hutimin që intervistuesi i saj duhet ta pyesë nëse e miratonte dhunën në luftën e personave me ngjyrë, kur ishte rritur në një komunitet që ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme nga racistët.

Përsëri, ky nuk është një justifikim i plotë për çdo gjë që bëhet në procesin e rezistencës dhe sulmi i 7 tetorit kaloi kufirin e përcaktuar nga e drejta ndërkombëtare. Por përdorimi i termit përcakton kontekstin, jo moralin.

Kur amerikanët indigjenë po luftonin kundër gjenocidit, ata kryen masakra kundër familjeve të kolonëve të paarmatosur, por verdikti i historisë nuk ka qenë qartë se akte të tilla brutaliteti zhvlerësuan vetë luftën antigjenocidale.

Nuk duhet të kthehemi në vitin 1948 për të theksuar dhunën e vazhdueshme të Izraelit kundër palestinezëve në Gaza dhe gjetkë; mjafton të kthehemi 16 vjet pas vendimit për vendosjen e Rripit të Gazës nën bllokadë.

Ky ishte një akt ndëshkimi kolektiv që është dënuar ndërkombëtarisht dhe pasojat e shumta të tij rezultojnë një gjendje dhune.

Dhuna lind kundërdhunën dhe rezistenca e armatosur në Gaza – e cila përfshin jo vetëm islamikët si Hamasi, por edhe PFLP Marksiste-Leniniste (Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës) – vepron në përgjigje të dhunës së okupimit.

Fjala ‘terrorizëm’ ​​e errëson këtë dhe delegjitimon rezistencën jo vetëm për akte specifike – si vrasja e civilëve – por për të rezistuar. Dhe kjo është pikërisht ajo që njerëzit po nxiten të denoncojnë kur pyeten: “A e dënoni Hamasin?”

Një nga politikanët e majtë më të njohur dhe elokuent në Evropë, ekonomisti grek Yanis Varoufakis, solli një ndryshim në një intervistë me shpjegimin e tij se pse ai refuzoi të dënonte Hamasin për sulmin.

Ai e vendosi përgjegjësinë për padrejtësinë strukturore në rrënjën e dhunës më pak me vetë Izraelin sesa me Perëndimin, pasi vendet perëndimore kishin mbështetur veprimet e Izraelit dhe sistemin e tij të aparteidit për dekada.

Varoufakis theksoi thjesht se kur anëtarët e rezistencës së personave me ngjyrë në Afrikën e Jugut kryen akte dhune në luftën e tyre kundër aparteidit, problemi nuk ishte dhuna e tyre; problemi ishte aparteidi.

Nuanca mund të jetë një mall i paktë në diskursin tonë publik gjithnjë e më të polarizuar, një diskurs i dominuar nga zemërimi në internet dhe ndoshta nuk ka qenë kurrë më i rrallë që nga 7 tetori.

Organizata aktiviste ku unë përkas, Zëri Hebre me bazë në Gjermani për një Paqe të Drejtë në Lindjen e Mesme, sigurisht që nuk ka mbetur anash. Shumë nga anëtarët tanë janë izraelitë, me familje dhe miq në Izrael.

Atë ditë, një anëtar humbi një të afërm të cilin IDF e qëlloi pasi u ngatërrua me një militant palestinez. Një tjetër anëtar kishte jetuar në Sderot për disa vjet dhe druhej të shikonte listën me emrat e viktimave, nga frika se mos lexonte emra të njohur. Këta janë vetëm dy shembuj.

Nuk duhet të jetë befasi që ne kemi përjetuar gjithashtu një shkallë të fërkimit të brendshëm në lidhje me reagimin tonë ndaj ngjarjeve.

Ndërsa disa anëtarë e panë të domosdoshme të shprehin ndjeshmërinë, të tjerët nuk e konsideruan rolin tonë si aktivistë politikë për të theksuar emocionet kur një sistem afatgjatë i shtypjes strukturore dhe i dhunës ishte shkaku kryesor i dhunës në një moment të caktuar.

Kishte zemërim dhe fyerje; madje një anëtar u largua nga grupi.

Bordi përfundimisht publikoi një deklaratë që kërkonte një rrugë të mesme midis njerëzimit dhe analizës politike. Ne e kishim të qartë se armiqtë tanë dhe ndoshta edhe disa miq do na sulmonin – sepse ne nuk e dënuam atë për arsyet që kam diskutuar këtu.

Nuk ishte një zgjedhje për të marrë anën e atyre që vranë të pafajshëm më 7 tetor, por përkundrazi të deklarohej pa mëdyshje se ato fatalitete erdhën si rezultat i padrejtësisë që u bë mbi ata që u vranë shumë kohë më parë dhe me mijëra po vriten ndërsa po shkruaj këtë artikull.

Në kujtim të Khalil Aburaida, i vrarë nga bombat izraelite në tetor 2023 dhe për gruan e tij Alaa e katër fëmijët, fati i të cilëve ende nuk dihet.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.