Kisha e Betlehemit krijon skenën e lindjes së Jezu Krishtit mbi rrënoja

Foshnja Jezus mes rrënojave. Pamje nga një video e titulluar: Krishtlindjet e qeta në Betlehem: Betimi për solidaritet me palestinezët në Gaza nga kanali në YouTube i Al Jazeera. Përdorim i drejtë.

Ky artikull u botua fillimisht në New Arab. Një version i redaktuar është ribotuar në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Një kishë në Betlehem ka krijuar skenën e lindjes së Krishtit që i ngjan situatës në  Gazën e shkatërruar nga lufta, ndërsa Krishtlindja e këtij viti u kalua në mes të sulmit brutal të Izraelit në enklavën palestineze.

Skena e lindjes së Krishtit në Kishën Ungjillore Luterane të Krishtlindjes tregon një foshnjë kukull të mbështjellë në keffiyeh tradicionale palestineze dhe të vendosur mbi rrënoja. Ndërsa keffiyeh simbolizon identitetin, historinë dhe luftën palestineze, rrënojat përfaqësojnë shkatërrimin në Gaza, ku [deri në publikimin e artikullit] të paktën 19,453 njerëz, përfshirë 7,729 fëmijë, janë vrarë nga lufta pa dallim e Izraelit.

Foshnja-lodër që duhej të ishte Jezusi besohet se përfaqëson mijëra fëmijë të varrosur nën rrënojat në Gaza.

Reverenti Munther Isaac, pastori i kishës, i tha New Arab se ideja ishte e tija dhe e ndau atë me kongregacionin e tij.

“Familjet e kishës u takuan javën e kaluar dhe e ndërtuan atë së bashku. Ishte një përvojë emocionuese për familjet tona. Gjatë shërbesës të dielën, disa njerëz ishin në lot”, tha ai.

Betlehemi besohet të jetë vendlindja e Jezusit. Mijëra njerëz zakonisht dynden në qytetin e Bregut Perëndimor çdo vit për të festuar lindjen e tij. Por muajin e kaluar, bashkitë dhe kishat në Betlehem dhe Ramallah njoftuan se festimet e Krishtlindjes do të anuloheshin në Bregun Perëndimor të pushtuar, në shenjë solidariteti me Gazën, duke u bërë thirrje famullive që në vend të kësaj të mbledhin donacione.

“Betlehemi nuk ka vizitorë këtë vit. Pelegrinët nuk do të vijnë në Betlehem këtë vit për shkak të luftës”, tha Rev. Isaac. “Por ne ishim të befasuar dhe të tronditur nga vëmendja dhe përgjigja që morëm përmes rrjeteve sociale dhe mediave në përgjithësi. Jemi të kënaqur që mesazhi ynë ka arritur në botë. Kështu dukej Krishtlindja në Palestinë këtë vit, origjina e Krishtlindjes,” tha ai për New Arab.

Pastori tha se nuk kishte asnjë koment nga autoritetet izraelite, “të paktën deri më tani”. Por ai u ankua për situatën e vështirë ekonomike në qytet, pasi Izraeli ka vendosur një bllokim të rreptë në Jeruzalem dhe ka zbatuar masa të rrepta në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës.

“Jemi nën një rrethim të rreptë. Betlehemi është bosh, pa turistë. Është rritur papunësia, që nga mbyllja [nga forcat izraelite] të Jeruzalemit.”

Ndërsa kishat e krishtera perëndimore festuan Krishtlindjen më 25 dhjetor, kishat ortodokse dhe besimet e tjera të krishtera e bëjnë këtë në janar.

Vetëm një numër i vogël i të krishterëve palestinezë kanë mbetur sot në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Ata janë larguar për shkak të okupimit izraelit, rrethimit dhe vështirësive ekonomike.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.