Zgjedhje të parakohshme presidenciale në Azerbajxhan

Presidenti Ilham Aliyev. Foto nga Arzu Geybullayeva

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev firmosi më 7 dhjetor, një dekret që njoftonte se vendi do të zhvillonte zgjedhje të parakohshme presidenciale në shkurt të vitit të ardhshëm dhe jo sipas planit fillestar në 2025.

Aliyev ka qenë në pushtet për 20 vitet e fundit. Herën e fundit që vendi zhvilloi zgjedhje presidenciale ishte në vitin 2018, në të cilat Aliyev u rizgjodh për një mandat shtatëvjeçar (falë një referendumi të debatueshëm në vitin 2016, i cili zgjati mandatin presidencial nga pesë në shtatë vjet). Të gjitha partitë e mëdha opozitare bojkotuan procesin në vitin 2018, ndërsa vëzhguesit thanë se zgjedhjet nuk ishin të lira e të drejta.

Në vitin 2009, si rezultat i një referendumi kushtetues, Azerbajxhani hoqi kufizimet e mandatit që një zyrtar aktual mund të mbajë. Me shumicën e shoqërisë civile nën kontrollin e Aliyevit, ai është pothuajse i sigurt se do të fitojë një mandat tjetër vitin e ardhshëm. Pas njoftimit të vendimit, analistët nisën të analizonin arsyen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në fund të fundit, Aliyev i është rrritur mbështetja pasi siguroi fitoren në luftën e dytë të Karabakut dhe ofensivën e fundit të Azerbajxhanit në Nagorni Karabakh në shtator 2023, e cila çoi në kapitulimin total të Karabakut dhe eksodin masiv të popullsisë etnike armene.

Përpjekjet diplomatike

Arif Yunus, një akademik azer dhe ish i burgosur politik shpjegon se ishte vizita e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James O'Brien që solli vendimin. Në një intervistë me ish-diplomatin Arif Shahmarli për kanalin e YouTube Azad Soz, Yunus tha se disa orë pas takimit midis O'Brien dhe Aliyev, ata ranë dakord të dërgonin  në dhjetorministrat e jashtëm në Uashington.

Pata takime pozitive dhe konstruktive në Baku. Siç i thashë presidentit Aliyev, SHBA mirëpret vizitat e Guvernatorit të Bankës Qendrore dhe Ministrit të Energjisë dhe Sekretari Blinken pret me padurim vajtjen e ministrave të jashtëm Bayramov dhe Mirzoyan në Uashington së shpejti për negociatat e paqes.

Në rendin e ditës ishte edhe një takim midis kryeministrit të Armenisë Nikol Pashinyan dhe Aliyev, i organizuar në Uashington. Por, në vend që binte dakord për takimin, “Azerbajxhani shpalli vendimin për zgjedhjet e parakohshme presidenciale në shkurt. Kjo nënkupton se takimi i ardhshëm mes ministrave të jashtëm më vonë në dhjetor është vetëm protokoll dhe nuk do të prodhojë ndonjë rezultat të rëndësishëm”, vuri në dukje Yunus. Kjo do të thotë se zyrtarisht Bakuja po shmang ose po e pengon nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare të paqes duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, shtoi Yunus.

Sepse Aliyev mund të pësojë dëmtim të reputacionit sapo të bëhen publike detajet e marrëveshjes së paqes. Kjo dhe mundësia që Azerbajxhanit t'i vihen sanksione nga SHBA pas deklaratës së  O'Brian në nëntor, se marrëdhëniet midis dy vendeve nuk mund të vazhdojnë më siç janë. Pra, Aliyev, duke patur parasysh zhvillimet, vitin e ardhshëm do të ishte më e vështirë të manipulohej një fitore zgjedhore.

Gjatë seancës dëgjimore të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të titulluar “E ardhmja e Nagorni-Karabakut”, më 15 nëntor, O'Brien tha:

E kemi bërë të qartë se asgjë nuk do të jetë normale me Azerbajxhanin pas ngjarjeve të 19 shtatorit derisa të shohim përparim në rrugën e paqes. Pra, ne kemi anuluar një sërë vizitash të nivelit të lartë, kemi dënuar veprimet… Ne nuk kemi ndërmend të heqim dorë nga Seksioni 907 derisa të shohim një përmirësim të vërtetë.

Seksioni 907 dhe sanksionet e mundshme

Më 19 shtator, ditën kur Azerbajxhani nisi një ofensivë ushtarake në rajonin e diskutueshëm të Nagorni-Karabakut, dy senatorë amerikanë i shkruan një letër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken duke i kërkuar administratës së Bidenit që të “dënojë menjëherë veprimet e qeverisë së Azerbajxhanit në Nagorni Karabakh dhe njoftojnë se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga seksioni 907 i Aktit të Mbështetjes së LIRISË”.

Seksioni 907 i vitit 1992 është një program afatgjatë i cili ndalon Shtetet e Bashkuara të ofrojnë ndihmë për Azerbajxhanin. Por çdo vit që nga 2002, Shtëpia e Bardhë ka bërë lëshime për të ofruar ndihmë për Azerbajxhanin pasi ky i fundit lejoi SHBA-në në atë kohë “të përdorte territorin e vendit si një urë tokësore për të futur trupat në Afganistan”. Kjo krijoi mundësinë për partneritete të gjera ushtarake dhe të sigurisë midis dy vendeve. Këtë vit, bllokada e gjatë nëntë mujore e Korridorit të Laçinit dhe ofensiva ushtarake të Azerbajxhanit vonuan procesin me arsyetimin se zyrtarisht Bakuja duhet së pari të ndërmarrë “hapa për të ndërprerë të gjitha bllokadat dhe përdorimin e forcës kundër Armenisë dhe Nagorni-Karabakut.”

Gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në nëntor, O'Brien zbuloi gjithashtu se SHBA-ja “kërkoi hetues të pavarur” për të “zbardhur atë që ndodhi” para dhe pas ndërhyrjes ushtarake të 19 shtatorit. Ai shtoi se vendi i tij gjithashtu anuloi takimet dhe angazhimet dypalëshe të nivelit të lartë me Azerbajxhanin, pasi vazhdoi t'i bënte thirrje Bakusë që të “lehtësojë kthimin e armenëve të Nagorni-Karabakut.”

Deklarata e O'Brien nuk u mirëprit dhe Azerbajxhani njoftoi se po tërhiqte ministrat e tij të jashtëm nga takimi i udhëhequr nga SHBA me Armeninë, i cili ishte planifikuar për më 20 nëntor.

Ekziston gjithashtu mundësia e sanksioneve ndaj Azerbajxhanit. Në tetor 2023, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku bëhet thirrje për sanksione ndaj zyrtarëve qeveritarë në Baku dhe pezullimin e të gjitha marrëdhënieve dypalëshe me Bakun.

Në shtator 2023, rreth 100 ligjvënës të Dhomës dhe Senatit i kërkuan gjithashtu Departamentit të Shtetit të sanksionojë zyrtarët e Azerbajxhanit.

Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, asnjë prej tyre nuk u miratua.

Qëllime të mira?

Më 7 dhjetor, Bakuja dhe Jerevani ranë dakord të shkëmbejnë të burgosurit në një gjest të rrallë të vullnetit të mirë. 32 ushtarë armenë u shkëmbyen me dy ushtarakë të Azerbajxhanit. Kryeministri i Armenisë ra gjithashtu dakord të tërhiqej nga oferta për të pritur Sesionin e Konferencës së Palëve të vitit të ardhshëm në Konventën në Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP29) duke shprehur mbështetjen për Azerbajxhanin si mikpritës.

Synimet e mira të Azerbajxhanit vijnë në një kohë të ripërtëritjes së goditjes në vend. Arrestimet e nëntorit të disa gazetarëve të pavarur shkaktuan tronditje në vend.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.