Qeveria kroate fajësohet për financimin e një portali dezinformues me fondet e BE-së

Flags of European Union, Croatia and NATO waving in front of the Ministry of Defense of Republic of Croatia, Zagreb,

Flamujt e Bashkimit Evropian, Kroacisë dhe NATO-s valëviten përpara ministrisë kroate të Mbrojtjes, Zagreb, 17 maj 2019. Foto nga Global Voices, CC-BY.

Ky artikull fillimisht u publikua në Faktograf.hr, një media nga Kroacia që kontrollon faktet dhe një nënshkruese e certifikuar e Kodit të Parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve. Një version i redaktuar botohet më poshtë bazuar në licencën e atributit Creative Commons.

Më 31 tetor, shërbimi i kontrollit të fakteve Faktograf raportoi se ministria kroate e Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Artizanatit i akordoi rreth 13.200 euro subvencione nga fondet strukturore të BE, portalit Dnevno.hr, “një prej prodhuesit kryesorë të dezinformatave në hapësirën mediatike kroate”.

Paratë nga fondi Evropian për Zhvillimin Rajonal iu dhanë Dnevno.hr për të rimodeluar faqen në internet për të ndihmuar lexuesit e tyre të arrijnë “informacionin” më shpejt dhe lehtë, dhe të ndihmojnë botuesin të rrisë të ardhurat.

Faktograf fajëson qeverinë kroate për përdorimin e parave të BE-së për të ndihmuar një portal të njohur për përhapjen e dezinformatave që shpesh përmbajnë gjuhë të urrejtjes. Granti për Dnevno.hr u miratua si pjesë e një projekti të quajtur “Kupona WWW për NVM” (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme), që nisi në gusht 2018. Kontrata e grantit me kompaninë Motus doo, e cila është botuese e portalit Dnevno. hr dhe disa media të tjera dixhitale, u nënshkrua në tetor 2018. Granti u aprovua gjatë mandatit të ministrit aktual të ekonomisë Darko Horvat, nga radhët e partisë qeverisëse të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ). Horvat u emërua ministër në maj të vitit 2018, pasi paraardhësja e tij Martina Daliq duhej të jepte dorëheqjen për shkak të skandalit të korrupsionit të njohur si afera e Agrokor.

Nixtje e qytetarëve kroatë kundër BE – me fondet e BE

Faktograf e konsideron ironike se paratë e BE-së janë përdorur për të financuar një portal në internet i cili ka qenë mashtrues i rregullt i publikut me përhapjen e dezinformatave për BE-në.

Para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të majit 2019, Dnevno.hr shërbeu si hapësirë dezinformimi, që më pas u përhap në platformat e mediave sociale. Për shembull, ata promovuan pretendime fals që nënkryetari aktual i Komisionit Evropian (KE) Frans Timmermans – i cili ishte atëherë kandidati kryesor i Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) për pozicionin e Presidentit të KE-së, fliste për “vendosjen masive të meshkujve myslimanë “si një mjet” për të arritur qëllimin e zhdukjes së shteteve me një komb”. Ata gjithashtu pohuan se kancelarja gjermane Angela Merkel po përpiqej të privojë Kroacinë nga sovraniteti i saj, dhe se miliarderi George Soros është fajtor për migrimet nga vendet me shumicë myslimane në Evropë.

Asnjë prej këtyre pretendimeve nuk është vërtetuar dhe ato janë vetëm disa nga dezinformatat që ishin identifikuar si të pavërteta nga Faktograf.

Për shembull, në tetor 2018, Faktograf kontrolloi dhjetë artikuj të ndryshëm dezinformimi të botuar nga Dnevno.hr; të gjitha rezultuan të pavërteta. Në disa raste, pretendimet falsë të publikuara për herë të parë qysh në maj 2017 ishin ricikluar duke u shpërndarë në mënyrë të përsëritur në rrjetet sociale. Ato variojnë nga mohimi i krizës së klimës, deri te lartësimi i presidentit rus Vladimir Putin dhe nxitja kundër refugjatëve dhe migrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Posterat në Zagreb reklamojnë mundësi të ndryshme politike për Zgjedhjet e Parlamentit Evropian, maj 2019 në Zagreb, Kroaci. Foto nga Global Voices, CC-BY.

Ministria e Ekonomisë nuk i përgjigjet Kërkesës së Lirisë së Informacionit, Komisioni Evropian është i pafuqishëm

Më 18 tetor, Faktograf paraqiti një kërkesë për Lirinë e Informacionit (FOI) Ministrisë së Ekonomisë Kroate, duke pyetur nëse komisioni që dha paratë e BE-së për Dnevno.hr mori parasysh cilësinë dhe saktësinë faktike të përmbajtjes së tyre. Institucioni shtetëror nuk arriti t'i përgjigjet pyetjes dhe në kundërshtim me ligjin nuk dha një kopje të kontratës së nënshkruar me botuesin e Dnevno.hr.

I vetmi informacion që ministria dha si përgjigje ndaj kërkesës së FOI më 23 tetor, ishte një dokument me një përshkrim të përgjithshëm të kushteve të shpërndarjes së granteve nën thirrjen “Kuponat WWW për NVM”. Faktograf përsëriti kërkesën në të njëjtën ditë, duke kërkuar informacionin e vërtetë, por deri më tani nuk ka marrë një përgjigje.

Faktograf i shkruajti gjithashtu Komisionit Evropian, duke iu drejtuar zëdhënësve përgjegjës për shpërndarjen e parave në Fondin Evropian për Zhvillimin Rajonal. Nisma për kontrollimin e fakteve pyeti nëse shpenzimi i fondeve evropiane në portalet e dezinformimit është i ligjshëm, dhe nëse shtetet anëtare mund të përdorin fondet për të financuar njerëzit që përhapin dezinformimin dhe nxisin urrejtje.

Komisioni Evropian u përgjigj se ata nuk mund të komentojnë për këtë rast specifik. Përgjigja e tyre zyrtare ishte se “lufta kundër dezinformimit është një sfidë e zakonshme dhe afatgjatë të gjitha institucionet e BE dhe vendet anëtare duhet të përballen me të së bashku.”

Sipas informacionit jozyrtar të marrë nga Faktograf nga burime anonime brenda institucioneve të BE-së, BE-ja nuk mund të bëjë asgjë në këtë rast sepse rregullat fillestare për shpërndarjen e granteve nga fondet evropiane nuk e kishin parashikuar një situatë të tillë. Askush nuk ka menduar më parë se dispozitat do të duhet të përmbajnë një ndalim të qartë të shpenzimit të fondeve të BE për të përhapur dezinformimin. Nga logjika që lejohet gjithçka që nuk është e ndaluar në mënyrë të qartë, rezulton se qeveria kroate nuk ka shpërdoruar paratë duke ia dhënë portalit Dnevno.hr, me qëllim të rritjes së të ardhurave.

Duke përdorur fondet e BE për të përhapur gënjeshtrat dhe teoritë e konspiracionit, qëllimi i të cilave, ndër të tjera, përfshin destabilizimin e Bashkimit Evropian, duket se për Dnevno.hr dhe botuesin e tij, ndonjëherë është e dobishme të ”kafshoni dorën që ju ushqen”.

Promovimi i nacionalizmit dhe urrejtjes në Ballkan

Portali Dnevno.hr është pjesë e një rrjeti mediatik të themeluar nga biznesmeni i diskutueshëm Michael Ljubas, i njohur për marrjen dhe falimentimin e Elektroproment, një kompani nga Zagrebi e cila në kulmin e saj kishte mbi 300 të punësuar dhe vlerë pothuajse 15 milion dollarë amerikanë. Ljubas themeloi kompaninë mëmë të portalit Portal Dnevno d.o.o. në vitin 2010, shumë kohë para se termi “lajm i rreme” të kthehej në modë. Ndërgjegjësimi në rritje për ndikimin e dezinformatave si një kërcënim kryesor për demokracinë nuk ka ndikuar në biznesin e tij.

“Dnevno” do të thotë “e përditshme” në kroatisht, serbisht dhe gjuhën boshnjake, dhe kompania mediatike në pronësi të Ljubas gjithashtu përfshiu portalet në internet me të njëjtin emër në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shërbimi i kontrollit të fakteve të mediave boshnjake Raskrinkavanje.ba ka një bazë të dhënash që dokumenton burime të dezinformatave që prekin vendin me mbi 1500 hyrje të mbledhura që nga nëntori i vitit 2017. Sipas këtyre të dhënave, kroatishtja (Dnevno.hr), Boshnjake (Dnevno.ba) dhe serbe ( Dnevno.rs) versionet e Dnevno përhapin dezinformata rreth Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë manipulimet politike, përmbajtjen sensacionaliste për klikim-karrem te teoritë e komplotit dhe promovimin e pseudoshkencës. Versioni kroat përhap pjesën më të madhe të dezinformatave nga portalet e ndryshme me 23 hyrje, pasoi versionin boshnjak me 14 hyrje, dhe versionin serb me 3 hyrje.

Sipas Faktografit, të tre portalet janë famëkeq për nxitjen e nacionalizmit dhe botimin e dezinformatave. Versioni kroat nxit urrejtje ndaj serbëve, ndërsa në të njëjtën kohë versioni serb nxit urrejtje ndaj kroatëve, duke thelluar përçarjen midis popujve, shtetet e të cilëve u përfshinë në luftën e përgjakshme pas shpërbërjes së Jugosllavisë në 1992. Shoqata e Gazetarëve Kroatë (HND) paralajmëroi në 2013 për dëmet e shkaktuara nga portali Dnevno.hr në shoqërinë tashmë të polarizuar kroate. HND tha:

Sulmet dhe shpifjet nga ai portal dhe në një shkallë më të vogël e të përjavshmes ‘7Dnevno ’ndaj individëve, shoqatave dhe grupeve që nuk i përmbahen pozicioneve të tyre konservatore të krahut të djathtë, e sjellin shoqërinë tonë në vitet 1990 dhe shpesh ulin kulturën e komunikimit publik në nivelin e gjuhës së urrejtjes të përdorur nga tabloidet Slobodni tjednik dhe Imperial gjatë dhe pas luftës

Kompania mëmë Portal Dnevno d.o.o. shpalli falimentimin dhe u mbyll në vitin 2019. Një nga arsyet pse Dnevno.hr falimentoi ishte kostoja e dëmshpërblimit për njerëzit që e paditën për shpifje pasi publikuan pretendime të pavërteta. Sidoqoftë, paditësit nuk mund të merrnin dëmshpërblim sepse brenda majit 2017 Ljubas kishte shitur markën Dnevno.hr te Marija Dekaniq, pronare e agjencisë së marketingut dixhital Logobox. Ajo ishte një ish anëtare e Partisë Popullore Kroate (HNS), një partner i ri i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në koalicionin aktual qeverisës. Dekanić është pronare e kompanisë Motus d.o.o., botuesja aktuale e portalit Dnevno.hr, që mori paratë nga Fondi Evropian për Zhvillimin Rajonal për ridizajnimin e portalit.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.