Zjarrfikësit vullnetarë boshnjakë: Guxim, lidership dhe unitet

Foto nga Departamenti i Zjarrfikësve Turbe, nëpërmjet Balkan Diskurs. Përdoret me leje.

Ky artikull nga Amel Zolota u botua fillimisht në Balkan Diskurs, një projekt i Qendrës Kërkimore të Post-Konfliktit (PCRC). Një version i redaktuar  ripublikohet nga Global Voices sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Departamenti i Zjarrfikësve Turbe në Bosnjë dhe Hercegovinën qendrore është një shtyllë krenare e komunitetit. 50 anëtarët e saj, përfshirë 28 të rinj vullnetarë, janë të përkushtuar për mbrojtjen dhe sigurinë e bashkëqytetarëve të tyre.

Nën moton “Koha jonë e lirë për sigurinë tuaj”, ato mishërojnë përkushtimin dhe gatishmërinë për të sakrifikuar që t'u ofrojnë mbrojtje personave në nevojë.

Turbe është një qytet me rreth 3000 banorë afër Travnikut në Bosnje dhe Hercegovinë. Harta nga përdoruesi i Wikipedia-s NordNordWest, CC BY-SA 3.0.

Departamenti i Zjarrfikësve Turbe daton që nga 1922 kur u krijua nga ish-kompania Ugar. Trashëgimia e tyre e lavdishme vazhdon të rrezatojë edhe sot.

Drejtori Kenan Zahirović ka një përgjegjësi të madhe ndaj zjarrfikësve, shumica e të cilëve janë të rinj të apasionuar, si dhe ndaj komunitetit e shoqërisë. Shtatë vjet më parë, kur mori postin drejtues, ai u përball me sfida të konsiderueshme pasi departamenti ishte në prag të mbylljes. Megjithatë, sot ai numëron me krenari një sërë operacionesh dhe projektesh të suksesshme.

Ushtrim demonstrues në Fakultetin e Edukimit në Travnik. Burimi: Departamenti i Zjarrfikësve Turbe, nëpërmjet Balkan Diskurs. Përdoret me leje.

Ai përmend “Ditët e dyerve të hapura”, kur nxënësit e shkollave fillore vizitojnë departamentin për të mësuar se si të reagojnë në rast zjarri. Nxënësit njihen me zjarrfikësit dhe pajisjet që përdorin si dhe kanë mundësinë të jenë dëshmitarë të stërvitjeve të zjarrfikësve.

Falë mbështetjes së autoriteteve lokale, për të cilën Zahirović thotë se ka qenë mbresëlënëse gjatë pesë viteve të fundit, Departamenti i Zjarrfikësve Turbe ka marrë një sërë pajisjesh Motorola që kanë rezultuar jashtëzakonisht të dobishme. Ata kanë instaluar edhe një pompë uji, duke lehtësuar ndjeshëm reagimin e shpejtë ndaj zjarreve.

Përveç partneriteteve që departamenti ka krijuar tashmë, Zahirović vë në dukje se disa projekte të tjera janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet. Ato synojnë përmirësimin e jetës së komunitetit lokal. “Të gjitha këto përpjekje tregojnë mbështetjen dhe përkushtimin për arritjen e qëllimeve të komunitetit dhe ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për këtë,” tha Zahirović.

Alman Hrustanoviq, komandanti i njësisë së zjarrfikësve, shpjegoi se përgjegjësia më e madhe është të ruajë rendin brenda njësisë dhe të shmangë konfliktet dhe mosmarrëveshjet e panevojshme. Ai theksoi se Turbe është një departament vullnetar dhe të gjithë janë aty sepse janë të apasionuar. “Është e vështirë t'i thuash dikujt të bëjë diçka, sepse ne të gjithë jemi këtu vullnetarisht,” tha Hrustanović.

Zjarrfikësit vullnetarë pas një ndërhyrjeje të suksesshme në Vllashiq. Burimi i fotos: Departamenti i Zjarrfikësve Turbe, nëpërmjet Balkan Diskurs. Përdoret me leje.

Kur u pyet se si mund të bëhesh zjarrfikës vullnetar, Hrustanović u përgjigj se çdo person i moshës 18 vjeç e lart mund të fillojë trajnimin e nevojshëm për të përmbushur kërkesat për provimin e zjarrfikësve vullnetarë, i cili është gjithashtu një kusht për të reaguar në rast zjarresh. Ai shtoi gjithashtu se paraprakisht zhvillohen seanca speciale stërvitore.

“Stërvitja që kryejnë zjarrfikësit tanë çdo vit zhvillohet në maj, muaji i mbrojtjes nga zjarri,” shpjegoi komandanti.

Përveç kësaj, gjatë verës, ata kryejnë seanca trajnimi për t'u njohur më mirë me pajisjet, taktikat dhe vlerësimin e sigurisë. Zjarrfikësit vullnetarë marrin pjesë në programe dhe seminare të tjera trajnuese, ndërsa leksione mbahen nga anëtari i nderit dhe zjarrfikësi Nesib Mehiq, i cili ka mbi 50 vjet përvojë.

“Ne kryejmë trajnime ku zjarrfikësit shkëmbejnë rolet për tu siguruar që në rast zjarri, dikush mund të marrë rolin e duhur, nëse një person i trajnuar për atë rol specifik nuk është i disponueshëm,” tha Hrustanović.

Siç shpjegon Zahiroviq, departamenti financohet përmes Komunës së Travnikut, me një buxhet vjetor prej 10,000 BAM (rreth 5600 dollarë). Menaxhimi i është besuar Bordit Administrativ të zjarrfikësve, i cili merr vendime në lidhje me prokurimin e automjeteve, regjistrimin, pajisjet dhe nevoja të tjera.

Departamenti i Zjarrfikësve Turbe njihet edhe jashtë vendit, përfshirë njerëz nga Zvicra, Danimarka dhe Holanda, të cilët kanë kontribuar në operacionet e tyre përmes donacioneve. “Me krenari mund të themi se nuk kemi blerë asnjë pajisje në shtatë vitet e fundit, por kemi marrë shumë. Shumica e pajisjeve tona janë dhuruar nga miqtë tanë nga Zvicra, të cilët madje kanë dhuruar një makinë zjarrfikëse. Nga miqtë tanë në Danimarkë kemi marrë kostume të markës Viking, të cilat janë shumë cilësore”, tha Zahirović.

Sipas drejtorit, fakti që pjesa më e madhe e pajisjeve zjarrfikëse është dhuruar, tregon për nivelin e vlerësimit për punën e departamentit.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.