Një vit pas zjarrit në Urumqi që nxiti protestat në të gjithë Kinën: Intervistë me aktivisten ujgure Rushan Abbas

Foto nga dokumentari Në kërkim të motrës time, i shfaqur në kanalin e Euronews në YouTube.

24 Nëntori 2023 shënoi njëvjetorin e zjarrit vdekjeprurës në Urumqi në rajonin ujgur, i njohur gjithashtu si Turkestani Lindor, ose Xinjiang në kinezisht, që shkaktoi një valë protestash në të gjithë Kinën, e që u quajt më vonë lëvizja Letra e Bardhë. Global Voices intervistoi aktivisten ujgure Rushan Abbas për të vlerësuar se si situata e të drejtave të njeriut të ujgurëve ka ndryshuar që atëherë dhe për të folur për të ardhmen e marrëdhënieve mes ujgurëve dhe komunitetit han.

Abbas në Kinë ishte një studente-aktiviste përpara se të transferohej në SHBA në vitin 1989, ku themeloi disa shoqata ujgure. Më vonë ajo punoi si gazetare dhe përkthyese ujgure në Guantanamo.

Në vitin 2017, ajo themeloi Fushata për Ujgurët për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe liritë demokratike për ujgurët. Në shkurt 2022, Fushata për Ujgurët u nominua për Çmimin Nobel për Paqen. Abbas ështl gjithashtu kryetare e Bordit Këshillimor të Fondacionit të Lirisë Axel Springer dhe anëtare e Task Forcës Ndërparlamentare për Trafikimin e Qënieve Njerëzore.

Intervista u zhvillua me email në anglisht pas disa takimeve personale në Tajpei. Intervista është redaktuar për shkurtësi dhe stil.

Rushan Abbas, foto e përdorur me leje.

Filip Noubel (FN): Cilat janë çështjet dhe veprimet specifike që kanë nevojë për vëmendje të plotë si nga publiku ashtu edhe nga vendimmarrësit tani që shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për gjenocidin ndaj ujgurëve? 

Rushan Abbas (RA): Fatkeqësisht, ndikimi dhe operacionet mediatike të regjimit kinez janë aq të mëdha sa nuk jam e sigurt se shumica e qytetarëve botërorë janë të informuar për peshën e vërtetë të gjenocidit kundër ujgurëve. Është thelbësore të rritet vazhdimisht ndërgjegjësimi për ashpërsinë e situatës dhe të kërkohet llogaridhënie e të zbatohen sanksionet e synuara. Mbetet thelbësore për të mbrojtur refugjatët ujgurë që kanë ikur nga mizoritë, për të eleminuar punën e detyruar që po e bën gjenocidin një sipërmarrje fitimprurëse për regjimin e Kinës dhe për të kundërshtuar propagandën kineze që zbukoron krimet e tij.

Komuniteti global duhet të bashkëpunojë për të ushtruar presion mbi qeverinë kineze për t'i dhënë fund gjenocidit. Kjo përfshin përpjekje diplomatike, sanksione dhe nxitje të ndërgjegjësimit në nivel ndërkombëtar. Mbulimi i vazhdueshëm dhe ndërgjegjësimi i publikut janë thelbësore për të mbajtur presionin mbi vendimmarrësit dhe për të siguruar që çështja të mbetet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Për shembull, ne vazhdojmë t'i kërkojmë Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të sqarojë pozicionin mbi gjenocidin ujgur. Nxitja e dialogut ndërmjet qeverive, grupeve të të drejtave dhe komuniteteve të prekura është thelbësor për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata. Përpjekjet duhet të vazhdojnë për të siguruar që gjenocidi ujgur të mbetet një prioritet në axhendën globale.

Vendet gjithashtu duhet të jenë të gatshme të ofrojnë azil, mbështetje për refugjatët ujgurë dhe të shtojnë përpjekjet humanitare për të adresuar nevojat e atyre që janë prekur nga kriza.

Intensifikimi i përpjekjeve për të promovuar përgjegjësinë e korporatave dhe për të parandaluar bashkëpunimin me rastet e abuzimeve të të drejtave të njeriut, veçanërisht përmes punës së detyruar ujgure, është imperativ. Aktualisht, nuk ka presion të mjaftueshëm mbi kompanitë që operojnë ose sigurojnë burime nga rajoni ujgur, gjë që kërkon veprim kolektiv për të luftuar punën e skllevërve. Qeveritë në mbarë botën duhet të zbatojnë transparencën dhe rregulloret etike të burimeve dhe të miratojnë legjislacionin që pasqyron ligjin e SHBA-së i njohur si Akti i Parandalimit të Punës së Detyrueshme Ujgure (UFLPA). Bizneset duhet të monitorojnë zinxhirët e tyre të furnizimit për të eliminuar lidhjet me punën e detyruar ujgure, ndërsa konsumatorët duhet të tregojnë kujdes në blerje, duke i dhënë përparësi të drejtave të njeriut me zgjedhjet e tyre.

Kundërshtimi i propagandës kineze që përpiqet të mbulojë gjenocidin dhe sigurimi i aksesit në informacione të sakta është gjithashtu thelbësore, pasi të rinjtë tanë ndoten dhe ndikohen përmes aplikacioneve kineze si TikTok. Kjo përfshin kundërshtimin e represionit transnacional të Kinës që po ndodh në vende të tjera, duke dëmtuar sovranitetin e tyre dhe duke destabilizuar sundimin e ligjit.

Për ndalimin global në rritje të TikTok, lexoni: Ndalimi i TikTok nga Nepali është hapi i parë drejt kontrollit të shtuar të qeverisë në mediat sociale

FN: Shumë aktivistë duhet të përballen me fajin e tmerrshëm kur flasin për gjenocidin dhe si rezultat, po shohin anëtarët e familjeve që paguajnë një çmim të të lartë. Kjo është edhe tema e dokumentarit tuaj, “Në kërkim të motrës time”. Si e përballoni këtë barrë të përditshme?

RA: Ballafaqimi me fajin e të folurit për gjenocidin ujgur, veçanërisht kur rezulton me pasoja negative për të afërmit, si motra ime Gulshan në rastin tim, është jashtëzakonisht sfidues. I kujtoj vetes se të bësh fushatë për drejtësi dhe të qëndrosh kundër mizorive është diçka që duhet të bëj, pavarësisht kostos. Nuk jam vetëm; diaspora ujgure, e shumtë në numër, vazhdon fushatën, sepse ne e dimë se kjo është rruga e vetme për të siguruar lirinë e tyre. Dhimbja ime reflektohet te të gjithë ujgurët. Edhe kur jemi “të lirë”, ne jemi të pasigurt. Nëse flasim, jemi të kërcënuar. Nëse nuk e bëjmë këtë, bota nuk sheh dhimbjen tonë.

Ne jemi dëshmitarë okularë të krimeve kundër njerëzimit të Kinës dhe mendoj se duhet të flasim për të ndaluar këtë gjenocid të ditëve moderne. Marr forcë nga besimi se ndërgjegjësimi dhe kërkimi i drejtësisë për motrën time është e vetmja mënyrë për t'u përballur me këtë faj. Ajo që më frymëzon është mbrojtja e demokracisë dhe lirisë që dua dhe që kërkova kur erdha në këtë vend kur isha 21 vjeç në vitin 1989. Ajo liri dhe demokraci janë nën kërcënim sot nga PKK.

Nëse liderët botërorë, Amerika e korporatave, të famshmit e Hollivudit, NBA dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të famshëm të spektakleve, emisioneve, feministët, aktivistët, akademikët, të cilët zakonisht janë me të drejtë kaq të zëshëm kundër çdo padrejtësie sociale, sot heshtin ndaj përdhunimeve masive, sterilizimit, aborteve dhe martesave të detyruara, rrëmbimit të fëmijëve, kampeve të përqendrimit, skllavërisë dhe gjenocidit, kjo ndodh sepse PKK ose po i kërcënon ekonomikisht, ose po i korrupton me para dhe pushtet.

FN: A e mbështesin fushatën tuaj kinezët që jetojnë jashtë, veçanërisht ata në SHBA?

RA: Varet. Disa kanë blerë propagandën dhe mediat shtetërore të Partisë Komuniste Kineze (PKK), duke besuar se ujgurët po ‘riedukohen’, siç thonë ata. Të tjerët brenda komunitetit kinez e kuptojnë realitetin e zymtë të gjenocidit ujgur, por ata janë të kufizuar nga frika. Krahu i gjatë i represionit të PKK shtrihet përtej kufijve, duke kërcënuar sigurinë e anëtarëve të familjeve në Kinë, si një mjet për të heshtur kundërshtimet jashtë vendit.

Do të thosha gjithashtu se ka një numër në rritje të kinezëve, veçanërisht jashtë shtetit, të cilët shohin se PKK duhet të ndalet dhe ata të solidarizohen me ne. Nëse duam që këta zëra të forcohen, duhet të krijojmë një mjedis të sigurt, që i fuqizon ata të shprehin shqetësimet e tyre pa frikën e ndëshkimit.

FN: Teksa përkujtohet 24 nëntori i zjarrit në Urumqi dhe lëvizjes pasuese të Librit të Bardhë, a mendoni se shumica e kinezëve të komunitetit han po e shohin më në fund si një çështje ndëretnike? 

RA: Më 24 nëntor 2022, rreth 44 ujgurë, por ndoshta dhe më shumë, me numër treshifror, u dogjën të gjallë për shkak të politikave drakoniane të PKK-së, ‘Zero COVID‘. Ky incident shërbeu si një pikë kthese, edhe për popullatën e përgjithshme kineze han. Ai shënoi një moment kur banorët kinezë dhe përdoruesit e internetit anashkaluan censurën për të shprehur mospajtimin me qeverinë kineze.

Liria e kufizuar e lëvizjes, mbyllja në shtëpitë e tyre, uria, duke i lënë që të vdesin – këto janë mizori që ujgurët i durojnë për vite me radhë. Më në fund, komuniteti han e njohu brutalitetin e qeverisë dhe pa një copëz të vuajtjeve të popullit ujgur. Jam i sigurt se zjarri në Urumqit dhe pasojat e tij ngjallën ndjeshmëri në të paktën një pjesë të kinezëve han ndaj ujgurëve.

Protestat që shpërthyen në Kinë pas zjarrit në Urumqi më 24 nëntor ishin të paprecedenta. Lëvizja e ndezur nga zjarri i dha fund karantinës për COVID në të gjithë Kinën. Njerëzit që humbën jetën në atë zjarr në thelb e shpëtuan popullin e Kinës nga politikat çnjerëzore të regjimit komunist. Nëse ky momentum vazhdon, ujgurët do të luajnë një rol kryesor në zgjimin e njerëzve për t'u përballur me regjimin e PKK.

Megjithatë, padyshim që ‘zjarri në Urumqi’ është një tjetër tragjedi që PKK përpiqet ta fshijë nga historia. Në një regjim totalitar si Kina, e kaluara gjithmonë ndryshon. Prandaj, përmendja e njëvjetorit të zjarrit dhe nderimi i viktimave që humbën jetën është vendimtare.

Për më shumë, lexoni mbulimin special të Global Voices: Pika e kthesës për Kinën autoritare.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.