Ndalimi i TikTok nga Nepali është hapi i parë drejt kontrollit të shtuar të qeverisë në mediat sociale

Photo by cottonbro studio via Pexels. Used under a Pexels license.

Foto nga Cottonbro Studio nëpërmjet Pexels. Përdoret nën licencën Pexels.

Qeveria nepaleze vendosi ndalimin e plotë më 13 nëntor 2023 të platformës kineze të mediave sociale TikTok, me pretendimin se platforma po nxiste mosmarrëveshje sociale midis nepalezëve. Megjithatë, grupet e të drejtave të njeriut dhe shoqëria civile e cilësuan këtë ndalim si jokushtetues dhe jodemokratik.

TikTok u bë popullor në Nepal gjatë pandemisë Covid-19 dhe pati pretendime se platforma nxiti gjuhën e urrejtjes dhe intolerancën. Sipas ministrit të Nepalit për Komunikimet dhe Teknologjinë e Informacionit, Rekha Sharma, TikTok po prishte “harmoninë sociale, strukturën familjare dhe marrëdhëniet familjare”. Qeveria e Nepalit kontaktoi disa herë me TikTok në lidhje me përmbajtjet fyese, por nuk mori asnjë përgjigje, duke çuar në ndalimin e plotë, me të cilin Nepali i bashkohet një liste në rritje të vendeve, përfshirë Indinë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, shtetet e Bashkimit Evropian dhe Pakistanin.

Rritja e TikTok në Nepal

Që nga janari 2023, Nepali ka 15.85 milion përdorues të internetit në popullsinë prej 30.55 milionësh. Mes tyre, 12.60 milionë përdorues të mediave sociale, ku Facebook është platforma më popullore, me 11.85 milionë përdorues.

E lançuar në gusht 2018 nga kompania e teknologjisë në Pekin ByteDance, TikTok platforma e fokusuar në video, u popullarizua për aftësinë për të optimizuar dhe shfaqur përmbajtje videosh në formë të shkurtër, sipas preferencave të përdoruesve. Kritikët argumentojnë se AI dhe algoritmet që ajo përdor janë të varur dhe joetike. TikTok, me 1.218 miliardë përdorues globalë, renditet i gjashti në mesin e të gjitha platformave të mediave sociale.

Me rritjen e jashtëzakonshme vitet e fundit, TikTok është bërë një hapësirë ​​dinamike për krijuesit, ndikuesit dhe bizneset. Megjithëse nuk ka një shifër zyrtare për përdoruesit e TikTok në Nepal, ekspertët vlerësojnë se janë rreth 2.2 milionë që nga viti 2022. Një sondazh i vitit 2022 nga Sharecast Initiative Nepal, që përfshinte 5,582 të anketuar, zbuloi se 56 për qind e të intervistuarve përdornin TikTok.

Më shumë kontroll në mediat sociale

Më 9 nëntor 2023, Nepali prezantoi Direktivën mbi Operacionin e Rrjeteve Sociale 2023, një rregullore prej 15 pikash që synon të mikëqyrë mediat sociale përmes masave administrative. Në këtë direktivë, qeveria urdhëroi që platformat ndërkombëtare të mediave sociale të krijojnë një zyrë ndërlidhëse në Nepal ose të caktojnë një person brenda tre muajve. Gjithashtu, këto platforma duhet të regjistrohen në Ministrinë e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe nëse nuk e bëjnë këtë, rrezikojnë ndalimin e aktivitetit në vend.

Me rritjen e numrit të përdoruesve të internetit, janë shtuar edhe ngacmimet e njerëzve për aktivitetet e tyre në internet. Në korrik të këtij viti, një person nga distrikti Jhapa, provinca Koshi, Nepal, u arrestua për krijimin dhe publikimin e videove të pahijshme në TikTok me presidentin dhe kryeministrin. Për më tepër, mbi 200 punonjës policie u penalizuan në korrik për bërjen e videove të TikTok me uniforma. Megjithatë, shqetësimi i menjëhershëm i qeverisë thuhet se lidhet me Durga Prasad, një ish-anëtar i partisë opozitare dhe biznesmen, i cili ka nisur një fushatë shpifëse në TikTok kundër partive kryesore, duke mbrojtur idenë e rivendosjes së një monarkie hindu në Nepal.

Ndërsa Nepali ka masa ligjore për shpifje, përfshirë dhe ato në internet, nëpërmjet Kodit Penal Kombëtar 2017 dhe Aktit të Shpifjes 2016, shumica e individëve të akuzuar përballen me akuza sipas seksionit 47 të Aktit të Transaksionit Elektronik 2008.

Në gusht të këtij viti, qeveria prezantoi një Politikë të re Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, për të adresuar krimet specifike kibernetike dhe kërcënimet. Direktiva përshkruan një listë për përdoruesit e mediave sociale, përfshirë ndalimin e fjalëve, audio, video ose imazhe që përhapin gjuhën e urrejtjes ose shpifin/mosrespektojnë të tjerët. Ajo gjithashtu ndalon krijimin e identiteteve të rreme të përdoruesve dhe përfshin masa të ndryshme, të kritikuara nga disa si kontradiktore me Aktin e Transaksioneve Elektronike (ETA) 2008 ose me Politikën e re të Sigurisë Kibernetike. Shumë e perceptojnë direktivën dhe ndalimin e TikTok si hapat fillestarë në një nismë të qeverisë për të kontrolluar mediat sociale dhe për të shtypur lirinë e shprehjes në Nepal.

Kritika të shumta

Në Nepal, ndalimi ka sjellë kritika të shumta. Gagan Thapa, sekretari i përgjithshëm i Kongresit Nepalez, pohon se vendimi u ekzekutua për qëllime politike.

Publikimi online Nepal Drishtikon postoi:

Vendimi i qeverisë së Nepalit për të ndaluar #TikTok merr kritika të gjera. Politikanët duke përfshirë sekretarët e përgjithshëm Gagan Thapa dhe Bishwa Prakash Sharma të partisë në pushtet Kongresi Nepalez, anëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar ashpër vendimin. Disa e kanë mirëpritur.

Organizata nepaleze e shoqërisë civile Freedom Forum lëshoi ​​një deklaratë, të nënshkruar nga individë dhe organizata të shoqërisë civile, duke pretenduar se ndalimi i pengon qytetarët të përfshihen në biseda online dhe të marrin pjesë në komunitetin dixhital global. Ata argumentojnë se ligjet kushtetuese ekzistuese mund të trajtojnë në mënyrë efektive çështjet që dalin nga përmbajtja e diskutueshme e mediave sociale dhe një ndalim i përgjithshëm shkel garancinë kushtetuese të lirisë së shprehjes, si thuhet në nenin 17(2)(a) të Kushtetutës së Nepalit.

Organizata ndërkombëtare e fokusuar te të drejtat, Access Now, gjithashtu publikoi një deklaratë:

Urdhrat e ndalimit të errët nuk pranohen! Qeveria e Nepalit duhet të heqë ndalimin e fundit për TikTok + të zhvillojë korniza demokratike për llogaridhënien e platformës. Mesazhi ynë këtu është i qartë:

Eksperti i së drejtës kushtetuese Bipin Adhikari postoi në X (ish-Twitter):

TikTok është përballur me shumë ndalime dhe tentativa ndalimesh në Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare dhe pronësisë së tij nga kompania kineze ByeteDance. Ne nuk duhet të ndjehemi njësoj pasi Kushtetuta e Nepalit nuk e lejon

Përdoruesi Parakram Rana thotë:

Ndalimi i TikTok në Nepal ngre shqetësim, veçanërisht duke patur parasysh ndikimin e tij tek pronarët e bizneseve të vogla që varen shumë nga platforma për marketing organik. Si krijues i përmbajtjes aktiv në platforma të ndryshme, e njoh rëndësinë e tij.

Kathmandu Post, duke cituar ofruesit e shërbimeve të internetit, raportoi një rritje prej 20 për qind të përdorimit të internetit në javën pas ndalimit të TikTok, ndoshta për shkak të instalimit të aplikacioneve VPN për të anashkaluar ndalimin. Sidoqoftë, Autoriteti i Telekomunikacionit i Nepalit (NTA) po intensifikon ndalimin e TikTok duke i udhëzuar ISP-të të bllokojnë aplikacionet VPN dhe DNS.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.