Ky artikull u shkrua nga Irene Chan dhe fillimisht u botua në Hong Kong Free Press (HKFP) më 13 janar 2024. Një version i redaktuar publikohet këtu, si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti me HKFP.
Bryan të shtunën bëri diçka që nuk e kishte realizuar kurrë më parë: ai hodhi votën për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Tajvanit.
“Tani jam tajvanez dhe shpresoj se Tajvani do të përmirësohet – megjithëse nuk e kam braktisur identitetin tim si hongkongez, unë ende ndjek lajmet e Hong Kongut me vëmendje,” i tha Bryan HKFP në Ximending të Tajpeit, ku ka një dyqan dhe shet specialitete kantoneze me oriz.
Bryan, ish nëpunës në Hong Kong, emigroi në Tajvan me familjen në fund të vitit 2019 pas shpërthimit të protestave pro-demokracisë dhe trazirave të shkaktuara. Bryan thotë:
Ne donim që zëri ynë të dëgjohej përmes marshimeve paqësore, por qeveria [e Hong Kongut] thjesht na injoroi. Kur dështuam të bënim një ndryshim, nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të largoheshim.
Protestat shpërthyen në Hong Kong në qershor 2019 mbi projekt-ligjin e ekstradimit, i cili do të lejonte Kinën të ekstradonte njerëz nga Hong Kongu pa një proces të rregullt. Protestat u përshkallëzuan dhe pati dhunë për shkak të sjelljes së policisë, mes thirrjeve për demokraci dhe zemërimit për ndërhyrjen e Pekinit. Një vit më pas, ligji për sigurinë kombëtare nisi të zbatohej në qytet dhe në muajt që pasuan, dhjetëra mijëra banorë u larguan nga Hong Kongu.
Në Tajvan, ku zëri i tij dëgjohet përmes zgjedhjeve demokratike, Bryan i ka kushtuar rëndësi të madhe çdo procesi. Ai hodhi votën e tij në katër referendumet e vitit 2021 dhe në zgjedhjet lokale të 2022. Për 2024, ai tha se “nuk kishte shumë zgjedhje” pasi duhej të votonte kandidatë që ishin të vendosur në qëndrimin e tyre ndaj Kinës. Ai shtoi:
Megjithatë, Tajvani mund të bëjë më shumë në disa fusha. Mendoj se partia në pushtet e ka vendosur Tajvanin në skenën ndërkombëtare vitet e fundit, por duhet t'i kushtojmë vëmendje edhe çështjeve të brendshme si strehimi, transporti dhe sistemi ligjor.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Emigracionit të Ministrisë së Brendshme, numri i hongkongezëve që morën lejeqëndrimi në Tajvan u rrit me shpejtësi në 2020 dhe 2021, krahasuar me 2019.
Megjithatë, shumë hongkongezë u larguan nga Tajvani për në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, pasi nuk arritën të sigurojnë lejeqëndrimi të përhershëm, të cilat garantojnë pasaportën e kartën tajvaneze të identiteti dhe mundësinë për të votuar.
Rreth 7,000 hongkongezë morën lejeqëndrimi të përhershëm nga 2019-2023, ku disa kishin të drejtë për të votuar në zgjedhjet e 2024. Qeveria tajvaneze nuk ka zbuluar se sa votues janë nga Hong Kongu.
Jeremy (një pseudonim), një hongkongez në të 60-at, që më parë ka punuar në sektorin e arsimit të qytetit, emigroi në Tajvan me familjen tre vjet më parë. Në 2022, ai regjistroi adresën e tij si shtetas tajvanez dhe hodhi votën për herë të parë gjatë zgjedhjeve lokale.
Jeremy u nis në orën 6:10 të mëngjesit të së shtunës drejt qendrës së votimit. Ai i tha HKFP:
M'u desh një orë për të mbërritur në Taoyuan, ku adresa ime e mëparshme ishte regjistruar përpara se të zhvendosesha aty ku aktualisht jetoj. Më shumë se 20 njerëz prisnin në radhë kur mbërrita rreth orës 7 të mëngjesit. Procedura ishte e qetë dhe unë hodha votën time brenda tre minutave.
Për mijëra vjet qytetërim kinez, [Tajvani] ka qenë i vetmi vend ku të gjithë kanë të drejtë të votojnë për udhëheqësin më të lartë qeverisës. Jam me fat që marr pjesë në zgjedhje.
Në 2016, Jeremy ishte dëshmitar i zgjedhjeve të përgjithshme në Tajvan për herë të parë, por ai kurrë nuk e imagjinonte se do të bëhej një nga 19.5 milionë votuesit e ishullit. “Vetëm pas vitit 2019 mendova se duhet të largoheshim nga [Hong Kongu]”, tha Jeremy.
Si pakicë në Tajvan, hongkongezët vlerësojnë të drejtën për të votuar. Dy ditë përpara zgjedhjeve, shtëpia e një familjeje nga Hong Kongu, ku luhet muzikë live, organizoi një seminar për të ndihmuar hongkongezët të kuptojnë procedurat e votimit në Tajvan.
Pamela Yuen, një hongkongeze në të 60-at, i tha HKFP se familja e saj menaxhon një lokal me muzikë live që kur u transferua në Tajvan:
Ne erdhëm këtu nëpërmjet skemës së emigracionit për investimet. Bashkëshorti im Gerald erdhi i pari dhe unë ju bashkova në vitin 2018. Djali ynë erdhi rreth dy vjet më parë. Më mungon Hong Kongu dhe pyes veten vazhdimisht pse e braktisa… Unë jam ende duke u përballur [me vendimin tim].
Në 2022, Pamela kishte të drejtë të votonte dhe ka ndjekur nga afër lajmet për muaj të tërë përpara zgjedhjeve presidenciale në Tajvan:
Jam në ankth për zgjedhjet, pasi Ko Wen-je i TPP-së i ka trazuar zgjedhjet me fushatat e tij… Javën e kaluar, disa miq me prejardhje nga Hong Kongu ishin këtu dhe më lindi ideja që ne të organizonim një aktivitet për të folur për zgjedhjet.
Të gjithë ishim të shqetësuar për këto zgjedhje dhe politikat e qeverisë ndaj hongkongezëve. Ne nuk kishim përjetuar kurrë një ditë zgjedhjesh më parë. Në Hong Kong, ne kemi vetëm zgjedhje të nivelit më të ulët.
Pamela hodhi votën e saj të parë në zgjedhjet lokale të Tajvanit para dy vjetësh. Ndryshe nga Hong Kongu, ku votimi shpesh zgjat deri në orën 22:00, në Tajvan zakonisht përfundon në orën 16:00. Pamela kujton se si ishte vonuar në ditën e zgjedhjeve:
Unë hyra në qendrën e votimit një minutë para orës 16:00 dhe për fat të mirë, stafi atje ishte shumë i sjellshëm. Kështu unë votova për herë të parë në Tajvan!