Gazetarët e pavarur ukrainas përballen me sfida, pavarësisht mbështetjes me projekte ndërkombëtare

Përpara pushtimit të dytë rus në shkurt 2022, Ukraina gëzonte një shkallë të lartë të lirisë së medias dhe një diversitet të organeve mediatike. Si është situata sot pas mbi 20 muaj lufte, shkatërrimesh dhe disa raste të vrasjes së gazetarëve?

Global Voices foli me Jeanne Cavelier, Shefe e Zyrës së Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore e Reporterët pa Kufij (RSF), për të mësuar rreth projekteve mbështetëse për gazetarët dhe vlerësimin e vetë RSF-së për lirinë e medias sot. Intervista u zhvillua me email dhe është redaktuar për stilin dhe shkurtësinë.

Jeanne Cavelier. Foto e përdorur me leje.

Filip Noubel (FN): Cila është arsyeja e ngritjes dhe mbështetjes për Qendrat e Lirisë së Shtypit në të gjithë Ukrainën?

Jeanne Cavelier (JC) : Reporterët pa Kufij (RSF) mbron të drejtën e çdo qenieje njerëzore për të pasur akses në informacion të lirë dhe të besueshëm. Gazetarët janë në vijën e parë të luftës ruse në Ukrainë, e cila është gjithashtu një luftë kundër informacionit. Duke marrë pengje, duke bombarduar kullat televizive dhe duke qëlluar mbi makinat me tabelat  ‘Media’, autoritetet ruse po demonstrojnë vendosmërinë e tyre për të censuruar të gjitha raportimet që bien ndesh me propagandën e tyre ushtarake. Që nga 24 shkurti 2022, 11 reporterë janë vrarë dhe 29 janë plagosur, vetëm sepse po bënin punën e tyre. Ata rrezikojnë jetën e tyre për të informuar njerëzit në mbarë botën. Qëllimi i RSF është që ata të mund ta bëjnë punën e tyre sa më të sigurt që të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të veprojmë shumë shpejt pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës, duke hapur Qendrat e Lirisë së Shtypit. Ne ishim organizata e parë që siguruam xhaketa antiplumb dhe helmeta për gazetarët në terren, që i lejojnë ata të punojnë më të sigurt.

FN: Ku janë dhe si përdoren? 

JC: Menjëherë pas pushtimit më 24 shkurt 2022, RSF hapi një Qendër të Lirisë së Shtypit më 10 mars në Lviv, një qytet ukrainas shumë afër Polonisë që u bë një qendër për hyrjen dhe daljen e gazetarëve në Ukrainë. Kur situata në Kiev e lejoi, ne hapëm një qendër të dytë atje, më 17 maj. Qëllimi i këtyre dy qendrave është i thjeshtë: të mbështesin gazetarët, ukrainas apo të huaj, të cilët mbulojnë luftën, duke u siguruar atyre pajisjet mbrojtëse, ndihmën dhe burimet. Ata duhet të vazhdojnë punën e tyre gazetareske sa më të sigurt që të jetë e mundur. Ukraina është bërë një qendër për gazetarët; 12,000 gazetarë ukrainas dhe të huaj u akredituan gjatë vitit të parë të luftës dhe të gjithë përballen me rreziqe për sigurinë dhe jetën e tyre.

Nga marsi 2022 deri në shkurt 2023, dy Qendrat e Lirisë së Shtypit kanë ofruar mbështetje për pothuajse 1,300 gazetarë dhe organe mediatike, 80 për qind e të cilëve janë ukrainase. Këto dy qendra funksionojnë pa ndërprerje dhe drejtohen nga dy kolegë ukrainas, të cilët kalojnë kohën duke biseduar me të gjithë gazetarët që shkojnë, duke u treguar se si të përdorin helmetat dhe xhaketat antiplumb si dhe mjetet e ndihmës së parë. RSF ka një partneritet afatgjatë me një organizatë lokale ukrainase, Instituti i Informacionit Masiv (IMI). Falë kësaj, ne jemi në gjendje të arrijmë edhe një numër më të madh të gazetarëve vendas në rajone të tjera.

Qendrat tona kryejnë disa aktivitete. Përveç marrjes në përdorim pa pagesë të pajisjeve mbrojtëse personale, kemi shpërndarë për shembull pajisje të lidhura me energjinë. Ukraina ka përjetuar një krizë të madhe energjetike me bombardimin sistematik të infrastrukturës nga Rusia në dimrin 2022-2023. Kjo ka ndikuar te mediat, pasi kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa internet. Ne siguruam gati njëqind media në të gjithë vendin me pajisje të tilla si gjeneratorë, stacione të karikimit diellor dhe karikues me energji diellore. Gjithashtu, përmes Qendrave për Lirinë e Shtypit, RSF organizon rregullisht trajnime për sigurinë dixhitale, fizike, psikologjike dhe rritjen e kapaciteteve. Së fundi, gazetarët që punojnë në Ukrainë dhe mediat lokale mund të marrin mbështetje psikologjike dhe ndihmë financiare.

FN:  A është Tajvani ndër sponsorët e këtyre qendrave? Dhe nëse po, deri në çfarë mase gazetarët dhe qytetarët në Ukrainë janë të vetëdijshëm për mbështetjen nga Tajvani?

JC: Në vitin 2022, dy Qendrat e Lirisë së Shtypit përfituan nga mbështetja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Tajvanit, e cila dhuroi 450,000 euro për të mbështetur punën e RSF-së për promovimin e gazetarisë në Ukrainë. Shumë mirë, ky donacion ka bërë të mundur forcimin e aktiviteteve të Qendrave për Lirinë e Shtypit. Logoja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Tajvanit shfaqet në të dy qendrat. Gazetarët ukrainas dhe ndërkombëtarë që vizitojnë qendrat tona e shohin atë. Mbështetja e Tajvanit në Ukrainë është e dukshme dhe njihet në aspekte të ndryshme, këtu për të mbështetur lirinë e shtypit.

Për më shumë mbi marrëdhëniet Tajvan-Ukrainë, lexoni: Kuptimi i lidhjes midis Ukrainës dhe Tajvanit

FN: Pushtimi nga Rusia ka kaluar 600 ditët. Cili është vlerësimi juaj për lirinë e medias në Ukrainë? 

JC: Pushtimi rus i Ukrainës ka tronditur peizazhin mediatik ukrainas. Nga njëra anë, përballet me shumë sfida, si çorganizimi dhe mungesa e burimeve njerëzore. Ukraina ka pesë milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit, gjashtë milionë refugjatë dhe qindra mijëra njerëz në ushtri. Kjo ka pasur ndikim në redaksitë ukrainase, të cilat e kanë të vështirë të gjejnë gazetarë të kualifikuar.

Gjithashtu, situata e sigurisë është e paprecedentë për gazetarët, të cilët brenda natës u bënë reporterë lufte. Teksa i afrohemi dyvjetorit të pushtimit, 11 gazetarë kanë vdekur për shkak të punës së tyre, të paktën 29 janë plagosur dhe 42 janë sulmuar. RSF paraqiti 17 ankesa në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe në prokurorinë ukrainase në lidhje me këto krime lufte. Gazetarët ukrainas në territoret e pushtuara po gjurmohen sistematikisht nga forcat pushtuese ruse dhe janë në rrezik të madh. Sektori ekonomik është dobësuar me mbylljen e më shumë se 230 mediave që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë, sipas partnerit tonë IMI. Burimi kryesor i të ardhurave të medias, reklamat, ranë me 63 për qind në vitin 2022. Më në fund, lufta e informacionit vazhdon. Propaganda e Kremlinit është jashtëzakonisht aktive në territoret e pushtuara dhe në platforma të ndryshme si Telegram apo Facebook, duke përhapur një narrativë të rreme lufte.

Nga ana tjetër, vetë peizazhi mediatik ukrainas ka evoluar dhe ka mbetur një hapësirë ​​pluraliste. Lufta dhe fryma e bashkimit kombëtar kanë reduktuar kontrollin e oligarkëve në media dhe presionet që kanë ardhur për shkak të ndarjeve. Në vitin 2023, Ukraina u rendit e 79-ta nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit të RSF-së, pavarësisht faktit se rezultati i sigurisë së vendit, një nga 5 treguesit tanë, është i dyti nga fundi. Shumë media të pavarura kanë përfituar nga mbështetja ndërkombëtare dhe kombëtare nëpërmjet granteve dhe mbledhjes së fondeve. Ata janë vigjilentë në shumë situata, për shembull, te korrupsioni. Por zakonet e audiencës kanë ndryshuar. Mediat tradicionale kanë humbur një pjesë të ndikimit të tyre para rrjeteve sociale, veçanërisht Telegram, të cilat janë bërë burimi kryesor i informacionit për pothuajse 78 për qind të popullsisë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, shteti është vendosur si një lojtar kryesor në peizazhin mediatik ukrainas, duke menaxhuar telemaratonën që nga fillimi i luftës. Pas pushtimit rus, kanalet kryesore televizive ukrainase u bashkuan për të formuar një “front informacioni”, duke transmetuar vetëm lajme dhe duke ju përgjighur luftës ruse të informacionit. Duke ndarë kohëzgjatjen, ata transmetojnë të njëjtat programe. Qeveria ishte e shpejtë për të organizuar telemaratonën. Ndërsa nisma u mirëprit në fillim të luftës, ajo tani po shkakton probleme të diversitetit. Kanalet opozitare nuk janë të përfaqësuara dhe të ftuarit janë shpesh të njëjtët që vijnë nga mazhoranca. Kjo telemaratonë nuk është më e përshtatshme dhe ne duhet të jemi vigjilentë ndaj përpjekjeve për të kontrolluar informacionin. Ne jemi gjithashtu vigjilentë ndaj kufizimeve të akreditimit. Si një vend demokratik, Ukraina duhet të vazhdojë të jetë shembull, pavarësisht luftës.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.