Nepali dhe Tajlanda mbajnë zi për shtetasit e tyre të vrarë në Izrael

Israel’s Ambassador to Thailand Orna Sagiv pays her respects to the eight Thai workers whose bodies were flown home from Israel at Bangkok airport on 20 October. The bodies of 22 others are still being identified. Photo courtesy: Khaosod English via Nepali Times. Used with permission.

Ambasadorja e Izraelit në Tajlandë Orna Sagiv nderon tetë punëtorët tajlandezë, trupat e të cilëve mbërritën nga Izraeli në aeroportin e Bangkokut më 20 tetor. Trupat e 22 të tjerëve janë ende duke u identifikuar. Foto nga: Khaosod English nëpërmjet Nepali Times. Përdoret me leje.

Dy javë pasi filloi konflikti më i madh Izrael-Hamas më 7 tetor, mijëra të pafajshëm kanë vdekur nga të dyja palët, por familjet në dy vende të largëta aziatike janë gjithashtu të pikëlluara – veçanërisht në Nepal dhe Tajlandë.

Dhjetë studentë nepalezë që punonin në Kibbutz Alumim, një vendbanim kufitar, u vranë dhe një rezulton ende i zhdukur; ai supozohet se është marrë peng. Deri më tani, 30 punëtorë tajlandezë të fermave janë konfirmuar se janë vrarë nga militantët e armatosur të Hamasit në mëngjesin e 7 tetorit, ndërsa 19 të tjerë u rrëmbyen.

Sipas intervistave dhe raportimeve nga Nepali Times, shtetasi i zhdukur nepalez, Bipin Joshi nga Dhangadi, ishte me bashkëkombas të tjerë dhe shtetas tajlandezë, kur luftëtarët e Hamasit hodhën një granatë në bunkerin e tyre. Joshi mundi ta hidhte granatën jashtë, por një tjetër shpërtheu, duke vrarë disa nga nepalezët dhe tajlandezët.

Nepalezët dhe tajlandezët e mbijetuar më pas shkuan në një bunker tjetër aty pranë që ata mendonin se ishte më i sigurt, por luftëtarët e Hamasit i sulmuan me armë zjarri. Më pas ata morën peng shtatë tajlandezë.

Ata janë në mesin e 19 shtetasve tajlandezë që u rrëmbyen gjithsej dhe nepalezi i zhdukur dyshohet se është me ta.

Kjo dhunë po tërheq reagime kontradiktore në Nepal dhe Tajlandë. Komentuesit e mediave në të dy vendet kanë theksuar se pavarësisht ankesave legjitime të popullit palestinez kundër pushtimit izraelit, masakra pa dallim e civilëve të pafajshëm dhe të huajve nga Hamasi ishte kundërproduktive.

Një burrë nga Nepali, Rajesh Kumar Swarnakar, foli për The Guardian për vëllanë e tij Mukesh Swarnaka, i cili u vra në sulm. “Jam i zemëruar. Pse vëllai im u dërgua në një zonë konflikti ku nuk ishte i sigurt?” tha ai. “Jetët e neepalezëve shihen si kaq të lira. Për ne, ai ishte personi që mund të fitonte para – ai ishte shpresa e familjes.”

“Hamasi ka bërë një emër të keq për kauzën palestineze, duke shkaktuar dënime dhe kundërshtime deri në Tajlandë,” shkroi Thitinan Pongsudhirak nga Universiteti Chulalongkorn në Bangkok Post. “Për popullin tajlandez, vrasja nga Hamasi e punëtorëve tajlandezë është e pakuptueshme. Tajlanda kurrë nuk ka bërë ndonjë gjë për të dëmtuar Hamasin dhe as nuk ka shkaktuar ndonjë problem për banorët e territoreve palestineze.”

Mediat tajlandeze kanë cituar të mbijetuarit që janë kthyer, të cilët spekulojnë se Hamasi mund të ketë vënë në shënjestër në mënyrë specifike tajlandezët, sepse disa palestinezë vendas ishin të zemëruar që të huajt u merrnin punën në bujqësi. Qeveria izraelite filloi të zëvendësojë punëtorët palestinezë të fermave dhe ndërtimit me punëtorë emigrantë nga vende të ndryshme aziatike, pas nisjes së sulmeve militante gjatë Intifadës 1987.

Ndërsa nepalezët në Izrael ishin kryesisht studentë universiteti që ndiqnin degën e  bujqësisë në skemat 11-mujore “fitoni dhe mësoni” në Izrael, shumica e tajlandezëve ishin punëtorë afatgjatë fermash.

Ka rreth 30,000 punëtorë tajlandeze4 në fermat e Izraelit dhe 8,400 prej tyre në zonën e konfliktit tani po i kërkojnë qeverisë së tyre t'i riatdhesojë urgjentisht. Rreth 700 persona arritën në Bangkok me fluturime çarter të premten, më 20 tetor. Trupat e tetë punëtorëve të vrarë tajlandezë u transportuan gjithashtu, ndërsa të tjerët do të dërgohen pasi të identifikohen.

Kishte 265 studentë nepalezë në pjesë të ndryshme të Izraelit. Shumica e tyre u riatdhesuan në Katmandu me një fluturim të Nepal Airlines më 12 tetor. Katër prej trupave të pajetë të nepalezëve mbërritën në Katmandu të dielën, më 15 tetor.

Nepaleztët që u vranë ishin kryesisht nga familje të varfra rurale në rrethet e largëta perëndimore të Nepalit. Shumica e punëtorëve tajlandezë të fermave janë gjithashtu nga rajonet më të varfra verilindore të Tajlandës.

Në Nepali, historitë e samaritanëve të mirë si Prabha Ghimire dhe të tjerë, të cilët kanë ndihmuar punëtorët e plagosur nepalezë në spitalet në Tel Aviv janë bërë virale. Raportohet se ka pasur gjithashtu shumë gra tajlandeze në Izrael që kanë bërë të pamundurën për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre të bllokuar nga lufta.

Viphavadi Vannachai, 40 vjeç, një tajlandeze e martuar me një shtetas izraelit, udhëtoi në zonat e rrezikshme në kufirin e Gazës për të shpëtuar punëtorët e bllokuar, për të ndihmuar të plagosurit dhe për të ndihmuar në riatdhesimin.

Familjet tajlandeze të atyre që janë marrë peng janë lutur për lirimin e tyre, duke thënë se ata “nuk kishin të bënin me konfliktin Izrael-Palestinë” dhe ishin atje “thjesht për të fituar para”.

Ky artikull nga Moontae Jeong në Bangkok u botua fillimisht në Nepali Times dhe një version i redaktuar është ribotuar në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.