“A kam vdekur?”: Tregimi i një dëshmitari nga Gaza

“Shpërthime të forta u dëgjuan në Gaza, ndërsa Izraeli sulmonte. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se 266 palestinezë, përfshirë 117 fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në 24 orët e fundit. Pamje nga  videoja e lajmeve të Reuters, “Shpërthimet tronditin Gazën gjatë natës“, 22 tetor 2023. Përdorimi i drejtë.

Ky artikull u botua për herë të parë nga We Are Not Numbers, më 19 tetor 2023. Është shkruar nga Abdallah al-Jazzar, si një rrëfim personal nga bombardimet e pamëshirshme të Gazës nga Izraeli. Artikulli u përditësua pas një interviste në X (ish-Twitter) midis autorit dhe Global Voices më 23 tetor 2023 dhe publikohet si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Pas një sulmi nga Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas), nga ku u vranë 1,400 izraelitë më 7 tetor, Izraeli filloi një sulm ajror në shkallë të gjerë në Gaza. Sipas OKB-së, numri i njerëzve të vrarë në Gaza për shkak të sulmit izraelit ka tejkaluar 5000; gratë dhe fëmijët përbëjnë mbi 62 për qind të viktimave. Për më tepër, mbi 15,273 persona janë plagosur, ndërsa një armëpushim mbetet larg. 

Veprimet e Izraelit përfshijnë gjithashtu “dënimin kolektiv“, pasi ka ndërprerë furnizimin me burime thelbësore si ushqimi, uji, karburanti dhe energjia elektrike, duke rrezikuar jetën e 2.5 milionë njerëzve të bllokuar në Gaza.

Më 15 tetor, u zgjova nga realiteti i tmerrshëm i raketave të rënda që ranë mbi shtëpinë e fqinjit tim. Salah Zanoun, një doktorant në kontabilitet, u vra së bashku me familjen e tij. Teksa vdiqën së bashku në pikëllimin e tyre, fytyrat e tyre dëshmuan peshën e këtij momenti tragjik.

E gjeta veten mes tyre, i palëkundur në vendosmërinë time për t'i treguar botës realitetet e ashpra në terren. Ky është rrëfimi im i drejtpërdrejtë i agresionit të fundit izraelit në Gaza.

Ishte ora 5:00 e mëngjesit kur Izraeli sulmoi shtëpinë e Salah. Isha thellësisht i trishtuar dhe i frikësuar nga bombardimet e pamëshirshme; më duhej të prisja deri në të gdhirë për të nxituar dhe për të parë se si mund të ndihmoja.

Kur mbërrita, pashë fqinjët që mblidheshin së bashku për të pastruar rrënojat. Kushëriri im Mahmud, i cili po asistonte, më informoi për shkallën e shkatërrimit. Çdo anëtar i familjes Salah u bllokua nën rrënoja, përveç vajzës Aseel, një 19-vjeçare që mbijetoi mrekullisht.

Pas një orë përpjekjesh të pandërprera, ne kishim zbuluar trupat e tyre të pajetë. Salah, gruaja, djemtë e tij Ahmed, Saif dhe Ihab që pëlqenin të luanin futboll në rrugë dhe vajza Karima, e cila ishte aspironte të bëhej një artiste, të gjithë u zhdukën… përgjithmonë.

Dëshmimi i dhimbjes dhe humbjes ishte dëshpërues dhe me gjithë forcën tonë kolektive, ne nuk mund ta zbusnim pikëllimin që rrinte pezull në ajër.

U ktheva në shtëpinë e përkohshme ku po qëndrojmë, banesa e një të afërmi që ka marrë disa familje e ku janë strehuar gjithsej 40 persona. Shtëpia jonë, në anën lindore, ka duruar bombardime të shumta, duke na detyruar të ikim. Që nga 15 tetori, na është dashur të evakuohemi në shtëpinë tonë të përkohshme.

E ndava tragjedinë me nënën time, me zemrën time të rënduar nga pikëllimi. Ajo dëgjoi dhe me zërin e saj që dridhej tha: “Unë jam këtu për ty, por edhe unë ndjej frikën dhe pafuqinë mbi jetën tonë. Kjo është Gaza, ku askush nuk është i sigurt.”

Mes kësaj krize të vazhdueshme, kishte një barrë tjetër në zemrën time. Sigurimi i nevojave bazë të familjes, ushqimi dhe furnizimi me ujë ishin bërë një luftë e frikshme, duke kushtuar 200 NIS (rreth 50 dollarë, kursime të një muaji për mua).

Situata e tmerrshme në Gaza e ka komplikuar më tej këtë sfidë, pasi uji po mbaron për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe karburantit të nevojshëm për funksionimin e pompave. Të dyja këto burime jetike janë ndërprerë nga Izraeli.

Unë iu drejtova dhjetëra njerëzve për ndihmë. Ndërsa disa nuk u përgjigjën ose nuk mundën të më kontaktonin përmes rrjetit telefonik që nuk punonte, disa arritën të më ndihmonin. Veçanërisht, xhaxhai im Uelidi, i cili vetë jeton në rrethana modeste, doli përpara për të rimbushur rezervuarët e ujit. Ishte një kujtesë se mbështetja e familjes është e paçmueshme.

Ndonëse këtë herë i lehtësuar nga ndihma e xhaxhait, mbeta i dëshpëruar për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën për familjen time.

Po atë ditë fatale, më 15 tetor, në orën 17:00, u nisa në qendër të qytetit për në Rafah për të marrë ushqimin nga shoku im i ngushtë, Muhamedi. Ndërsa u takuam, një shpërthimi shurdhues aty afër na tronditi. Bota dukej sikur u shemb rreth meje, dhe unë u ngjita pas Muhamedit, nga frika për jetën time, ndërsa pluhuri dhe tymi mbushën qiellin.

“A kam vdekur?” e pyeta Muhamedin, duke i kapur fort dorën. Konfuzioni dhe paniku ishin të dukshëm. Një moment më vonë, mësuam se Izraeli kishte shënjestruar Shoqatën e Krishterë të Grave afër vendndodhjes sonë. Ndjeva një tronditje dërrmuese dhe iu luta urgjentisht Muhamedit: “Ne duhet të gjejmë Alaa (mikun tonë që jeton pranë Shoqatës së Krishterë të Grave) dhe të sigurohemi që ai është mirë.”

Muhamedi dhe unë shkuam në zonë, vetëm 50 metra larg shpërthimit. Ne gjetëm Shoqatën e Krishterë të Grave të kthyer në gërmadha dhe shtëpia e Alaas ishte një vend i rrafshuar. Babai i tij Arafat Tartori, vëllezërit Yaser dhe Abdallah dhe kushëriri Mohammed kishin humbur jetën. Vetë Alaa dhe motra e tij u plagosën. Nuk i mbaja dot lotët; nuk mund të bëja asgjë tjetër.

U ktheva në shtëpi me peshën e këtyre imazheve të dhimbshme të gdhendura në mendjen time, një kujtim i tmerrshëm që do të mbetet me mua përjetë. Kjo shërbeu si një kujtesë e fortë e ekzistencës së brishtë, me të cilën përballemi në Gaza.

Por nuk ishte vetëm shtëpia e Ala; shkatërrimi përfshiu shtëpitë e tjera në lagje – Jaber, Alsadawi, Alfraa, Hijazai dhe Alrekai. Ajo që më dhimbte më shumë ishte se anëtarët e këtyre familjeve i konsideroja si miq.

Kur kthehesha, mora një mesazh nga vëllai im; shtëpia jonë në Gazën lindore kishte pësuar dëme të konsiderueshme për shkak të bombardimeve të forta. Ishte një tjetër goditje dërrmuese, ëndrrat e mia për t'u martuar atje ishin zhdukur sa hap e mbyll sytë.

Ndërsa durojmë vështirësitë e vazhdueshme, ju kërkoj që të luteni për popullin e Gazës. Jemi të lodhur; e ardhmja jonë mbetet e pasigurt, ndërsa përballemi me realitetin e dhimbshëm të spastrimit etnik. Por edhe mes errësirës shkatërruese, ne kapemi pas dritës së shpresës, sepse shpresa është e vetmja gjë që na mbështet në këto kohë të vështira.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.