Zhdukja e * (shënimit në fund të faqes): Evolucioni i qasjes së BE-së ndaj Kosovës

Komenti i vizatuar i deklaratës së Edita Tahirit, ish kryenegociatorja e Kosovës, se shënimi në fund të faqes do të shkrihet si flokë bore. Ilustrim nga ARTIST/Sbunker, i përdorur me leje.

Ky artikull i Millosh Pavkoviçit u botua fillimisht nga Sbunker. Një version i redaktuar  ribotohet nga Global Voices me leje.

Statusi ligjor i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë i paqartë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Kosova mbetet vend pjesërisht i njohur dhe nuk është anëtare në organizatat e njohura ndërqeveritare, si për shembull në Kombet e Bashkuara.

Për më tepër, pesë shtete anëtare të BE-së (Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) nuk e njohin Kosovën si vend të pavarur. Rrjedhimisht, kjo gjë ka pasur pasoja në mënyrën se si BE-ja ka trajtuar Kosovën për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet e veta anëtare.

Që nga miratimi i Marrëveshjes së Përfaqësimit Rajonal më 2012, në kuadër të Dialogut Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja, të gjitha institucionet dhe organet e BE-së i janë referuar Kosovës vazhdimisht me një shënim në fund të faqes, si pjesë e marrëveshjes. Aty shkruhet:

“Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999, si dhe opinionin e GjND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.”

Rezoluta 1244/1999 autorizoi një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovën e pasluftës dhe themeloi Misionin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), që ekziston ende sot e kësaj dite, megjithëqë me funksione më të vogla.

Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) nënvizoi se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, gjykata nuk dha një përgjigje përfundimtare për ligjshmërinë e shkëputjes së Kosovës.

Përkundër komplikimeve që shfaqen gjatë përdorimit të shënimit në fund të faqes (fusnotës siç njihet në Kosovë) në dokumentet e shkruara, krijimin e faqeve të internetit dhe zbatimin e projekteve, BE-ja vazhdon ta mbështesë këtë politikë, pavarësisht mospëlqimit të Kosovës, e cila fillimisht u pajtua me këtë praktikë më 2012.

Edita Tahiri – ish-kryenegociatorja e Kosovës në kohën e nënshkrimit të Marrëveshjes për Përfaqësimin Rajonal (2012) – pati deklaruar se shënimi në fund të faqes krah emrit te Kosovës do të shkrihet si një flok bore.

Megjithatë, Marrëveshja e fundit dhe Aneksi i Zbatimit të saj në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në mars të vitit 2023, mund të shënojë një ndryshim në këtë qasje. Asnjë nga dokumentet nuk i referohet Kosovës me shënim në fund të faqes, pavarësisht se është qëndrim zyrtar i BE-së.

Që nga viti 2012, institucionet e BE-së kanë përdorur qasje të ndryshme kur i janë referuar Kosovës. Pavarësisht se është politikë zyrtare e BE-së, institucionet e saj gradualisht i janë larguar përdorimit të shënimit në dokumente dhe takime.

Parlamenti Europian nuk i referohet më Kosovës me shënim

Parlamenti Europian (PE) ishte institucioni i parë i BE-së që nuk iu referua Kosovës me shënim në fund të faqes (*). Kjo u bë evidente për herë të parë në vitin 2015, kur një rezolutë e Parlamentit Europian e përmendi Kosovën pa shënim. Hera e fundit kur Parlamenti Europian iu referua Kosovës me shënim ishte më 2013.

Pas vitit 2015, Kosova është përmendur pa shënim pothuajse në të gjitha dokumentet e Parlamentit Europian. Megjithatë, nuk duhet harruar se rezolutat e Parlamentit Europian nuk janë ligjërisht të detyrueshme dhe se Parlamenti Europian në përgjithësi ka një qasje më liberale për çështje të ndryshme në krahasim me Komisionin Europian. Kësisoj, ky ndryshim në qasje nuk është befasues.

Për më tepër, Parlamenti Europian thirri presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, të flasë në seancën plenare në qershor të vitit 2023, duke u bërë kështu zyrtarja e parë e Kosovës që mban fjalim në Parlamentin Europian. Përkatësia e saj u tregua pa shënim.

Qëndrimi i Parlamentit Europian ndryshon nga ai i Komisionit, pasi ky i fundit zyrtarisht e braktisi politikën e neutralitetit kur bëhej fjalë për statusin e Kosovës. Në raportin e tij të fundit, Parlamenti Europian ripohoi qëndrimin se procesi i normalizimit duhet të përqendrohet te njohja reciproke.

Inkonsistenca e shënimit të Komisionit Europian në raport me Kosovën

Ndryshe nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian (KE) ka pasur një qasje më të rreptë sa i përket ndjekjes së udhëzimeve të Marrëveshjes së Përfaqësimit Rajonal të vitit 2012. Që nga raporti i tij fillestar për Kosovën më 2015, KE vazhdimisht ka respektuar dispozitat e Marrëveshjes së vitit 2012, duke përdorur në mënyrë konsistente shënimin në fund të faqes kur përmend Kosovën në faqet e internetit dhe projektet e financuara.

Për shembull, Programi Rajonal i Komunikimit i BE-së për Ballkanin Perëndimor vazhdimisht përdor politikën e shënimit ne4 fund të faqes. E njëjta gjë ndodh edhe me nismën e Tregut të Përbashkët Rajonal të mbështetur nga BE-ja dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Përveç kësaj, edhe faqja zyrtare e Zyrës së BE-së në Kosovë gjithashtu përdor një shënim në raport me Kosovën.

Ndërkohë që Komisioni Europian është përgjithësisht më konsistent në përdorimin e shënimit, inkonsistencat e rastësishme mund të shfaqen ende në disa nga komitetet dhe agjencitë.

Qasja po ndryshon 

Ekziston një mungesë e dukshme e uniformitetit në mënyrën se si institucionet, organet, komitetet dhe agjencitë e BE-së i referohen Kosovës në funksionet zyrtare. Sidoqoftë, zbehja graduale e shënimit në fund të faqes është bërë ndjeshëm evidente.

Kjo tendencë duket se ndikohet nga komitetet kryesuese të personelit dhe hartimi i raporteve e regjistrimi i procesverbaleve nga mbledhjet.

Në të vërtetë, parashikimi i Edita Tahirit se “shënimi do të shkrihet si një flok bore” duket se po del të jetë i saktë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.