Protestë për drejtësi dy vjet pas zjarrit në spitalin e COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Një protestë me thirrje për drejtësi për viktimat e zjarrit të spitalit modular të vitit 2021 në Tetovë, Maqedonia e Veriut u mbajt më 8 shtator 2023. Pankarta shkruante “32 vjet shtet [i pavarur], 32 vjet korrupsion”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk, përdoret me leje.

Ky artikull fillimisht është publikuar nga Portalb.mk dhe Meta.mk. Një version i redaktuar është ripublikuar këtu në bazë të marrëveshjes për ndarjen e përmbajtjes ndërmjet Global Voices dhe Fondacionit Metamorfosis. 

Më 8 shtator 2021, një zjarr në një spital në Tetovë i mori jetën 14 personave dhe plagosi 10 të tjerë. Dy vjet më vonë, qindra qytetarë iu bashkuan të afërmve dhe miqve të viktimave në një protestë duke denoncuar mosndëshkimin, korrupsionin dhe shmangien e marrjes së përgjegjësive nga zyrtarët për incidentin.

Protesta dhe përvjetori përkoi me festën e Pavarësisë së vendit.

Sot, ndërsa i gjithë vendi po feston, ne u mblodhëm në vendin e ish-spitalit modular në kujtim të anëtarëve të familjeve tona që u dogjën për vdekje dy vjet më parë këtu.

Shumica e viktimave ishin pacientë të spitalit, ndërsa dy prej tyre ishin familjarë të cilët ndodheshin në dhomat e spitalit në momentin e shpërthimit të zjarrit.

Pas dy vitesh, procedura gjyqësore e zhvilluar nga Gjykata Themelore e Tetovës në shkallë të parë përfundoi me dy dënime me kusht, një gjobë dhe dy lirime. Asnjë nga personat e dënuar nuk do të shkonte në burg nëse nuk kryente një krim të ri.

Dënimi ende nuk është zbatuar pasi vendimi i gjykatës është në apel. Dy drejtorët e Spitalit klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, janë akuzuar për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”; ndërsa mjeku Boban Vuçevski është akuzuar për veprën penale “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”. IEVP Spitali klinik Tetovë është dënuar për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Ndërkohë, dy vite pas ngjarjes tragjike, Prokuroria Publike është ende duke punuar në procedurën parahetimore lidhur me tenderin për prokurimin publik të infrastrukturës për spitalet modulare të ndërtuara për të plotësuar nevojat e trajtimit të pacientëve të infektuar gjatë pandemisë COVID-19.

Në tetor 2021, ajo publikoi një raport nga Departamenti për Hetimet Kriminale, i cili përcaktoi se zjarri ishte shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në një kordon zgjatues elektrik me defekt të lidhur me një defibrilator. Dyshohet se kablloja, që në atë moment po karikonte një celular dhe një pajisje tjetër, ishte mbinxehur dhe shkaktoi zjarrin.

Prokuroria ka ngritur vetëm akuza ndaj drejtuesve dhe mjekëve të spitalit. Ndërkohë, kompania që ndërtoi spitalin dhe zyrtarët shtetërorë që miratuan ndërtimin nuk u përballën me asnjë përgjegjësi. Nuk ka informacion publik nëse parahetimi do të çonte në gjyq rastin që do të shqyrtonte çështjen e defekteve të mundshme që lidhen me ndërtimin e pasigurt të spitalit.

Familjarët e viktimave shprehën përbuzjen e tyre ndaj prokurorëve:

Korrupsioni vret! Të gjithë politikanët flasin për integrim në Bashkimin Evropian, por nuk respektojnë jetët njerëzore. 14 viktima, zero ditë burg [për personat përgjegjës]. Gjyqësori dhe Prokuroria janë pjesë dhe mbrojtëse të krimit të organizuar, të së keqes (dhe) oligarkisë.

Protestuesit kërkuan rihapjen e procedurës gjyqësore lidhur me rastin, rishqyrtimin e rezultatit të seancës paraprake të mbajtur në Gjykatën e Tetovës si dhe shkarkimin e kryeprokurorit publik Ljubomir Jovevski dhe prokurorëve të tjerë publikë të përfshirë në hetimin e incidentit.

Ibin Emshiu, i cili humbi babanë dhe vëllanë nga zjarri, përmendi vazhdimin e kërkesës për drejtësi:

„И денес како и пред две години, се уште ни се свежи во сеќавање нивните врисоци и плачот, беа изгорени пред нашите очи и бевме немоќни да ги спасиме. Тие денес не се меѓу нас само затоа што не се почитуваа градежните стандарди. Се обидоа да не исплашат и замолчат вреднувајќи ги нивните животи со неколку илјади евра, а се обидоа да ги сокријат вистинските виновници за оваа трагедија. Црниот чад што го прекри градот таа ноќ, денеска ја покрива правдата на оваа земја.“

Sot, ashtu si dy vite më parë, kemi ende të freskëta kujtimet e britmave dhe klithmave të viktimave që na digjeshin para syve, ndërsa ne ishim të pafuqishëm për t'i shpëtuar. Sot nuk janë mes nesh sepse nuk respektoheshin standardet e ndërtimit. [Autoritetet] u përpoqën të na frikësojnë dhe të na heshtin duke vlerësuar jetën e të dashurve tanë me disa mijëra euro [të dhëna nga shteti për familjet], duke tentuar të fshehin fajtorët e vërtetë të kësaj tragjedie. Tymi i zi që mbuloi qytetin atë natë, sot mbulon drejtësinë e gjithë këtij vendi.

Emshiu theksoi se besimi në gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut është “në nivelin zero”, ndërsa jeta e qytetarëve bëhet peng i marrëveshjeve politike dhe dhënies së tenderëve shtetërorë nga zyrtarë që kërkojnë përfitime me mjete të paligjshme.

Në vendin e ish spitalit modular të Tetovës u lexua deklarata e përbashkët e familjeve të viktimave nga zjarri. Marshi protestues vazhdoi nëpër rrugët e Tetovës, që është qyteti më i madh në pjesën perëndimore të vendit. Destinacioni përfundimtar ishte Gjykata Themelore në Tetovë.

Protesters in front of Basic Court in Tetovo, North Macedonia on September 8, 2023. Photo: Fisnik Xhelili/Portalb.mk, used with permission.

Qytetarët që iu bashkuan protestës mbanin në duar pankarta me sloganet: “Prokurori + Gjyqësor = Komplot kriminal”, “Dërgo prokurorë të korruptuar në ONKOLOGJI”, “Drejtësia është lajm i rremë këtu”, “32 vjet shtet [i pavarur] = 32 vjet Korrupsioni”, “Jo drejtësisë selektive”, “Drejtësia në vend të shkëmbimeve”, “Pa drejtësi, pa stabilitet” dhe “Përgjegjësi tani, drejtësi përgjithmonë”.

Pankarta “Dërgo prokurorët e korruptuar në ONKOLOGJI” pasqyron zemërimin për keqpërdorimin e ilaçeve për trajtimin e kancerit në një spital tjetër, Klinikën Universitare për Onkologji në Shkup. Disa punonjës të kësaj klinike dyshohet se kanë lejuar pacientët terminalë të vdesin, ndërkohë që kanë rishitur ilaçet që mund t'i kishin shpëtuar; dhe gjithashtu për mosdeklarimin e tyre si të vdekur, që të mund të blinin më shumë ilaçe për t'u rishitur.

Pankarta “Drejtësia në vend të shkëmbimeve” pasqyron zemërimin e publikut ndaj vendimit të qeverisë dhe parlamentit për të ndryshuar me shpejtësi Kodin Penal më 6 shtator me dispozita që ulin kohëzgjatjen e dënimeve gjyqësore për korrupsion të nivelit të lartë dhe mundësojnë zgjatjen e afatit të kohës së hetimit, që në mënyrë efektive do të ndërpriste një sërë çështjesh gjyqësore lidhur me vepra penale të “shpërdorimit të detyrës”. Partitë opozitare shqiptare ngritën dyshime se qeveria kishte “marrëveshje” me ish-kryeministrin dhe të arratisurin aktual Nikola Gruevski, në mënyrë që ai dhe shumë ish-zyrtarë të mund të shmangnin ndjekjen penale dhe burgun në këmbim të sigurimit të mbështetjes së deputetëve të partisë opozitare maqedonase VMRO- DPMNE për ndryshimet e ardhshme kushtetuese të nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian.

Pankarta në gjuhën maqedonase, shqip dhe anglisht të vendosura para Gjykatës Themelore në Tetovë, Maqedonia e Veriut më 8 shtator 2023. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk, e përdorur me leje.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.