Nëse miratohet, projektligji për blogerët në Taxhikistan do të bëjë më shumë dëm sesa do të jetë i dobishëm

Daler Imomali (në mes), një bloger i famshëm në Taxhikistan, në videon e tij në YouTube në lidhje me problemet që kanë klientët në një nga bankat në vend. Pamje nga kanali i Daler Imomali në YouTube. Përdorim i drejtë.

Më 10 gusht, anëtari i parlamentit të Taxhikistanit, Manuchehr Hamidzod publikoi një projektligj për aktivitetin e blogerëve në faqen e tij personale në FacebookQëllimi i deklaruar i ligjit është të rregullojë marrëdhëniet me publikun në aktivitetet e blogimit dhe të përcaktojë bazën ligjore dhe procedurën për organizimin dhe promovimin e aktiviteteve të blogerëve, si dhe të drejtat dhe detyrimet. Në seksionin e komenteve nën postim, Hamidzod ftoi bashkëqytetarët e tij që të japin mendimet dhe propozimet e tyre për përmirësimin dhe finalizimin e projektligjit në dhjetë ditët në vijim.

Ja postimi në Facebook me projektligjin për veprimtarinë e blogerëve:

Reagimi fillestar ndaj pr/ligjit erdhi në ditën e publikimit të tij nga gazetarja Makhropa Kiromova, e cila i quajti disa dispozita “të palogjikshme” dhe “shkatërruese”. Kiromova tërhoqi vëmendjen për faktin se pr/ligji i bën blogerët përgjegjës për komentet nën postime në vend të autorëve të komenteve. Neni 9 i detyron blogerët të monitorojnë komentet nën publikimet e tyre për t'u siguruar që nuk ka fjalë të turpshme, propozime poshtëruese ose thirrje për veprime të paligjshme. Ajo mendoi efektin e dëmshëm të mundshëm duke thënë: “Është e vështirë për mua të imagjinoj se çfarë mund të ndodhë me blogerët që kanë disa qindra ose mijëra komente nën postimet e tyre.”

Ja një postim në Facebook me komentet e Kiromova për projektligjin.

Kiromova vuri në dukje se aspekti shkatërrues i pr/ligjit është në nenin 13, i cili lidhet me procedurën e ndërprerjes së aktiviteteve të blogimit. Ai përcakton se llogaria e një blogeri mund të mbyllet forcërisht brenda 24 orëve pa mundësi rikuperimi nëse blogerët dhe përmbajtja e tyre nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara. Sipas saj, këto kërkesa janë “kryesisht abstrakte” dhe hapin derën për fshirjen e kanaleve dhe faqeve të gazetarëve dhe blogerëve kritikë ndaj qeverisë, veçanërisht të atyre që aktualisht janë të burgosur.

Kiromova nuk është e vetme në kritikat e saj ndaj projektligjit. Seksioni i komenteve nën postimin e Hamidzod në Facebook me projektligjin është plot me deklarata kritike që variojnë nga thirrjet te heqja e tij e plotë deri te komentet që vënë në pikëpyetje nene dhe klauzola të veçanta. Ata që kundërshtojnë miratimin e tij argumentojnë se ai do të vrasë industrinë e sapolindur të blogjeve të Taxhikistanit, duke vendosur kufizime dhe kontroll mbi blogerët. Ata gjithashtu vërejnë se kuadri aktual ligjor është i mjaftueshëm për të rregulluar industrinë e blogjeve.

Një grup tjetër qytetarësh vuri në pikëpyetje ndalimin nga projektligji të përdorimit të dialektit dhe detyrimin e blogerëve që të përdorin vetëm versionin letrar dhe zyrtar të gjuhës. Një klauzolë tjetër që ngriti shqetësim është propozimi për të ofruar lehtësime tatimore për ata blogerë që prodhojnë përmbajtje në lidhje me politikën, ekonominë, shkencën, arsimin dhe turizmin në Taxhikistan. Duke filluar nga viti 2021, të gjithë blogerët në Taxhikistan janë të detyruar të regjistrohen te autoritetet tatimore dhe të paguajnë taksa.

Nuk dihet shumë për fatin e projektligjit. Nuk ka informacion se çfarë ndryshimesh janë paraqitur në bazë të reagimeve nga publiku. Sipas Hamidzod, ai “po i nënshtrohet ekzaminimit në ministritë dhe departamentet përkatëse, ku do t'i jepet një vlerësim ligjor”. Megjithatë, ka më shumë arsye për të qenë pesimist sesa optimist në kontekstin politik të Taxhikistanit.

Në vitet e fundit, vendi ka shënuar një kthim të dukshëm prapa në lidhje me lirinë e shprehjes, si dhe me liritë e përgjithshme politike. Në vitin 2021, Human Rights Watch raportoi për raste të censurimit të mediave nga qeveria dhe kërcënimeve për dhunë fizike dhe burgosje për gazetarët. Në vitin 2022, shtatë gazetarë dhe blogerë kritikë u dënuan me burgime të gjata në procese të dyshimta gjyqësore. Më i famshmi prej tyre është një bloger në YouTube, Daler Imomali me 146,000 ndjekës në platformë. Në dhjetor të vitit 2022, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve shtoi Taxhikistanin në listën e 12 vendeve me numrin më të lartë të gazetarëve pas hekurave.

Kur u pyet nga publiku nëse ka vende të tjera që kanë miratuar ligje për blogerët, Hamidzod u përgjigj se Taxhikistani do të jetë vendi i parë që do të miratojë një ligj të tillë. Në rastin e regjimit të sotëm gjithnjë e më autoritar në vend, më shumë se çdo gjë tjetër, projektligji parashikon telashe për blogerët.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.