Kina përdor arsimin e lartë për të rritur ndikimin e saj në Maqedoninë e Veriut

Instituti “Konfuci” në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup është i vendosur në objektin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Shën Klimenti i Ohrit. Foto e Meta.mk, e përdorur me leje.

Ky artikull është shkruar nga Meta.mk si pjesë e Qendrës Anti-Dezinformative të Ballkanit Perëndimor. Një version i redaktuar është ribotuar këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Një nga format më të dukshme të “fuqisë së butë” kineze në Maqedoninë e Veriut, një vend që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian ndërkohë që tashmë është pjesë e NATO-s, është ndikimi në fushën e arsimit të lartë.

Ndikimi kinez në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut është i fokusuar kryesisht në disa universitete publike, si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm, shkëmbimeve studentore dhe marrëveshjeve të ndryshme dhe memorandumeve të mirëkuptimit. Kampionët e këtij bashkëpunimi janë Universiteti Shën Kirii dhe Metodi (UKIM) nga Shkupi, Universiteti Goce Dellçev nga Shtipi dhe Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë së Informacionit “Shën Apostulli Pal” nga Ohri.

Ndërkohë, të dhënat e disponueshme tregojnë se numri i studentëve nga Maqedonia e Veriut që kanë shkuar për të studiuar në Kinë është në rritje, krahas numrit të studentëve që studiojnë gjuhën kineze përmes Institutit “Konfuci” në Shkup. Punimi kërkimor “Të kuptuarit e mjeteve, narrativave dhe ndikimit të “fuqisë së butë” kineze në Maqedoninë e Veriut” nga grupi i ekspertëve ESTIMA dhe Fondacioni Konrad Adenauer vëren:

Ndoshta strategjia më e rëndësishme dhe afatgjatë për ankorimin e fuqisë së butë të Kinës në Maqedoninë e Veriut është hapja e Institutit Konfuci në Shkup, në universitetin publik më të vjetër dhe më të njohur, Shën Kirili dhe Metodi në 2013.

Ky kërkim tregon gjithashtu se Kina ofron bursa për studentët nga Maqedonia e Veriut prej mbi 20 vjetësh:

Fillimisht duke nisur nga 1-2, aktualisht numri i bursave arrin afërsisht 10 në vit dhe sipas një përfaqësuesi të Ministrisë së Arsimit, ato janë përdorur gjithmonë. Bursat ofrohen në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Arsimit të Kinës, konkretisht Këshillit të Bursave të Kinës. Herë pas here, Ministria Kineze e Tregtisë ose Instituti Konfuci ofrojnë mundësi shtesë për të studiuar ose udhëtuar në Kinë.

Në analizën “Ndikimi kinez jo nëpërmjet biznesit në Ballkan“, instituti evropian “Blue Europe” thekson se ndikimi kinez në Ballkan po rritet vazhdimisht, veçanërisht në institucionet që merren me kulturën, arsimin, politikat dhe gazetarinë që synojnë varësinë e vendeve të Ballkanit nga Kina.

Më 11 prill 2023, për të marrë të dhëna shtesë për ndikimin kinez në arsimin e lartë, Meta.mk përdori Ligjin për akses të lirë në informacione publike (FOIA) për të kërkuar të dhëna nga 21 universitete shtetërore dhe private si dhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Gazetarët kanë marrë përgjigje nga 17 subjekte brenda afatit të përcaktuar me ligj, ndërsa katër institucione të arsimit të lartë nuk janë përgjigjur fare.

Instituti Konfuci vetëm pranë UShKM

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) sqaroi se bashkëpunimi në fushën e shkencës dhe teknologjisë bazohet në Marrëveshjen për bashkëpunim shkencor dhe teknik të nënshkruar më 7 mars 1995.

Kjo marrëveshje mundësoi realizimin e projekteve shkencore dhe kërkimore ndërmjet dy vendeve, por gjithashtu hapi mundësinë për realizimin e memorandumeve të drejtpërdrejta të mirëkuptimit ndërmjet universiteteve maqedonase dhe homologëve në Kinë.

“Në thirrjen për bashkëpunim shkencor dhe teknologjik në vitin 2020/2021 kanë aplikuar 38 projekte, ndërsa Komisioni i Përbashkët për Bashkëpunim i Shkencës dhe Teknologjisë ndërmjet Maqedonisë dhe Kinës ka vendosur të financojë 20 projekte të përbashkëta maqedono-kineze”, njoftuan për Meta.mk nga MASH.

Tabela e Institutit “Konfuci” në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi ne4 Shkup gjendet në objektin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare “Shën Klementi i Ohrit“. Foto e Meta.mk, e përdorur me leje.

Të dhënat për marrëveshjet e lidhura që universitetet i dhanë Meta.mk, tregojnë se universitetet shtetërore janë më të përfshira në bashkëpunim me Kinën. Midis tyre, UShKM është i vetmi që kishte krijuar një Instituti “Konfuci” në të. Ata kanë bërë të ditur për Meta.mk se Instituti Konfuci ka pasur 10–15 pjesëmarrës mbi moshën 18 vjeçare në kurset e gjuhës kineze të cilët kanë marrë pjesë edhe në një kamp veror dyjavor në Chengdu në periudhën 2015–2019.

Sipas një artikulli tjetër kërkimor të ESTIMA, “Të kuptuarit e mjeteve, narrativave dhe ndikimit të “fuqisë së butë” kineze në Maqedoninë e Veriut”, numri i studentëve të gjuhës kineze që ndjekin Institutin Konfuci në kuadër të UShKIM u rrit nga 60 në vitin e parë në 562 në vitin akademik 2020–2021, së bashku me hapjen e klasave në qytete të ndryshme të vendit. ESTIMA vuri në dukje:

Instituti ofron mësime falas në gjuhën kineze për lloje të ndryshme audiencash, duke filluar nga fëmijët parashkollorë e deri te të rriturit, duke përfshirë studentë universiteti dhe profesionistë nga kompani të ndryshme që punojnë me Kinën.

Përveç organizimit të Institutit Konfuci, UShKM ka zhvilluar edhe programe të studimeve maqedonase me universitetet kineze. Një projekt i tillë, të cilin ata e konsiderojnë si më të rëndësishëm, çoi në themelimin e Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Maqedonase në Universitetin e Studimeve të Huaja në Pekin.

“Ligjëruesi i përzgjedhur i cili ka mbajtur mësime online këtë vit, së shpejti do të udhëtojë në Pekin për të dhënë mësim nga shtatori i vitit 2023”, ka sqaruar për Meta.mk, zëdhënësi i UShKM.

UShKM ka nënshkruar edhe pesë marrëveshje të tjera bashkëpunimi me universitetet kineze, por nuk jep të dhëna për numrin e anëtarëve të tjerë të stafit të universitetit që kanë udhëtuar për vizita studimore në Kinë.

Universitete të tjera shtetërore gjithashtu bashkëpunojnë me Kinën

Bashkëpunim domethënës me Kinën realizon Universiteti Goce Delçev nga Shtipi, qyteti më i madh në rajonin lindor të Maqedonisë së Veriut. Sipas informacioneve që Meta.mk ka marrë përmes kërkesës për akses falas në informacione publike, Universiteti i Shtipit ka nënshkruar katër marrëveshje, memorandume ose dokumente të tjera për bashkëpunim me universitetet kineze, qendrat kërkimore ose me qeverinë kineze.

Faqja “Farat e së ardhmes” nuk disponohet më në faqen e internetit të Huawei në BE, e konsideruar e pasigurt nga përdoruesit në korrik 2023.  Archive.org mban një kopje nga viti 2022.

Lidhur me shkëmbimin e studentëve, tre nga Universiteti i Shtipit morën pjesë në një vizitë studimore dyjavore në Kinë në kuadër të programit “Huawei Seeds for Future”. Ky program është vënë në dukje si mjet ndikimi në punimin e vitit 2021 nga Instituti i Studimeve Aziatike të Evropës Qendrore.

Bashkëpunim të rëndësishëm me Kinën realizoi Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë së Informacionit “Shën Apostulli Pal”, që ndodhet në Ohër, në pjesën jugperëndimore të vendit. Në periudhën nga viti 2015 e deri më tani janë realizuar gjithsej nëntë marrëveshje për projekte me universitetet kineze.

Përveç këtyre, në vitin 2019 u zbatua një marrëveshje donacioni me Universitetin Lanzhou Jiaotong për pajisjen e një laboratori kompjuterik të Universitetit në Ohër. Në vitet 2018–2019, një ide për bashkëfinancimin e një projekti të përbashkët kërkimor shkencor maqedonas-kinez të titulluar “Si universitetet më të mira menaxhojne4 risitë?” u zbatua.

Universitetet private bashkëpunojnë me Kinën herë pas here

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave të publikuara më 3 korrik, shumica e rreth 54,000 studentëve në Maqedoninë e Veriut ndjekin universitetet publike. Megjithatë, 22.3 përqind ose rreth 12,000 studentë ndjekin institucionet private të arsimit të lartë.

Meta.mk ka marrë përgjigje nga shumica e institucioneve private të arsimit të lartë në vend, duke treguar se ata bashkëpunojnë dukshëm më pak me Kinën.

Universiteti i Evropës Juglindore nga Tetova nënshkroi vetëm një marrëveshje me Universitetin Lanzhou Jiaotong për shkëmbimin e studentëve dhe stafit mësimdhënës, pjesëmarrjen në projekte transnacionale si dhe shkëmbimin e praktikave të mira në vitin 2018. Vetëm dy anëtarë të stafit akademik kanë qenë në një vizitë studimore në Kinë deri tani.

Në vitin 2016, Universiteti Europa Prima nga Shkupi ishte institucioni partner në organizimin e Festivalit të Kinematografisë së Evropës Qendrore dhe Lindore në Ningbo, si pjesë e festivalit për kinematografinë e Evropës Juglindore.

MASH: 40 studentë në programet Master dhe Doktoraturë në Kinë në tetë vitet e fundit

MASH informoi Meta.mk se 40 studentë maqedonas kanë përfunduar studimet master dhe doktoraturë ose kanë ndjekur një specializim njëvjeçar në Kinë për të mësuar gjuhën dhe letërsinë kineze në periudhën 2015-2023. Informacione shtesë për studimet universitare nuk janë dhënë.

Çdo vit kjo ministri në faqen e saj shpall thirrje për ndarjen e bursave për studentët maqedonas në bazë të shënimit të marrë nga ambasada kineze në Shkup. Ata publikojnë gjithashtu disa thirrje të tjera për mundësi bursash që u ofrohen studentëve maqedonas nga universitetet ose qendrat kërkimore kineze.

Përveç kësaj, Ministria Kineze e Tregtisë sponsorizoi një program studimi për master dhe doktoraturë në universitetet shtetërore në Kinë për studentët maqedonas në vitin akademik 2022–2023 për një kohëzgjatje prej një deri në tre vjet. Një vit më parë, u publikua një thirrje për dhënien e tre bursave për studime për shëndetin publik nga Shkolla e Shëndetit Publik Vanke në Universitetin Tsinghua.

Të dhënat e marra nga MASH si dhe nga universitetet, tregojnë se ndikimi kinez në arsimin e lartë maqedonas është rritur gjatë viteve të fundit. Arsimi dhe shkenca janë ndër shtatë kategoritë kryesore që Indeksi Global i Fuqisë së Butë përdor për të identifikuar narrativat kryesore duke matur nivelin e ndikimit në opinionin publik. Në vitin 2022 ajo rriti Kinën në renditje, në të katërtën në botë, pas SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.