Blogerët në Kazakistan dënohen me burg për reklamat e skemave piramidale

Blogerët kazakë, Meirzhan Turebayev, Meirkhan Sherniyazov dhe Azizjan Saidbayev (nga e djathta në të majtë), në reklamën e skemës piramidale Mudarabah Capital. Foto nga kanali në YouTube i Atameken Business News

Më 23 qershor, një gjykatë në Kazakistan mori vendimin për çështjen e skemave piramidale Mudarabah Capital, ACD Technology dhe Astex.kz dhe u dha 12 personave dënime të gjata burgimi që varionin nga pesë deri në 14 vjet. Rasti u ndoq nga afër nga publiku sepse dy nga të pandehurit, Meirzhan Turebayev dhe Meirkhan Sherniyazov, janë aktorë dhe blogerë të famshëm me disa milionë ndjekës në Instagram. Gjykata i shpalli ata fajtorë për themelimin dhe drejtimin e Mudarabah Capital dhe i dënoi me pesë vjet burg të sigurisë minimale. Të dy u deklaruan të pafajshëm, duke thënë se vetëm reklamuan kompaninë dhe humbën paratë që kishin investuar në të.

Çështja nisi në janar 2022. Në shkurt të të njëjtit vit, autoritetet akuzuan Torebaev, Sherniyazov dhe një bloger tjetër në Instagram Azizjan Saidbayev, i cili ende mbetet në listën e të kërkuarve, për krijimin dhe drejtimin e një skeme piramidale, të cilën ata të gjithë e reklamuan në Instagram-ët e tyre. Mudarabah Capital u reklamua si një institucion financiar islamik dhe premtoi kthim vjetor prej 240 për qind nga investimet. Dyqind njerëz transferuan rreth 8.6 miliardë KZT (18.61 milionë dollarë) në llogaritë e Astex.kz përmes filialit të saj Mudarabah Capital. Në prill 2022, një grua i vuri flakën vetes përpara ndërtesës së Ministrisë së Brendshme në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, pasi familja e saj kishte humbur 20 milionë KZT (43,800 dollarë) të investuara në Mudarabah Capital.

Vendimi i ka lënë njerëzit në Kazakistan të ndarë. Disa e shohin atë si një vendim të drejtë, i cili do t'i detyrojë blogerët të jenë më të vëmendshëm ndaj asaj që reklamojnë dhe t'i pengojë ata të ndikojnë tek njerëzit në zgjedhje të dyshimta investimi. Të tjerët e shohin atë si të tepruar dhe të padrejtë, pasi blogerët nuk janë përgjegjës për dhënien e licencave për kompani të tilla dhe monitorimin e tregjeve financiare. Ajo që është e qartë është se vendimi do të ndikojë në peizazhin e ri të mediave sociale të vendit dhe qindra mijëra blogerë që sigurojnë jetesën nga reklamat në Instagram.

Kompjuterë, tenderë dhe fe

Historia e tre skemave piramidale daton në fillim të vitit 2019, kur organizatori i supozuar pas gjithë operacionit, Almas Kurmangaliev, themeloi LLP ACD Technology. Ajo u regjistrua tek i afërmi i tij Erzhan Mansurov, i cili u bë drejtor i kompanisë. Zona e deklaruar e veprimtarisë së saj ishte prodhimi i kompjuterëve. Menjëherë pas kësaj kompania filloi të pranonte investime me pagesën e premtuar të dividentëve prej 20 për qind të shumës së depozituar brenda 32 ditëve (240 për qind në vit). Sipas hetimeve, dëmi total i shkaktuar investitorëve arriti në rreth dy miliardë KZT (4.48 milionë dollarë).

Në nëntor 2019, Kurmangaliev krijoi një tjetër skemë piramidale, LLP Astex.kz dhe e regjistroi atë tek një i afërm tjetër, Erlan Mansurov. Funksionimi i saj dhe premtimet për dividentë ishin të ngjashëm me atë të ACD Technology. Dallimi i vetëm ishte se Astex.kz ishte e specializuar në realizimin e fitimeve duke praqitur oferta në tenderat e qeverisë. Dëmi total i investitorëve u vlerësua në 1.2 miliardë KZT (2.63 milionë dollarë). Për të promovuar investimet, të dyja kompanitë premtuan përfitime financiare për ata që tërhiqnin investitorë të rinj – 10 për qind nga shuma e investuar.

Në vitin 2020, Kurmangaliev themeloi LLP Mudarabah Capital, i pozicionuar si një institucion financiar që dyshohet se “përputhet me të gjitha ligjet e Islamit”, një veçori që rrënjoste besimin te njerëzit. Ai u promovua përmes reklamave të shumta në rrjetet sociale me pjesëmarrjen e blogerëve, aktorëve dhe personazheve të tjerë të njohur publikë. Ngjashëm me Astex.kz, kompania premtoi kthime të mëdha për investitorët duke fituar tenderët publikë. Turebayev dhe Sherniyazov u renditën midis themeluesve të Mudarabah Capital në dokumentet e kompanisë. Në tetor 2021, autoritetet arrestuan disa individë në lidhje me drejtimin e kompanisë. Në shkurt 2022, ata u akuzuan për krijimin dhe drejtimin e një skeme piramidale dhe u arrestuan në prill 2022.

Këtu është një reklamë e Mudarabah Capital e publikuar në kanalin e YouTube të Meirkhan Sherniyazov.

Reklamimi i skemave piramidale përbën krim

Skemat piramidale janë të përhapura në Kazakistan. Mes janarit dhe nëntorit 2022, dëmi total prej tyre ishte 8.1 miliardë KZT (17.7 milionë dollarë). Vetëm katër për qind e kësaj shume iu kthye investitorëve, që do të thotë se ata humbën pothuajse të gjitha paratë e tyre. Rasti Mudarabah Capital ishte më i pëfoluri për shkak të përfshirjes së blogerëve dhe aktorëve të famshëm në fushatën reklamuese. Kjo e shtyu qeverinë të ndërmerrte hapa të mëdhenj ligjorë për të kundërshtuar reklamat e tyre. Në korrik 2022, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev nënshkroi një ligj që kriminalizonte reklamimin e skemave piramidale. Turabayev dhe Sherniyazov u bënë blogerët e parë të profilit të lartë që morën dënime me burg pasi ligji hyri në fuqi.

Megjithatë, ata nuk janë të vetmit që u prekën. Që nga janari 2022, kishte 556,791 blogerë në Instagram me më shumë se 1,000 ndjekës, nga të cilët 483,000 ishin nano ndikues, që do të thotë se numri i ndjekësve të tyre varionte midis 1000 dhe 10,000. Në nivelin tjetër, 62,815 kishin 10,000–50,000; 10,451 kishin 50,000–500,000 ndjekës, 334 kishin 500,000–1 milion ndjekës dhe 230 kishin mbi një milion ndjekës. Të bëhesh një influencues në Instagram është kthyer në një trend karriere në vend, ku blogerët krijojnë përmbajtje, grumbullojnë ndjekës, mbledhin para përmes reklamave në faqet e tyre dhe më pas fillojnë bizneset e tyre. Ligji i vitit 2022 dhe vendimi i fundit i gjykatës me siguri do t'i detyrojnë të gjithë blogerët të marrin në konsideratë me kujdes atë që pranojnë të reklamojnë dhe mund të çojë në ulje të fitimeve.

Blogerët që mbronin Turebayev dhe Sherniyazov tërhoqën vëmendjen për faktin se blogerët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për reklamat, ashtu si kanalet televizive dhe gazetat nuk mbajnë përgjegjësi për reklamat në platformat e tyre. Ata theksuan gjithashtu se ka agjenci të posaçme shtetërore që licencojnë institucionet financiare dhe monitorojnë tregjet financiare. Qëllimi është se blogerët nuk duhet të kenë nevojë të investigojnë pasi agjencitë shtetërore lëshojnë licencat e nevojshme.

Këtu është një video në YouTube në të cilën blogerët kazakë ndajnë mendimet e tyre për rastin e Mudarabah Capital.

Duket sikur Turebayev dhe Sherniyazov ishin një dëm kolateral i qëndrimit të qeverisë kundër skemave piramidale. Rastet e tyre janë menduar të jenë një mësim për blogerët e tjerë që ndikojnë në opinionin publik. Precedenti është vendosur tani dhe vetëm koha do të tregojë nëse futja e blogerëve në burg është efektive kundër skemave piramidale.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.